Amnesty International raport kundër marrëveshjes për emigrantët, nesër seanca e radhës në Gjykatë Kushtetuese

nyje.al | 23.01.2024

Lëvizja ndërkombëtare Amnesty International ka shpërndarë ditën e djeshme një komunikatë publike me të cilën ajo shprehet që marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për trajtimin e emigrantëve, i tejkalon kufijtë ligjorë dhe rrezikon të drejtat e njeriut. 

Amnesty International dënon politikën e vazhdueshme të Italisë të menaxhimit të proceseve migratore jashtë vendit ndonëse kjo praktikë e ka treguar përgjatë kohës jo-efektivitetin e vet. Kjo organizatë shprehet që Italia vazhdon të këmbëngulë me këtë politikë e cila që në rastin e parë – marrëveshja me Libinë në vitet 2000 për tërheqjen e emigrantëve të kapur në det dhe vendosjen e tyre në paraburgim –  është dëshmuar të jetë e paligjshme dhe me shkelje të rënda në të drejtat e emigrantëve, që nga shfrytëzimi e përdhunimet deri në humbjen e jetës. Italia, shteti pioner i kësaj politike, pas marrëveshjes me Tunizinë në muajt e parë të vitit të kaluar ka hedhur hapat për hartimin e implementimin e një marrëveshjeje me Shqipërinë. Amnesty International mban qëndrim kundër kësaj marrëveshje. 

Konkluzioni i përgjithshëm i Amnesty International është që ndërkohë që marrëveshja ka shumë pak gjasa të arrijë pritshmëritë e deklaruara për sa i përket menaxhimit të migracionit, zbatimi i saj do të kishte një ndikim negativ në një sërë të drejtash të njeriut, duke përfshirë të drejtat për jetën dhe integritetin fizik të njerëzve që kalojnë me vështirësi detin, dhe të drejtat për lirinë, për azilin dhe për zgjidhjen e duhur të personave që transferohen në Shqipëri.

Amnesty International thekson se as nëpërmjet marrëveshjes e as përmes deklaratave, autoritetet italiane nuk garantojnë në terma praktikë zbatimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen nga diskriminimi i emigrantëve. Kësisoj, përpos këtij rasti, kjo marrëveshje është e rrezikshme pasi mund të jetë precedent për protokolle të ardhshme. 

Gjykata Kushtetuese mban seancë nesër

Në raportin e Amnesty International përmendet vendimi i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në vitet 2000, që ndaloi Italinë të shtynte emigrantët drejt Libisë përmes policisë kufitare. Një prej kërkesave të grupit të deputetëve që kanë dërguar padi në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë për ndalimin e ratifikimit të marrëveshjes mes qeverive italiane dhe shqiptare është edhe marrja e një opinioni këshillimor Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, në Strasburg. 

Në seancën e kaluar, të mbajtur më 18 janar, Gjykata vendosi të rezervohet për t’u shprehur në përfundim të shqyrtimit gjyqësor lidhur me këtë kërkesë. Në njoftimin e publikuar, Gjykata Kushtetuese dëshmohet të ketë marrë në shqyrtim pretendimet e palëve, përpos ato të institucionit të Presidentit të Shqipërisë pasiqë u konstatua mungesa e tyre. 

Seanca e radhës do të jetë nesër, pas marrjes kohë nga Gjykata Kushtetuese për shqyrtimin e Traktatit  të Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Italiane dhe Republikës së Shqipërisë i vitit 1995, i prezantuar si baza ligjore për hartimin e marrëveshjes. 

Protestë çdo seancë 

Aktivistë të angazhuar në fushatën publike kundër marrëveshjes “Rama-Meloni”, kanë organizuar dhe njoftuar mbajtjen e një tubimi në dyert e Gjykatës Kushtetuese nesër në ora 11:30, ashtu si edhe seancën e kaluar.

Sipas tyre, seanca e nesërme duhet të jetë e fundit dhe presin një vendim të drejtë nga Gjykata Kushtetuese. Organizatorët bëjnë thirrje për mbështetje qytetare në publikimet në rrjetet sociale.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje