Bashkia nën hije

Nyje.al | 22.12.2022 | 

Bashkia Kamez, foto nga Ronald Qema teksa pret për t'u futur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, 21 Dhjetor, 2022
Bashkia Kamez, foto nga Ronald Qema teksa pret për t’u futur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, 21 Dhjetor, 2022

Hysen Koldashi, kryetari i Këshillit Bashkiak të Kamzës hapi dje mbledhjen e këshilltarëve me togfjalëshin të nderuara media prezente, qytetarë…”, duke lajmëruar kështu çeljen e seancës për miratimin e projekt-buxhetit të vitit 2023. Kryetari Rakip Suli, iu drejtua të rinjve të Këshillit Rinor, duke theksuar rëndësinë e pranisë së tyre. Nuk dihet me saktësi se cilat media dhe cilët të rinj kanë qenë të pranishëm në këtë mbledhje, por dimë me siguri se kush nuk u lejua të futej brenda. Qartazi, për të marrë pjesë në mbledhjet e këshillit bashkiak të Kamëz, por edhe në takime të tjera publike, duhet të jesh ‘i përzgjedhur’, ‘i preferuar’, ‘i domestikuar’ nga institucioni. Përballja me tjetrin kritik pamundësohet, çka nuk e vë nën fre, përjashtohet nga zona jonë e kontrolluar. Kështu duket të jetë arsyetimi i Bashkisë teksa ndalon pa arsye pjesëmarrjen e publikut.

Aktivistit të grupit Ata, Ronald Qema, njëherazi edhe në cilësinë e gazetarit të Nyje.al, iu mohua mundësia për të marrë pjesë në një prej mbledhjeve më të rëndësishme të vitit në Bashki. Në një situatë normale, si autor pranë gazetës komunitare “Nyje.al” – e vetmja media lokale në qytet – do të duhej të ishte në radhët e para të atyre që u mundësohet pjesëmarrja dhe raportimi. Përkundër këtij arsyetimi, dhe krejt në shkelje të parashikimeve kushtetuese dhe ligjore, atij ju desh të përballej me refuzimin e pabazuar të punonjësve të bashkisë, të cilët, si taktikë burokratike klishe për të penguar a fituar kohë, nxjerrin gjithmonë një kërkesë ad hoc: për t’u pajisuar me një autorizim. Se çfarë autorizimi, kush ishte organi lëshues dhe çfarë vlere do të kishte për një takim të hapur të një organi kolektiv të zgjedhur, ata vetë nuk arrinin ta shpjegonin.

Këshilli Bashkiak njoftoi mbledhjen e tij më datë 20 dhjetor, në faqen e vet në facebook. Njoftim i mangët ky, krahas asaj çka parashikon ligji për vetëqeverisjen vendore dhe ai për të drejtën e informimit, pasi do të duhej të shoqërohej edhe me rend dite e detaje të tjera. Megjithatë, përparim i konsiderueshëm krahasuar me fshehjen sistematike prej dekadash të njoftimit të ditës së mbledhjes së këshillit pranë kësaj bashkie.

Si nën qeverisjen e Partisë Demokratike, ashtu edhe të Partisë Socialiste, mbledhjet e këshillit janë mbajtur në fshehtësi të plotë për vite me radhë. Madje, ka pasur raste kur aktivistët e grupit Ata janë përballur me kërcënime fizike për t’i ndaluar pjesëmarrjen (2016-2017). Ndalimi ka vijuar edhe përgjatë 4-vjeçarit të Sulit, duke mos njoftuar ditën, orën, rendin. Ky institucion është ndërgjegjësuar për detyrimet ligjore dhe për çeljen e mbledhjeve për banorët e Kamzës vetëm pas paditjes në gjykatë dhe humbjes së procesit gjyqësor administrativ përballë Grupit Ata. Të detyruar me vendim me ekzekutim të përkohshëm, dhe me ndjekje hap pas hapi të përmbaruesit gjyqësor, bashkia dhe këshilli filluan më në fund të publikojnë të dhëna publike, dhe ndër të tjera vendimet e këshillit dhe datat e mbledhjeve në vitin 2022.

Proceset gjyqësore të iniciuara nga aktivistët e qytetit synonin edhe gjobitjen e Sulit për moskryerjen e detyrave të parashikuara në ligj mbi transparencën e institucionit publik që ai drejton. Çështja është duke u shqyrtuar në Gjykatën Administrative të Apelit. Ndërkohë, shkeljet e bashkisë përsëriten, me shkeljen e të drejtave kushtetuese dhe ligjit. Neni 231 në Kushtetutë parashikon të drejtën e informimit si të drejtë themelore të njeriut. Sipas tij, secili qytetar, në përputhje me ligjin, mundet me marrë informacion mbi veprimtarinë e organeve shtetërore dhe të personave që i ushtrojnë këto funksione. Po ashtu, në pikën e tretë të tij parashikon se kujtdo duhet t’i jepet mundësia për të ndjekur mbledhjet e organeve të zgjedhura kolektive. Teksa shkelet e drejta kushtetuese, shkelin me të dyja këmbët edhe parashikimet ligjore të cilat sanksionojnë se mbledhjet janë të hapura për publikun.2 Nisur dhe nga rëndësia e rendit të ditës së kësaj mbledhjeje, e cila do të merrte në shqyrtim dhe do të miratonte projekt-buxhetin 2023, seanca do të duhej të ishte shoqëruar edhe me praninë e banorëve apo grupeve të interesit.3

Megjithatë, pavarësisht këtyre të drejtave kushtetuese të cilat e njohin institucionin si një hapësirë dhe vendimmarrje publike dhe demokratike, në veprimtarinë e saj të përditshme Bashkia sillet ndryshe, si furacake ndaj ligjit, si Bashki në hije. Me roje që ruajnë kufirin mes saj dhe qytetarëve, Bashkia na rikujton si gjithnjë prozën e Franz Kafkës, “Përballë Portës së Ligjit”, ku qytetari bëhet të ndihet gjithnjë i paautorizuar, i paftuar, i pamikpritur, në faj që po kërkon institucione të hapura e demokratike, në faj që ndjek fjalëpërfjalshëm çka i njeh e drejta dhe ligji.

Teksa numërojmë shkeljet, Këshilli Bashkiak ka kaluar tashmë buxhetin dhe një seri aktesh të tjera që prekin drejtëpërdrejtë jetën e banorëve të Kamzës. Por vënia në pah e tyre dhe denoncimi i sjelljes së institucionit do të vazhdojë për sa kohë qytetarëve u shkelen të drejtat dhe përjashtohet nga pjesmarrja në institucionet e tyre.

***

1.Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 23: E drejta e informimit është e garantuar. 2. Kushdo ka të drejtë, në përputhje me ligjin, të marrë informacion për veprimtarinë e organeve shtetërore, si dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore. 3. Kujtdo i jepet mundësia të ndjekë mbledhjet e organeve të zgjedhura kolektive.

2.Ligji nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, neni 17: Mbledhjet e këshillit të bashkisë 1. Mbledhjet e këshillit të bashkisë janë të hapura për publikun. Çdo shtetas lejohet të ndjekë mbledhjet e këshillit, sipas mënyrës së përcaktuar në rregulloren e këshillit. 2. Njoftimi për mbledhjen e këshillit bëhet publik në vende të caktuara për këtë qëllim brenda territorit të njësisë vendore dhe në media të aksesueshme në njësinë vendore dhe përmban datën, vendin, orën dhe rendin e ditës së mbledhjes. 3. Me kërkesën e kryetarit të bashkisë ose të një të pestës së anëtarëve të këshillit bashkiak, mbledhjet e këshillit bashkiak mund të bëhen të mbyllura, kur për këtë kanë votuar jo më pak se tre të pestat e gjithë anëtarëve të tij.

3.Neni 18 Seancat e këshillimeve me bashkësinë 1. Këshilli bashkiak ose këshilli i qarkut, përpara shqyrtimit dhe miratimit të akteve, zhvillon seanca këshillimi me bashkësinë, të cilat janë të detyrueshme për rastet e parashikuara në nenet 54, shkronjat “a”, “dh”, “e”, “f” dhe “k”, dhe 77, shkronjat “a”, “dh”, “e”, “f” dhe “k”, të këtij ligji. 2. Këshillimi me publikun, në çdo rast, bëhet sipas mënyrës së përcaktuar në rregulloren e këshillit, duke përdorur një nga format e nevojshme, si takimet e hapura me banorët e grupet e interesit, takime me specialistë, me institucione të interesuara dhe organizata jofitimprurëse ose nëpërmjet marrjes së nismës për organizimin e referendumeve vendore. 3. Aktet e këshillit publikohen në faqen zyrtare të internetit dhe afishohen në vende publike, të caktuara nga këshilli me akses të lirë publik, brenda territorit të njësisë vendore dhe, sipas mundësive, këshilli cakton edhe forma të tjera të publikimit të tyre. Informimi i publikut në çdo bashki bëhet në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit dhe rregullat e përcaktuara nga vetë këshilli përkatës për këtë qëllim

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje