“Uji në lumë! Tubat në djall!- sërisht protestë kundër hec-eve në Zall-Gjoçaj

nyje.al | 16.01.2022

Lumin Flim e kthyen në rrjedhën e tij për pak çaste vetë banorët e Zall – Gjoçaj. Bashkë me aktivistë që udhëtuan nga vende të tjera për në Parkun Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”, ata i bënë thirrje Entit Rregullator të Energjisë të zbatojë vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit. Javë më parë kjo Gjykatë i hoqi liçensën e prodhimit të energjise HEC-it Zais.

Banorët dhe aktivistët rikthejnë rjendhën e lumit Flim në shtratin e tij, Janar 2022, Zall-Gjoçaj, Ronald Qema
 Banorët dhe aktivistët rikthejnë rrjedhën e lumit Flim në shtratin e tij, Janar 2022, Zall-Gjoçaj, Ronald Qema

“Ne sot këtu kemi ardhur, në mes të dimrit, për të protestuar dhe për ti lajmëruar, për t’iu thënë: Larg duart e pista nga ujërat dhe nga jeta e këtyre njerëzve fantastikë, bujarë, të ndershëm dhe patriotë. Në vend së shteti dhe qeveria ti ndihmojë këta njerëz të vazhdojnë jetën në këto treva, u kanë ndërprerë dhe pikën e ujit. Gjykata ka vendosur me datën 10 nëntor që ky HEC është i paligjshëm dhe nuk mund ti përdori ujërat e Parkut Kombëtar, ujërat e këtyre banorëve që i kanë përdor në shekuj për të prodhuar energji.”

Dhimitër Koleci –  Aktivist

HIQNI HEC-in, JO PARKUN

Pos zbatimit të vendimit nga ERE, kërkesa e dytë e protestës së zhvilluar ditën e djeshme në Zall – Gjoçaj ishte mosndryshimi i hartës dhe zonimit të hapësirës së Parkut Kombëtar Lurë – Mali i Dejës. Në projektvendimin e ri për rishikimin dhe ndryshimin e kufijve të Zonave të Mbrojtura, i kontestuar nga shumë komunitete dhe shoqëria civile, pjesa e betonizuar nga hidrocentrali Zall – Gjoçaj, nxirret jashtë Parkut, pa asnjë vlerësim dhe argumentim paraprak ligjor dhe shkencor.

Hartat e Zonimit të mbivendosura, Janar 2022, Ronald Qema

Në vazhdimësi të vendimit të Gjykatës Administrative në favor të banorëve, aktivistët i kërkojnë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të heqin dorë nga ky propozim që do i jepte një goditje të dytë zonës pas betonizimit të saj.

“Ne e bamë aktin tonë simbolik sot, po ta dijë firma konçensionare Seka Hydropower, ta dijë kryetari i bashkisë, ta dijë Kumbaroja e Ministrisë së Mjedisit e cila po tenton me mbledhë mbeturina, që mbeturina e parë që duhet me u heq është ky HECi këtu.”

Diana Malaj – Aktiviste

BAGËTI E BUJQËSI, PA UJË

Ashtu siç e kishin paralajmëruar dhe banorët e fshatrave anash lumit Flim, shtrati i tij i tharë do ua bënte jetën të pamundur. Ky dimër është më i egri për ta, ku mungesës së ujit të pijshëm u rëndon edhe bagëtia me të cilën rrojnë. Pranvera dhe vera e ardhshme do jetë e njëjtë nëse “hajdutë të ujit” – siç shprehen banorët për firmën koncensionare dhe shtetin –  nuk do heqin dorë nga babëzia për të futur ujin në tunelin kilometrik dhe nga loja “e lëshoj ujin – se lëshoj ujin” sa herë aktivistë, banorë nga zona të tjera dhe media shkojnë në Zall – Gjoçaj. Njëjtë kish’ ndodhur edhe natën mes 14 dhe 15 janarit, që me të marrë vesh, firma ka hapur portat e ka lëshuar aq ujë sa për të lagur tre a katër kilometra shtrat të lumit, a në mos më pak. Këtë na e tregon Ismet Koleci, banor i fshatit Melth, i cili gjithashtu shprehet:

“Unë i bëj thirrje dhe i ftoj Bashkinë e Burrelit, policinë, firmën të vijë e të më tregojë mu se ku e kam ujin me pi, aktualisht unë dhe 300 kokë dhi, bagëti që kam në Melth. Kam lind, jam rrit dhe jetoj në Melth. I kam rrit kalamajtë, i kam shkollu dhe tani çdo gjë mu ndërpre.”

                Janar 2022, Zall-Gjoçaj, Diana Malaj

LOJA E INSTITUCIONEVE

Redaksia e gazetës tonë i ka nisur një kërkesë për informim ERE-s që në dhjetor 2021 ku i shtroheshin dy pyetje: “A jeni njoftuar për vendimin nga Gjykata Administrative e Apelit?” (Vendimin e heqjes së liçensës) dhe “Cilat janë reagimet dhe procedurat e ndjekura nga Enti Rregullator i Energjisë lidhur me këtë vendim të marrë për shfuqizimin e Licencës së Prodhimit të Energjisë për HECin Zais?”

Përgjigjja e marrë nga Enti Rregullator i Energjisë, përmes një e-maili thotë:

“Lidhur me sa kërkuar nga ana e Redaksisë Tuaj, përmes e-mailit të datës 22.12.2021, ju bëjmë me dije se, Enti Rregullator i Energjisë (ERE) është njohur me vendimin e zbardhur nr. 559 (86-2021-671), datë 10.11.2021 të Gjykatës Administrative të Apelit.

Për sa kërkuar nga ana Juaj, ju vëmë në dijeni se ERE do të ndjekë të gjithë procedurat ligjore të nevojshme me qëllim mbrojtjen ligjore të vendimmarrjes së bordit të ERE në të gjithë shkallët e gjyqësorit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Me respekt,

Deni Rushaj Drejtor – DJZM

Drejtoria Juridike & Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve”

Kjo përgjigje që përngjason edhe me qasjen e deklaratave të Ministres Kumbaro për rishikimin e kufijve të Zonave të Mbrojtura njofton se instituticioni i ERE-s, nuk do të ndryshojë vendimmarrjen e tij për moslicensimin e firmës private “Seka Hydropower” por përkundrazi do të vazhdojë më tutje në shkallë më të larta gjyqësore.

Krahas aktit simbolik të devijimit të rrjedhës së ujit nga diga për në shtratin e vet të lumit, banorët e Zall-Gjoçaj nënshkruajtën kërkesën e radhës drejtuar Kontrollit të Lartë të Shtetit për ushtrimin e auditimit lidhur me shkallën e ndjekjes nga autoritetet publike të përfshira, të kuadrit juridik përkatës lidhur me projektin e HEC-eve Zais dhe Sekë, brenda Parkut Kombëtar “Lurë Mali i Dejës”. Banorët, si gjithmonë, janë shprehur se nuk do të ndalin përpjekjet e tyre për të vazhduar betejën ligjore kundër ndërtimit të hec-eve në zonë, deri në rikthimin e ujit të lumit në shtratin dhe në rrjedhën e tij të lirë. 

Ndajeni këtë shkrim

  • Post comments:4 Komente

Ky postim ka dy komente

Lini një Përgjigje