Feminizmi sipas Desarës

Aurora Leka | 15.06.2018 | nyje.al
Desara Gashi, 17 vjeç, është një nxënëse me rezultate shumë të mira në gjimnazin “Ibrahim Rugova” në Kamëz. Ajo është vajza e madhe e një familje të vogël. Vëllai i saj është 13 vjeç. Nëna punon mësuese, ndërsa babai ka bërë aq shumë punë të ndryshme sa nuk ka mundur të mbajë vetëm një zanat në jetë. Familja e Desarës ka ardhur nga Kukësi për të jetuar në Kamëz. Desara dhe i vëllai kanë lindur këtu.

Feminizmi sipas Desares
Desara Gashi në një nga këndet e bibliotekës Ata. Shkrepur nga Aurora Leka.

Një pjesë të mirë të kohës ajo e kalon në shkollë, në një shkollë tek e cila nuk ndjehet aspak rehat, duke i krijuar bindjen se ajo është në kohën dhe në vendin e gabuar. Ajo nuk e di me siguri se kush e ka fajin për këtë, por beson se për këtë faji nuk është as i mësuesve e as i nxënësve. Desara i do mësuesit, të gjithë, sepse secili prej tyre ka një karakter dhe mënyrë të veçantë të shpjeguari. Por është mjedisi që nuk e ndjen aspak miqësor. Shkolla nuk ka vende ku ajo të ushtrojë dy pasionet e saj: të lexuarit dhe të shkruarit. Aty i kushtohet më shumë rëndësi didaktikës formale, ndërsa për të talenti është shumë i rëndësishëm e për këtë pak investohet në shkolla.

Sytë e Desarës janë ngjyrëdeti kur është i trazuar. I rrinë gjithmonë ashtu..edhe kur është e ngopur me gjumë. Flokët me onde i ka mbledhur me një llastik në fund të kokës. Trupi i saj është sportiv. Dikur është marrë me boks, xhudo e palestër. Sporte burrash me pak fjalë. Ah, burrash!

Qëkur ishte e vogël, ajo dëgjonte ndër të afërmit e saj se çdo familje duhej të kishte një djalë. Ky rregull zakonesh i ndizte në kokë pyetjen “ç’kishte një djalë më shumë se një vajzë?”. Ndërsa më vonë i thonë që nuk duhet të merret më sporte burrash.
Tani ajo mendon se gratë janë të shtypura duke filluar që nga familja, në punë, në shoqeri, dhe se në qytetin e saj ka mjaft raste ku atyre nuk u lejohet të arsimohen, e nuk u sigurohen të drejta të barabarta me meshkujt.

Desara e quan veten feministe. Në fillim ajo kishte menduar se feminizëm quhet komuniteti i femrave, pastaj më vonë kuptoi se kështu quheshin të gjitha ato që mbronin të drejtat e grave dhe vajzave. Dhe ajo ka dashur gjithmonë ta bëjë këtë.
Ajo mendon se puna duhet të fillojë që në familje. Nëse ne degjojmë që anëtarë të familjes përkrahin vetëm djalin atëherë ne duhet të flasim.

“Nuk jam për t’u konfliktuar, por duhet t’u tregojmë prindërve atëherë kur e kanë gabim. Fëmijët janë të barabartë, dhe nuk ka të drejta vetëm për njërin, siç nuk ka detyra vetëm për njërin. Po t’u jepet mundësia të zhvillohen të dy njëlloj, ata do të zhvillohen secili në drejtimet e tyre, por këtu nuk ka asgjë për t’u vlerësuar njëri më shumë se tjetri.” Moshataret e Desarës dhe shumë vajza të tjera shpesh përballen me këtë realitet diskriminues që nis që në familje.

Mësuesja e saj, Jolanda Bibaj, që në njëfarë mënyre është edhe udhëheqësja e saj, e njeh vazhdimisht me autorë dhe vepra. Ajo ia ka shpjeguar feminizmin nëpërmjet librave të ndryshëm që i trajtojnë në shkollë… si për shembull “Zonja Bovari” e Gustav Floberit.
Desara organizon aktivitete të vogla në shkollë me shoqet e saj në lidhje me feminizmin dhe të drejtat e vajzave, ngre zërin sa herë sheh padrejtësi, ose thjesht ndan libra me të tjerët. Të fundit ishin “Një dhomë më vete” dhe “Ditë e natë” të Virginia Woolf.

Në kohën e lirë Desara shkruan. E ëma e ka nxitur gjithmonë ta shprehë imagjinatën në letër. Që e vogël ajo ka konkurruar nëpër konkurse të ndyshme letrare duke i provuar të gjitha zhanret. Më rehat ndihet te proza. Poezia nuk bën për të.

Të shkruarit i jep kënaqësi, e ndjen të domosdoshëm,si të marrësh frymë.
“Po të mos më lejonin të shkruaja e të lexoja ashtu siç nuk e lejonin Malalën, aktivisten nobeliste nga Pakistani, vërtet do të vdisja”,thotë Desara. Të shkruarit është jetë.
Asaj i pëlqejnë romanet historikë e misteriozë. Ndaj ka vendosur që edhe vetë të shkruajë në këtë zhanër. Shpreson që një ditë do t’i botojë shkrimet e saj ku personazhet femra janë gjithmone gra të forta siç aspiron të jetë edhe ajo në jetë.

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje