Një kampion

Mariana Syla | 20.02.2020 | nyje.al

Kufizimi, një fjalë që ekziston në atë pjesë të mendjes e mbushur me frikë, turp a paragjykim. Duhet kohë  ta mposhtësh dhe kur ia del, ndihesh  i lirë… Ky mendim më vjen kur takoj Dovletin, një djalë që nuk e harron dot kollaj. 33-vjeçari është lindur në  qytetin e Gramshit, vendi që e ka shenjuar jetën e tij. Shtatmesëm dhe energjik, ai e orienton lehtësisht trupin e tij në karrocën me rrota.
Gazmor, i komunikueshëm, ironik hera-herës. Biseda me të e tejkalon skemën e parashikuar të pyetjeve dhe bëhet befasuese. Ai flet për jetën e tij, mbushur me të papritura të vështira. Rrëfimi i tij është i përmbajtur e pa dramaticitet, çka më lë të kuptoj që Dovleti ka gjetur forcën dhe kurajën për t’ia dalë mbanë.
Në moshën 11-vjeçare, ndërsa luante në mal me miqtë, një shkëmb shkëputet dhe i shtyp këmbët. “U bllokova në çast. Nuk dija më ku isha. Gjëja e parë që më erdhi në mend ishin shokët e shoqet, fakti që nuk do të shkoj më në bankat e shkollës e as të bëja plane për vitet që do vinin. Ndihesha sikur kisha rënë në një pus, ku nuk kishte dritë dhe realisht disa vite ashtu kanë qenë për mua, pa dritë, pa vizion derisa thashë “Stop!”. Kjo është jeta ime dhe do të bëj me të më të mirën e mundshme.”

       Dovlet Xhangolli

Dovleti e rifilloi jetën dy vjet pas aksidentit. Nisi të korrë e të mbjellë tokën përkrah familjes edhe pse ata nuk kishin nevojë për ndihmën e tij.
Shpërngulja me familjen në qytetin e Kamzës i dha Dovletit më shumë mundësi për të komunikuar me njerëzit dhe për të qenë më  aktiv. Ja, për shembull, ka tri vjet që merr pjesë në maratonën për njerëzit me aftësi të veçanta që zhvillon Bashkia e Tiranës. Në maratonën e fundit fitoi vendin e parë në sfidën e 4 kilometrave ku merrnin pjesë 12 konkurrentë.
Dovleti shpreh keqardhjen që aktivitetet sociale për kategorinë e individëve si ai, gati nuk ekzistojnë. Mund të tingëllojnë si “kërkesa luksi” përballë nevojave për trajtim të specializuar apo të drejtave të tjera themelore që jo vetëm nuk përmbushen nga institucionet, por shkelen dhe keqtrajtohen vazhdimisht prej tyre.
Është përballur me shkelje flagrante dhe sjellje denigruese nga ana e institucioneve vendore kur ia kanë bllokuar pensionin për disa muaj. Toni i Dovletit në këto raste bëhet kritik jo vetëm ndaj pushtetit, por edhe ndaj organizatave a shoqatave përgjegjëse.
Rasti më i hidhur që kujton është ai me ish-kryetarin e Bashkisë së Kamzës, gjatë një proteste paqësore nga njerëzit me aftësi të veçanta (protestë kundër bllokimit të pensioneve). Pas kërkesave të njëpasnjëshme për të takuar ish-kryetarin dhe refuzimeve që kishte marrë, Dovleti pozicionohet paqësisht në derën e daljes së bashkisë si mënyra e vetme për ta takuar ish-kryetarin, i cili e shtyn me makinë derisa e nxjerr në rrugë. Ndaj këtij veprimi drejtësia nuk ka reaguar edhe pse ai është paraqitur me video e prova në gjykatë.
Dovleti dhe miqtë e tij dalin çdo ditë të pashoqëruar. Ai është në gjendje edhe të të japë një dorë në rast se ke probleme me pajiset elektroteknike. “Sa herë më ka ndihmuar kur më është prishur karroca! Po të mos ishte ai, do kisha mbetur në rrugë.”, shprehet mikja e tij Silva.
Për shkak se e ndjen  në lëkurë, përditshmërinë e një tjetër lloji që ai jeton tanimë, ka vendosur të angazhohet më shumë për të drejtat e grupit të cilit i përket dhe për ofrimin e disa shërbimeve ndaj personave në të njëjtat kushte me të tijat.

 

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje