Merr dy, paguaj një

Fejton | 08.10.2018 | nyje.al
– Unë i mbajta shënim emrat e qytetarëve. Do bëhen shumë pasnesër. S’e kuptoj pse kishte kaq shumë këtë herë.
– Problemi është se unë pasnesër jam për rrugë. Në orën dhjetë kam pre biletën…nga Rinasi në Bruksel.
– Po pasnesër është e premte. Kemi takime me popullin.
– Duhet të anullohet. Unë për popullin po ik atje. Do e përfaqësoj.
– Po pse po ikën iher?! S’kemi fol gjë këto ditë.
– E mban mend atë email-in te faqja zyrtare e jona për çmimin ndërkombëtar për lidership…nga ajo organizata e madhe me seli në Zvicër? Njëfarë ESQR, Shoqatë Europiane për hulumtim dhe cilësi.
– Po e mbaj mend. Që e hapëm bashkë me telefon te kafja. Ishte ai rasti që e anashkaluam.
– Po fiks ai, por kanë ridërguar prap sms.
– Ëëë… s’e di. Nuk kam hyrë akoma në email se ka një defekt telefoni. Kanë lujt fmijt me të.
– Ata kanë bërë disa sqarime aty. Nuk e di dhe nga e kishin gjet numrin tim por dje më morën dhe në telefon, më kërkuan të konfirmoja pjesëmarrjen.
– E ça ju the ti?
– Iu thash për po. Pse jo! Nuk është kollaj me të thirr’ europiant në takime. Nuk thirrin dokëdo. Dinë të zgjedhin. E nuk është se kanë simpati ndaj meje por kanë parë zhvillimet në qytet, prioritetet e mandatit të dytë, kanë bërë hulumtime dhe kanë vendosur.
– Janë rrena këto. I kemi provu njiherë.
– Po nuk bënte shtrenjt çmimi or burr’ i dheut. 3500 euro. Fàlë është. Atë të parin që morëm në Vjenë për Praktikat më të mira si Bashki, kam pagujt 7000 euro vetëm për kuotën e antarësimit. E pastaj rruga e qëndrimi tre net në hotel, se aq zgjaste konferenca, e paguajta me lekët e mia unë sepse nuk e mbulonin ata. Këto të fundit të paguanin dhe rrugën e qëndrimin se thanë meqë Shqipëria nuk është larg nga La Plaza, në Bruksel, do e bëjmë kaq lëshim.
– Haha ky qenka çmim për kryebashkiakë vendesh të vogla. Kushedi çfarë kryebashkiakësh tjerë do kesh te takimi. Me vende nga Ballkani, Zimbabve, Bratislava, nej Nepal, këto vendet e marume.
– Jo jo, se ka bashki të zhvilluara si ne edhe andej.
– Kur isha në Bruksel herën e fundit fola vetë me një kryebashkiak nga Sllovenia për një çmim Diamant. E lëshonte një organizatë e fuqishme londineze. Se jena afër mandatit të katërt. Duhet një. Ta kemi. Por veçse ceremonia do mbahej në Madrid e duhet të kushtojë. S’e di si do ia bëjmë me buxhetin.
– S’e di ça te them. Unë një copë sekretari jam.
– Unë kam frikën se ia përmenda mandatin e katërt, e do më rrisin çmimin. Se do thonë ktij i duhet ky privilegj dhe nderim. Ka nevoje për të.
– Po të lujti në pazar leje ti. Se gjejmë nej tjetër më lirë. Ai kryetari i Bashkisë Gramsh, shok e koleg i joni, nqofse të kujtohet, të njëjtin propozim pati marrë por nuk shkoi.
– Rrezik i është dukur shtrenjt. Pastaj Gramshi bashki e vogël është. S’ke mundësi të bësh manovra me buxhetin. Ai çmim na duhet se s’bën. I bën mirë reputacionit të Kamzës.

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje