Protestë në Mat kundër hec-eve Sekë e Zais: Rezistenca për jetën vazhdon!

nyje.al | 07.03.2020 
Ditën e djeshme banorët e Zall Gjoçajt mbajtën protestën e radhës para Bashkisë Mat kundër ndërtimit të heceve në Parkun Kombëtar “Lurë-Mali i Dejes” nga kompania “Seka Hidropower”. Banorët i kërkuan këtij institucioni përgjegjësitë që i takon për t’u siguruar tokën, ujin dhe ajrin. Me simbolikën e një arkivoli që e lanë para derës së Bashkisë pas përplasjeve me policinë qytetarët ua kujtuan se po ua more ujin do të korrin vdekjen e zonës e të njerëzve përreth saj.

Pamje nga protesta e banorëve në Mat, 06.03.2020, foto nga Ronald Qema
Pamje nga protesta e banorëve në Mat, 06.03.2020, foto nga Ronald Qema

Kjo është e disata protestë e rezistencës së tyre prej më shumë se një viti. Ndërkohë që pritet seanca gjyqësore me 13 mars për masën e sigurisë për pezullimin e punimeve në park ndaj kompanisë “Seka Hidropower”, banorët vazhdojnë rezistencën e tyre me protesta e me seanca gjyqësore. Nuk kanë sesi të bëjnë ndryshe. Këmbngulja e banorëve të Zall Gjoçajt nuk resht, është bërë si lumi që nga protesta në protestë, falë lëvizjes së tyre, tashmë ka bërë të lëvizin e t’u bashkohen edhe ambientalistë, aktivistë, sindikalistë të rinj dhe banorë të fshatrave të tjerë të shkatërruar tashmë nga hecet.
Protesta e banorëve të Zall Gjoçajt i bën të gjithë ata që u bashkohen atyre ta ndjejnë Shqipërinë edhe më shumë pjesë të vetes dhe veten edhe më shumë pjesë të saj.
Prej më shumë se një dekade hecet shiten si zgjidhje e problemit të energjisë për të ardhmen. Mirëpo, çmimi i kësaj energjie të së ardhmes po del të jetë tepër i lartë. Çmimi i tyre është jeta e banorëve të zonave ku rrjedhin lumenjtë e këtyre vendbanimeve ndër vite, breza e shekuj. Uji është gjëja më e rëndësishme dhe kushti i mundësisë së njerëzimit. Kush zhduk ujin, zhduk njerëzimin. Hecet po ndërtohen pa hesap sepse lejet jepen me idenë se nuk ka mbetur asnjë gjë e gjallë mbi tokë tashmë që t’iu duhet uji për jetë, as në Parkun “Lurë-Mali i Dejes”, as në Valbonë, as në Seman e në asnjë fshat tjetër të vendit.
Në çdo vend ku është ndërtuar një Hec ka patur protesta të banorëve që i kanë paraprirë atij. Rezistenca është bërë e domosdoshme sepse është rezistencë për jetën. Banorët e Zall Gjoçajt na mësuan se të vdekur janë vetëm ata që nuk e shohin jetën dhe se të vdesësh pa rezistuar nënkupton se nuk ke jetuar kurrë.
Kryetari i Bashkisë Mat dhe çdo qytetar duhet ta kuptojë nga rezistenca e këtyre banorëve se ose do të jetë në krahun e njerëzve të gjallë ose në krahun e hajdutëve të ujit. Ose do të ketë dinjitetin e njeriut të lirë që e dallon lirinë veç sepse mund të rezistojë ose do ta groposin kokëulur kompanitë e dyshimta të heceve, siç fusin ujin e groposin gjithçka që sheh dritën e diellit anës lumenjve tanë.

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje