Kamza mbetet blu, Partia Social-Demokrate forcë e tretë në 26 QV

Ronald Qema |28.04.2021| nyje.al
Mbrëmjen e kaluar KZAZ nr.27 përfundoi procesin e numërimit duke nxjerrë kështu rezultatin final të zgjedhjeve të 25 prillit, për sa i përket subjekteve politike. Më herët kishte përfunduar numërimi edhe në KZAZ nr.28, në të cilën janë numëruar votat e qendrave të votimit në njësinë administrative Paskuqan. Rezultati final nxorri Partinë Demokratike si më të votuarën në Bashkinë Kamëz, me 25764 vota (50.07%), e ndjekur nga Partia Socialiste me 19344 vota (37.59%). Lëvizja Socialiste ia doli të mbetet forcë e tretë me 3147 vota (6.12%) , por e ndjekur nga PSD që ia ka dalë ta mundë në 26 qendra votimi dhe me vota të barabarta në 7 të tjera.

(Numërimi i kutive të fundit në KZAZ  nr.27, Ronald Qema, Kamëz 27.04,2021)

1 qendër votimi për LSI-në

Nga 88 qendra votimi të njësisë Kamëz, PD ka arritur rezultat më të mirë se të tjerët në 63 prej tyre. Partia Socialiste ka dalë të jetë më e votuara në 24 qendra votimi, përkatësisht në lagjet në qendër të Kamzës, Kamëz të Re, një qendër votimi në Laknas. Gjithashtu në Valias, 2 qendra votimi pranë Shkollës Profesionale dhe 2 qendra në lagjet 1 dhe 2 në Bathore. Bulçeshi, QV 1601, është qendra e votimit në të cilën ka fituar LSI me më shumë se 30% të votave.


74% të votave të njësisë Paskuqan për PD

(KZAZ  nr.27, Ronald Qema, Kamëz 27.04,2021)

Në Paskuqan në 31 qendra votimi ka kryesuar PD , nga 42 që janë total,e në 11 të tjerat rezultuan fitues socialistët. Në këtë njësi administrative, PSD është forcë e tretë në 5 qendra votimi duke lënë pas LSI e në 2 prej tyre me vota të barabarta.

Ndryshe nga këto rezultate, të dala në Bashkinë Kamëz, në rang kombëtar pas përfundimit të numërimit të 5198 QV, Partia Socialiste ka marrë vota më së shumti. 768111 vota kanë siguruar socialistët kundrejt 622126 votave të demokratëve, të cilët kanë mundur të sigurojnë 59 mandate. 74 mandate në parlament i kanë marrë kandidatët e Partisë Socialiste, 4 për LSI dhe 3 për PSD. Gjithsesi, për një pasqyrë më të qartë të deputetëve të ardhshëm duhet të presim numërimin e votave për kandidatët.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje