Fabrika, punëtorëve

Antonela Pepkolaj | 24.08.2022 | nyje.al

Përgjithësisht autonomia është një nga pasojat e suksesit (apo kështu mendohet) dhe, pasojë e autonomisë, është më shumë dinjitet dhe integritet njerëzor. Dokumentari “Factory to the workers”, nxjerr në pah, që në fakt edhe ekzistenca mund të përbëjë konflikt interesi, sidomos në një botë hierarkish në të cilën idealistët zgjedhin të ecin kundër rrymës. Kështu ndodh me fabrikën e pjesëve të makinave ITAS në Kroaci. 

Në përpjekje për të luftuar procesin e privatizimit, punëtorët bëhen pronarët e saj duke ndarë përgjegjësitë dhe aksionet. E gjithë kjo narrativë, që përbën dhe konfliktin kryesor të dokumentarit, nënkupton një lloj nostalgjie, apo inercie, kah socializmi jugosllav, i cili shënjohet më qartazi nga imazhet e Titos në hyrje të filmit. 

Megjithatë, dëshira e mirë nuk është garant për sukses, pasi ky model utopik dështon, duke i lënë punëtorët vetëm me privilegjin e barazisë dhe vendimmarrjes, por pa rroga. Këtu shtrohen dilema të tilla si: dëshira për mirëqënie kundrejt dëshirës për liri dhe dinjitet; koha që shesim kundrejt kohës që investojmë; sakrifica kundrejt të drejtës për dëmshpërblim. Shquhen më qartë në rrëfimin e njërit prej punëtorëve përballë kamerave, i cili konstaton të drejtën e vet për dinjitet, për liri, për më shumë mundësi duke vënë në pah se puna në fabrikë ia cënon këto të drejta dhe që, në fakt puna në fabrikë për të është kompromis me veten, pasi nuk do ishte asnjëherë opsioni i tij i parë.

Loja me rrogat zbulon dhe një skemë të poshtër: Božo Dragoslavić, drejtori ekzekutiv i ITAS-it ka vjedhur vazhdimisht nga fondet e fabrikës, gjë e cila vetëm aludohet, por e vërteta nuk zbulohet asnjëherë qartë, pasi dokumentari është i ndërtuar pas prizmit të punëtorëve, dhe ata nuk dinë asgjë përpos faktit se nuk kanë marrë rrogat e tyre. Kjo shkakton që Dragoslavić të shkarkohet nga posti i tij dhe në vend të tij vendoset Varga, një njeri i cili duket se do sinqerisht më të mirën për punëtorët dhe fabrikën. Megjithatë, borxhet e shumta kushtëzojnë suksesin e fabrikës dhe në fund të dokumentarit, aludohet për falimentin e plotë të saj, përmes imazheve të një punëtori që po mbledh shishe brenda fabrike për t’i shitur më pas.

Filmi është një dokumentar i cili zhvillohet brenda hapësirave të fabrikës, me fokus punëtorët dhe eksperiencën e tyre në kontekstin e punës. Shikuesi nuk është apo bëhet familjar me të vërtetën pas problemeve me të cilat ndeshen punëtorët, siç është mungesa e rrogave prej tashmë disa muajsh, por është familjar me mundin e tyre teksa përpiqen të luftojnë për të drejtat e veta. Ndaj edhe atmosfera e dokumentarit luhatet mes momentesh revolte e mjerimi, e deri te konspiracioni dhe aludimi. Gjithsesi, filmi i qëndron besnik deri në fund prizmit të punëtorit.

Përveç tematikës së të drejtave të punëtorëve, dokumentari vë në pah edhe përplasjen mes sistemeve të ndryshme ekonomike, siç janë në këtë rast socializmi dhe kapitalizmi, duke dalë në përfundimin pesimist se kapitalizmi është gjuha e vetme e ekonomisë dhe që gjithçka tjetër është e prirur të dështojë. Paçka se, fabrika orvatet të ruajë solidaritetin e saj duke luftuar procesin e privatizimit, duket sikur dokumentari na thotë që nuk mund të ruajmë edhe autoritetin e plotë njerëzor mbi veten dhe jetën tonë edhe suksesin ekonomik, por që, duhet zgjedhur vazhdimisht mes tyre. 

Dokumentari fitoi garën e dokumentarëve të Ballkanit në DokuFest, edicioni XXI , me motivacionin: “Juria zgjodhi unanimisht një dokumentar që zbulon dinamikën komplekse dhe universale të një mikrokozmosi ku solidariteti njerëzor sfidohet nga forcat brutale shoqërore, duke përdorur një qasje të ndjeshme dhe kamerë të saktë vëzhguese. Çmimi Balkan Dox shkon për “Factory to the Workers” nga Srđan Kovačević.” 

Në kuadër të temës së këtij edicioni të DokuFest “How to survive?”, mes të tjerash, ky film vë në pah një pjesë të problematikave të shoqërisë, siç është cilësia e kushteve dhe siguria në vendin e punës për punëtorët. Tjera çështje që ishin qendër e këtij edicioni të DokuFest, ishin edhe çështjet mjedisore, identiteti seksual në një kontekst patriarkal dhe rolet gjinore, izolimi, pasojat e luftës, nevoja për më shumë aktivizëm etj. Megjithëse, siç observojnë banorë të Prizrenit, se DokuFest ndiqet më shumë nga të ardhur dhe të huaj, festivali prek ndjeshëm dinamikën e qytetit, duke e bërë më të gjallë dhe më miqësor për të gjithë së bashku.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje