“Edhe ëndrrat i shoh aty”, instalacioni artistik që solli rezistencën e Zall – Gjoçaj në Tiranë

07.04.2022 | nyje.al

Rezistenca frymëzuese katër vjeçare e Zall-Gjoçaj është rrëfyer vizualisht përgjatë javës që lamë pas në ambientet e Europe House, në Tiranë. Instalacioni artistik “Edhe ëndrrat i shoh aty!” përgjatë këtyre ditëve ka pasur vëmendjen e grupeve e individëve të ndryshëm që jetojnë në kryeqytet e që janë njohur gjerësisht me kauzën e mbrojtjes së lumit Flim nga ndërtimi i HEC-it “Zais”. Duke përdorur elementë aktualë të lëvizjes, të paraqitur në forma të ndryshme artistike, ky instalacion sjell me zë e me figurë të gjithë betejën e banorëve të Zall – Gjoçaj dhe aktivstëve për të mbrojtur Parkun Kombëtar Lurë – Mali i Dejës. 

Janë përdorur të njëjtit elementë që janë përdorur përgjatë këtyre katër vite, janë përdorur slogane që janë krijuar nga vetë banorët dhe aktivistet, por që janë përkthyer në slogane që vijnë nëpër mure LED-i. Pastaj është zëri që është marrë nga lumi, gurët që janë marë nga zona, bashkë me tubat të cilët të evokojnë menjëherë shndërrimin e parkut atje. 

Ka gjithashtu imazhe, fotografi që dokumentojnë të gjithë procesin. Dokumentojnë qoftë natyrën, potencialin turistik që ka Parku, gjithë trajektoren e ndërtimit të HEC-it të shoqëruar me protesta dhe me lëvizje gjatë gjithë kohës, dokumentojnë mbledhjet e njerëzve në protesta e aksione. Sloganet në LED-et i shohim të shkruajtura me shkrim dore nëpër pankarta. Dokumentojnë gjithë ecurinë ligjore që ka bërë lëvizja, dokumentojnë fytyrat e individët që janë mbrapa kësaj lëvizje, qoftë banorët apo qoftë aktivistët apo mbështetës që kanë ndjekur protesta. 

Kështu që është më shumë një përmbledhje dokumentuese e të gjithë procesit, nuk ka elementë të rinj, por ka elementë që janë zhvilluar gjatë gjithë kohës, të mbledhur të gjithë bashkë.

Donika Çina – Artiste/Kuratore e Ekspozitës

Ky instalacion artistik erdhi në ambientet e Europe House jo pa qëllim. Ka disa arsye dhe disa synime se pse ishte zgjedhur ky lokacion nga aktivistët e kauzës.

Si në të gjitha çështjet, edhe ato mjedisore, zëri i banorëve që janë larg qendrës së Tiranës mbetet i pa dëgjuar. E kjo sjell vendimmarrje të tilla që çojnë edhe në shkatërrimin e një Parku Kombëtar, me firma të drejtuesve të institucioneve dhe ministrash, të qendrës. Me këtë ndërhyrje artistike kemi dashur që të vijmë edhe një herë në qendër, për t’iu rrëfyer të gjithë frekuentuesëve të këtij ambienti rezistencën tonë katër vjeçare dhe përpjekjen që vazhdon për të mbrojtur Parkun Kombëtar Lurë – Mali i Dejës, për të mbrojtur lumin Flim e dhjetra fshatrat nëpër të cilët kalon.” 

Aurora Leka – Aktiviste 

“Ka shumë rëndësi vendi ku jemi. Synimi jonë me prezencën tonë këtu është pikërisht të ndërgjegjësojmë në atë grup njerëzish që frekuentojnë Europe House. Për të thënë që jemi pjesë e Europës, që jemi pro atyre vlerave që kërkohen nga Bashkimi Europian.

Për të qenë prezent edhe kur thirren njerëz të tjerë për arsye të tjera, qoftë nga institucionet, qoftë nga shoqëria civile, që bëhen kalimtarë dhe vëzhgues aktiv të këtij instalacioni apo kësaj kauze. 

Estetika e ekspozitës është bërë që t’i përshtatet ambientit, por në të njëjtën kohë duke ruajtur elementët autentikë.”

Donika Çina – Artiste/Kuratore e Ekspozitës

Kjo përmbledhje artistike por edhe dokumentuese i ka shërbyer edhe vetë aktivistëve për t’u rikujtuar mbi të gjithë punën e bërë dhe për t’u rimbushur me energji për betejën që vazhdon. 

“Ekspozita pasqyron atë çfarë kemi bërë ne, në fotografi pashë momente që as nuk më kujtoheshin, është dokumentuese dhe të jep një farë kënaqësie kur e sheh gjithë këtë përpjekje që kemi bërë e po bëjmë, pavarësisht se ende nuk na është dhënë e drejta. Nga ky event kemi marrë dhe kurajo, duke parë të gjithë njerëzit që vijnë dhe dalin të frymëzuar nga gjithë kjo rezistencë e jona.” 

Alta Koleci – Aktiviste e “Mbro Zall – Gjoçaj”

Frymëzim për qytetarët dhe aktivistët 

“Nga puna e aktivistëve që kam parë e  kam ndjekur nga Zall – Gjoçaj, e gjithashtu nga fotot që po shoh tek ekspozita, nga dokumentari po edhe nga instalacioni me zërat e banorëve që flasin e tregojnë problemet, personalisht më frymëzon, sepse është një ndërmarrje e pashembullt rezistence që ka vazhduar e vazhdon për vite me rradhë. Ka nisur në terren, pastaj nëpër gjykata, janë ndjekur të gjitha procedurat me institucionet, protesta të vazhdueshme dhe nuk është se më vjen ndërmend ndonjë rast tjetër në Shqipëri ku është bërë një punë sistematike në një lëvizje të tillë. 

Pa banorët, nëse rezistenca nuk vjen nga komuniteti por imponohet nga jashtë, që mundohet të importohet në komunitet, nuk do të ketë suksese dhe nuk do të ketë jetëgjatësinë siç e ka pasur përshembull rezistenca e Zall – Gjoçaj. 

Nga banorët, Avdiu ka qënë frymëzim, me poezitë e veta e me zellin që gjithmonë ka nëpër protesta, pasionin që ia shoh në fytyrë. Që në momentin e parë që i kam dhënë dorën dhe e kam parë, më ka dhënë një energji të jashtëzakonshme.”

Arnold Kapinova – Arkeolog/Aktivist 

Arnoldin, po edhe shumë të tjerë kjo ndërhyrje artistike i afroi edhe më shumë me kauzën e mbrojtjes së Parkut Kombëtar Zall – Gjoçaj. Ndër grupimet e pranishme ishte edhe Qëndresa Qytetare të cilët, ndër të tjera angazhime, kanë krijuar grupimin e aktivistëve mjedisorë, si domosdoshmëri për të kuptuar dhe vepruar ndaj dëmeve që po i shkaktohen dhe kanosen hapësirave tona.

Sot në ditën e fundit të ekspozimit të këtij instalacioni pati vizitorë të ndryshëm, të profesioneve të ndryshme ku njëra prej tyre ishte gazetarja Fiona Çela. Pas turit të zhviluar nga kuratorja ajo u shpreh: 

“Për mua është një gjetje ky instalacion, është i thjeshtë por ka të gjithë elementët që përfshijnë këtë çështje. Duke nisur që nga tubat, që nga gurët, që në fakt është e trishtë se si herën e fundit që ne shkuam, për shkak se uji është futur në tuba kishin mbetur vetëm gurë, nuk ishte më ajo rrjedha e lumit që kemi parë më parë por kishin mbetur vetëm gurët, që disa prej tyre janë sjellë këtu. 

Ndërkohë fotot të risjellin edhe një herë kujtimet e Lumit Flim kur ende rridhte në shtrat, sesi uji rridhte i kristaltë dhe i pastër në shtratin e tharë. Ky realitet është tragjik për ne që e kemi prekur, por bëhet edhe më tragjik për banorët vendas, që e kanë tashmë më të vështirë jetesën.”

Për krijimin e këtij instalacioni kontribuan dhe u bënë bashkë: Grupi ATA (aktivistë) duke ofruar material fotografik, material zanor, intervista dhe dokumenta të mbledhura gjatë shtrimit të lëvizjes Mbro Parkun Kombëtar Zall Gjoçaj në kohë. Lorin Terezi (regjisor) që rrëfen me filmin e tij “Zëra nga Lumi” bashkëpunimin e aktivistëve të Zall Gjoçaj dhe Grupit ATA në mbrojtjen e kauzës. Dhe Donika Çina (artiste vizuale) e cila së bashku me gjithë grupin organizoi dhe kuroi instalacionin.

Ndajeni këtë shkrim

  • Post comments:0 komente

Lini një Përgjigje