Një teatër brenda shkollës

Nxënësit e shkollës së mesme "Isa Boletini" përgjatë provave në teatrin e shkollës
Nxënësit e shkollës së mesme “Isa Boletini” përgjatë provave në teatrin e shkollës

 Diana Malaj | 26.11.2018 | nyje.al |
Shkolla e mesme “Isa Boletini” ndodhet në zonën e Paskuqanit, njësi administrative e rëndësishme e Bashkisë Kamëz që prej vitit 2015 si pasojë e reformës territoriale. Kjo shkollë është ndërtuar në vitin 2014 dhe brenda saj mësojnë rreth 500 nxënës. Në katin e tretë të kësaj godine gjendet një sallë e madhe – dikur e pashfrytëzuar, ndërsa sot e kthyer mrekullisht në sallë teatri nga nxënësit dhe mësuesit e këtij gjimnazi. Zonja Elida Sokoli, mësuese e letërsisë shprehet se i është dedikuar me shumë këmbëngulje dhe dashuri qysh kur kanë ndërmarrë këtë nismë. “Para 4 vitesh salla ishte bosh dhe ne vendosëm të krijonim brenda saj një teatër. Çdo gjë është bërë nga nxënësit, pikturat murale, perdet, dhe skena prej dërrase.” Pa mbështetjen e institucioneve vendore dhe atyre qëndrore, kjo shkollë ka arritur të ndërtojë atë që s’e ka mundësuar ende as bashkia dhe as Ministria e Kulturës – një teatër për një zonë periferike nëpërmjet së cilës gjallërohet jeta kulturore e të rinjve të Paskuqanit.
“Teatrin e duam shumë! E duke ditur që të rinjtë e Paskuqanit mund ta kenë të vështirë për të ndjekur shfaqjet teatrale në Tiranë vendosëm t’i përkushtoheshim këtij projekti. Përgjatë këtyre viteve jemi përpjekur që secili prej nxënësve të provojë emocionet e skenës, si dhe të ndjejë kënaqësinë e të shijuarit të një shfaqjeje si publik ndërkohë që shohin interpretimet e shokëve dhe shoqeve të tyre. Shfaqjet kanë qënë pothuajse të përmuajshme me pjesë klasike dhe bashkëkohore dhe janë ndjekur me shumë entuziazëm. Salla na është mbushur plot. Kemi pasur raste që na kanë ardhur aktorë të njohur e të dashur të skenës shqiptare. Ndër to do të veçoja aktorën e mirënjohur Margarita Xhepa”, shprehet mësuesja e letërsisë.
Salla e teatrit “Isa Boletini” është përdorur vazhdimisht edhe për zhvillimin e orëve të historisë së arteve, për të gjithë brezat që kanë kaluar deri tani. Ndaj nga përdorimi i shpeshtë për arsye mësimore dhe argëtimi, si dhe për shkak të mungesës së fondeve për mirëmbajtje, me kalimin e kohës, ky teatër është amortizuar. Platforma prej druri që shërbente si skenë është rrënuar pothuajse plotësisht dhe objektet e tjera që shërbenin për të krijuar skenografinë janë dëmtuar. Burimet tona na bëjnë me dije se bordi i shkollës nuk mundet të investojë për ta rregulluar teatrin pasi fondi që mblidhet prej tyre shkon për nevoja më emergjente në shkollë, e nga ana tjetër prindërit e nxënësve nuk i kanë mundësitë për të kontribuar financiarisht. Nuk kanë gjetur mbështetje nga institucionet vendore dhe ato qëndrore për të bërë ndërhyrjet e nevojshme, pavarësisht kërkesave ndaj bashkisë dhe Zyrës Arsimore në Kamëz. Teatri i shkollës në gjendjen e tanishme
Sipas një preventivi paraprak shpenzimet e parashikuara për rikonstruktimin dhe rimodelimin e teatrit nuk shkojnë më shumë se 200.000 lekë. “Ndërhyrjet janë minimale. Na duhet të rindërtojmë skenën prej druri, të lyejmë muret dhe të vendosim karrige të palëvizshme, pasi në shfaqjet e tjera i merrnim karriget e klasave që përdoren gjatë mësimit”, na thotë mësuesja e letërsisë.
Qeveria e nxënësve dhe mësuesit ndjejnë nevojën për të ndërgjegjësuar institucionet që janë përgjegjëse për çështjet e arsimit dhe nëse nuk do të marrin kurrfarë përgjigje ata janë të vendosur për të vazhduar me insistim përpjekjen e tyre. “Na duhet të gjejmë një zgjidhje të menjëhershme pa u vonuar, në mënyrë që të mos dëmtohet më shumë. Viti i ri shkollor sapo ka filluar, nevoja për të zhvilluar orët e mësimit në kushte të përshtatshme dhe për të vënë në skenë shfaqje teatrale sa vjen dhe rritet. Duke qenë se nuk kemi mbështetje nga Ministria e Arsimit dhe Drejtoria e Arsimit në bashki, na ka mbetur të ndërmarrim aksione në qytet dhe të kërkojmë ndihma sado të vogla qofshin ato, duke i ftuar bizneset dhe banorët e zonës që të kontribuojnë. Pavarësisht frikës që s’do ia dalim, duam ta provojmë në të gjitha mënyrat” shprehen nxënësit e shkollës së mesme “Isa Boletini”.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje