Aksesueshmëria në qytetin e Kamzës për personat me aftësi të kufizuar vijon të mbetet një e drejtë e mohuar

Erisa Kryeziu | 17.01.2022 | nyje.al

Karrigia me rrota rrëshket shumë zhdërvjellët në rrugët e qytetit të Kamzës, përpos pengesave artificiale prej betoni e herë nga njerëzit. Mirëpo, Dovleti u bë kohë që i njeh mirë këto barriera aq sa edhe di t’i shmangë.  Ishte viti 2009 kur ai mori për herë të parë karrigen me rrota si dhuratë nga kushëriri i tij. Deri në atë kohë, pavarësisht natyrës së tij çapkëne e kishte pasur të pamundur të lëvizte lirshëm jashtë ambienteve të shtëpisë së tij. Në moshën 11-vjeçare, loja e tij me shokët në Gramsh i pamundësoi lëvizjen e këmbëve si pasojë e rënies nga shkëmbi. Peripecitë në spitale dhe lajmi se nuk do mund të ecte i ndryshuan rrjedhën e tij të jetës, megjithatë ai kurrë nuk e humbi shkëlqimin në sy dhe dëshirën për jetën.

Atje e kisha të pamundur të përdorja një karrige me rrota, kështu që e vetmja mënyrë lëvizjeje ishin kafshët. Me kuaj lëvizje nga një vend në tjetrin. Po shkoja përsëri në mal, fillova të angazhohesha me punë të vogla. Po filloja të ndjehesha produktiv”,- rrëfen Dovlet Xhangoli. 

Tanimë, si një banor i Kamzës ai përballet me të tjera peripeci, ato të barrierave që ofrojnë qytetet që vijojnë të mos jenë për të gjithë qytetarët.

Pengu se nuk i kishte thënë faleminderit fotorinos që e ndihmoi të zbriste nga urbani e shoqëroi Silvanën gjatë kohës që rrufiste çajin, e ftuar nga miku i saj Dovleti. Njëjtë si Dovleti edhe Silvana menaxhon shumë mirë karrigen e saj me rrota, duke qenë kjo edhe një mënyrë për t´u arratisur nga shtëpia dhe për të pasur pak pavarësi. Prej moshës 23-vjeçare, Silvana e ka pasur karrigen me rrota si të vetmin mjet lëvizës, ndërsa e mundon ende fakti që nuk ka mundur të përfundojë shkollën për shkak të kushteve në të cilat ndodhej asokohe.

“Jo, fatkeqësisht jo. S´kanë qenë kushtet atëherë. Rrugët kanë qenë shumë keq, për fat të keq e kam ndërprerë”, -u shpreh Silvana Cara.

Tentativa e saj për të aplikuar për një punë deri më tani ka qenë pa sukses, pasi edhe dëshira për të ndjekur kurse profesionale është penguar nga mungesa e infrastrukturës.

Kam tentuar deri tani kohët e fundit, por nëse nuk ke një kurs, një gjë, nuk është se të marrin. Kurset e kompjuterit dhe disa gjëra të tjera janë me shkallë në kat të dytë dhe unë nuk mundem të shkoj”- përfundon Silvana. 

Barrierat vështirësojnë aksesin në shërbime 

Për Silvanën, tanimë 32 vjeçare përpjekjet për të lëvizur me karrige kanë nisur në moshën 23 vjeçare.

“Jo, më përpara nuk kam pas dalë fare nga shtëpia. Që në moshën 8 vjeç deri në 22-23 vjeç kam ndenjur në shtëpi pa dalë, nuk dilja, qëndroja brenda. Pastaj karrigen e kam blerë me shpenzimet e mia.”

Sipas të dhënave nga bashkia Kamëz, në këtë bashki janë 3454 persona me aftësi të kufizuar. 212 prej tyre janë në statusin e para dhe tetraplegjikëve. Përpos numrit të konsiderueshëm, në këtë bashki ka ende mungesë të theksuar të infrastrukturës së përshtatur për këtë komunitet. 

Përgjatë një pasditeje, Dovleti na mori të përshkonim qytetin për të kuptuar sa i lehtë ose jo ishte ky qytet për t’u aksesuar nga personat me aftësi të kufizuar. Për këtë na u desh shpesh që të ndanim rrugët, pasi trotuaret e ngushta dhe mungesa e rampave në pjesë të ndryshme të rrugës e bënë të pamundur lëvizjen në të njëjtin drejtim.

“Kamza është një qytet që ka filluar pothuajse të rindërtohet nga e para kohët e fundit dhe te flasim për aksesin për të marrë shërbimet e caktuara është në nivele te 5%, mos ngjitemi më lart sa i përket krijimit të kushteve të infrastrukturës. Infrastruktura është shumë e dobët për aksesin e aftësisë së kufizuar”,-rrëfen Dovleti.

Të njëjtën gjë pohon edhe Silvana. 

“Infrastruktura nuk është e përshtatshme për neve. Ka shumë vështirësi“.

Sipas tyre, mungesa e rampave dhe mos plotësimi i parametrave të tyre kur janë të pranishme është një nga arsyet që vështirëson lëvizjen e tyre.

“Po trotuaret nuk janë në nivelin e karrocës dhe më duhet të eci në rrugë kur nuk është e përshtatshme. Njerëzit nuk hapen”,- rrëfen Silvana.

Trotuaret pothuajse janë të papërdorshëm shumica e tyre që ne nuk i aksesojmë fare. Mungesa e rampave gjithandej”,-vijon më tej Dovleti.

Sipas bashkisë Kamëz, në një përgjigje ndaj kërkesës për informacion, institucionet që ofrojnë shërbime në Kamëz janë të gjitha të aksesueshme nga personat me aftësi të kufizuar. 

“Qendrat shëndetësore në të gjitha lagjet e Bashkisë Kamëz janë të aksesueshme nëpërmjet rampave dhe qendra shëndetësore kryesore është e pajisur edhe me ashensor. Bashkia Kamëz, Komisariati i Policisë, Pallati i Kulturës, Qendra Multifunksionale dhe Posta janë të aksesueshme nëpërmjet rampave. Gjithashtu pranë Bashkisë Kamëz, për invalid është vendosur një vend parkimi me qëllim krijimin e sa më shumë lehtësirave në aksesim”,-thuhet në përgjigjen e bashkisë Kamëz. 

Mirëpo, sipas Dovletit dhe Silvanës ka vështirësi për t’i përdorur rampat në këto institucione. 

“Postat 99% e tyre nuk e kanë aksesin e rampës që ne të hyjmë brenda, jemi të detyruar që ta marrim shërbimin në rrugë. Spitali e ka një rampë, por në rastet kur kam nevojë të marr shërbim në kat të dytë apo të tretë, nuk funksionojnë ashensorët. Pastaj të marrim qendrat e tjera shëndetësore nuk e kanë aksesin fare. Bankat po ashtu nuk e kanë aksesin fare, apo edhe shërbimet më të vogla, por që janë jetike si furrat e bukës apo aktivitete të tjera me radhë nuk e kanë”,-sqaron Dovleti.

Në disa institucione ku ka rampë, ajo është jashtë standardeve, duke qenë shumë e pjerrët dhe si rrjedhojë bëhet i pamundur kalimi në të.

Madje edhe vetë rampa e cila ndodhet edhe pranë zyrave të shoqatës së para dhe tetraplegjikëve është e mundur të ngjitet nga një person me aftësi të kufizuar deri në gjysmë të saj. 

Rampa pranë zyrës së shoqatës së para dhe tetraplegjikëve

Rampat rekomandohet të kenë një pjerrësi 1:20 (5%). Ndërsa shtresa e sipërme e rampës duhet të jetë jo rrëshqitëse si dhe në fillim dhe fund të saj te ketë shirita orientues edhe për personat që nuk shikojnë. 

Vështirësi në akses personat me aftësi të kufizuar kanë edhe në transportin urban. Në stacionet pritëse të urbanit, hapësira mes trotuarit dhe vendit ku ndalon urbani është e lartë, duke qenë edhe rrezik për të kaluar me karrige me rrota.

“Janë bërë rrugë të reja, po bëhen trotuare të rinj, por as vetë autobusët po marrim si fillim transporti publik gjë që ne e kemi akses për të lëvizur është i pa përshtatshëm dhe në këtë rast nuk mund të fajësojmë as tjetrin se pse nuk ndalove aty ku dua unë dhe ku e kam të nevojshme unë, sepse stacionet nuk janë përshtatur”– tregon Dovleti.

Ndërsa vështirësia haset edhe brenda urbanit.

Më ndihmon fatorino, por që të lëviz vetë….. po unë bërtas kur futem. Madje kur janë vajza të reja, çuna të rinj them duhet të keni pak respekt për veten tuaj pastaj për mua. Se vendin tim zënë ato, jo vendin e vet. Shpesh herë ndodh kjo, që nuk kanë fare respekt”,-rrëfen Silvana.

Për të marrë një shërbim në bankë apo në bankomat duhet patjetër të jenë të shoqëruar, pasi bankomatët janë mjaftueshëm të lartë për të mos u arrirë.

“Te pjesa e bankave që pak a shumë sot po dixhitalizohen dhe të gjithë sot po përdorin një atm, mos flasim për Kamzën, por në të gjithë Tiranën ne nuk i aksesojmë dot fare dhe këtu bëjmë edhe gabimin e madh që do të kërkojmë ndihmën e dikujt tjetër që në shumë raste janë bërë edhe mënyra abuzimi sepse nuk i kanë kushtet”-u shpreh Dovleti. 

Aksesi në shërbim e veprimtari ju mohohet edhe për aktivitete kulturore dhe sportive.

“Shtëpitë kulturore, biblioteka, pallati i kulturës, salla e kinemasë dhe salla e teatrove nuk i kanë fare, plus që është në kat të dytë dhe s´ka as ashensor, asgjë, dhe unë me sportivitet u them personave të tjerë që sa peshë mbani, kështu që më ngjisni sipër. Nuk kanë as rampë as ashensor, absolutisht asgjë”.

E aksesueshme mbetet rampa pranë qendrës shëndetësore, ajo pranë zyrave të ADISA-s dhe ajo e ndërtuar së fundmi pranë zyrave të shërbimit të qytetarëve së bashkisë Kamëz.

Megjithëse, në zyrën e shërbimit të qytetarit pranë bashkisë Kamëz, lëvizshmëria dhe përdorim i rampës kufizohet shpesh nga parkimi i makinave përbri rampës. 

Retorikë ligjore, por jo zbatim i ligjeve

Me ratifikimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara Shqipëria është krah mbrojtjes së të drejtave dhe sigurimit të gjithëpërfshirjes të personave me aftësi të kufizuar. Si rrjedhojë, ajo ka hartuar dhe miratuar një sërë ligjesh, të cilat mundësojnë aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar. 

Ligji Nr. 93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar”, është një ndër ligjet që ka si qëllim të nxisë dhe mbrojë të drejtat e personave me aftësi të kufizuar duke u mundësuar pjesëmarrje në shoqëri, por edhe duke ngarkuar me përgjegjësi të gjitha institucionet shtetërore të mundësojnë gjithëpërfshirjen e tyre duke hequr barrierat infrastrukturore e sociale.

Në mbështetje të ligjit të mësipërm, u mor një tjetër vendim i Këshillit të Ministrave, Nr. 1074, më datë 23.12.2015 “Pёr përcaktimin e masave pёr mënjanimin e pengesave nё komunikim dhe infrastrukturë në ofrimin e shërbimeve publike për personat me aftësi tё kufizuar”. Ky vendim përcakton masat që duhen ndërmarrë me qëllim mënjanimin e pengesave mjedisore dhe infrastrukturore për të bërë të mundur aksesin në strehim, transport, shëndetësi, kujdes social, arsimim, punësim dhe shërbime për personat me aftësi të kufizuara.

Ligji Nr. 107/2014 “Për planifikimi dhe zhvillimin e territorit”, përcakton krahas të tjerave respektimin e aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuar në çdo ndërtimpër banesa, hapësira dhe shërbime për publikun, përfshirë parqet, sheshet dhe rrugët.

Vendimi Nr.1503, datë 19.11.2008 “Për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuar”, ka për qëllim të eliminojë barrierat në hapësirat e jashtme të ndërtesave.

Ligji nr. 10221, datë 04.02.2010, “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, në nenin 7 të tij përcakton eliminimin e diskriminimit nga sektorët publikë dhe privatë për shkak të aftësisë së kufizuar.

Sipas Suela Lala, drejtuese e fondacionit “Së bashku” që advokon për sigurimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar, megjithëse janë një sërë ligjesh që mundësojnë mënjanimin e pengesave për personat me aftësi të kufizuar, sërish zbatimi i tyre është i vështirë. 

“Duke qene se jemi në vitin 2023 dhe bota ka lëvizur shumë më herët në këtë drejtim, jemi shumë të zhgënjyer aq më tepër që ligjet i kemi dhe nuk po zbatohen. Për shembull VKM-ja numër 23/12/2015 thotë që brenda 6 muajsh të kalimit të kësaj VKM-je të gjitha autoritetet vendore, të gjitha bashkitë duhet të kishin një plan masash ku të listonin mjediset në varësi të tyre, të cilat nuk janë të aksesueshme dhe të buxhetonin dhe planifikonin ndërhyrjet për t’i bërë ato të tilla brenda një afati të caktuar kohor”,- argumenton Suela Lala.

Sipas saj “kjo nuk ka ndodhur pasi në bashki nuk ka një plan masash të tillë kështu që dukshëm zbatimi i ligjit është problematik”. 

Sipas bashkisë Kamëz “personat me aftësi ndryshe marrin pjesë në mbledhjet e këshillit bashkiak, në dëgjesat publike dhe në takimet mujore që bën Drejtoria e Ndihmës Ekonomike dhe Çështjeve Sociale ku paraqesin të gjithë kërkesat e nevojshme, gjë e cila ka berë që të dëgjohet zëri i tyre dhe të ketë përmirësime të aksesimit të tyre në ambientet publike”. 

Përfaqësues të komunitetit të personave me aftësi të kufizuar në Kamëz pohojnë se janë të përfshirë në dëgjesat publike për infrastrukturën publike, mirëpo mendimet e tyre nuk reflektohen në zbatimin e projekteve. 

Suela Lala shpjegon se sipas vkm-së 23.12.2015 asnjë investim publik nuk mund të kryhet me para publike pa përfshirë elementët e aksesueshmërisë. 

“Unë mendoj se ata që fitojnë tenderat dhe marrin projektet praktikisht nuk njohin specifikime teknike për garantimin e aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuar. Dhe e dyta sepse kur bëhet kolaudimi dhe marrja në dorëzim nga ana e bashkisë ata nuk e verifikojnë këtë element edhe pse në fakt ligji për planifikimin e territorit thotë që asnjë objekt publik nuk mund të merret, pra nuk mund të jepet certifikata e përdorimit nëse nuk ka realizuar elementet e aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuar”, -sqaron ndër të tjera Lala. 

Megjithatë, Lala nuk e sheh të pamundur bashkëpunimin me pushtetin vendor për të tilla raste. 

“Ne në fakt i jemi drejtuar në bashkinë Kamëz Komisionerit për Mbrojtje nga Diskriminimi për shumë çështje dhe deri më tani kemi pasur një feedback shumë pozitiv në kuptimin që disa ankesa i kemi tërhequr duke qenë se bashkia është treguar menjëherë vepruese dhe ka rregulluar situatën kështu që do doja që ky vullnet i mirë të përkthehej në më shumë përgjegjësi për të respektuar ligjin dhe për t’i garantuar qyteteve mjedis të përdorshëm nga të gjithë qytetaret, duke përfshirë personat me aftësi të kufizuara. “

 

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:1 Comment

This Post Has One Comment

Lini një përgjigje