Veronika përpiqet të kalojë kufirin

Ronald Qema | 11.07.2022 | nyje.al
Të udhëtosh nga Prishtina në Zagreb të duhen më së paku 10 orë rrugëtim me autobus përgjatë natës. Unë nisesha duke pasur destinacion një qytet tjetër. Në këtë udhëtim tranzit u gjenda ngjitur me Veronikën. 

Kush është Veronika dhe pse po shkruaj për të?
I marim me radhë. Së pari, sepse i urrej kufijtë. Ndjej ankth e faj teksa rreshtohem bashkë me të tjerët përpara xhamit të kabinës së Policisë Doganore në pritje të një miratimi që të lejon të hedhësh hapin e radhës..

Së dyti, Veronika ishte “shoqja ime e ulëses”. Një zonjë diku rreth të 50-ave që lehtësisht mund të ishte tezja ime. Si të tillë e pashë gjatë gjithë kohës. E shkurtër, me flokë të kapur dhe me tipare të imta. Shumë besimtare, por haptazi nuk i pëlqente disa njerëz, sidomos ata për të cilët ajo mendonte se kishin pirë raki dhe prrallisin pafund. E kishte për zotërinë e ulur në sedilen pas meje, që i fliste pa reshtur bashkëshortit të saj, ulur në sediljen pas saj. Ai e kaloi cakun kur nisi të komentonte mbi mundësitë e çiftit për të kaluar kufirin kroat.

Bregdeti kroat është një ndër më të preferuarit për turistët e rajonit dhe jo vetëm përgjatë sezonit të veror. Qytetet e heshtura e të vetmuara në dimër, shndërrohen në pritëset e miliona turistësh. Veronika dhe bashkëshorti i saj po shkonin në qytetin e Shibenikut (Šibenik) për të punuar. Ata kishin gjetur një punë me të ardhura 700 euro në muaj. Punëmarrësi u kishte premtuar edhe fjetjen. Veronika nuk më tregoi se çfarë pune do të bënin, por mendja ma merr që do të kishin një punë sezonale në kuzhinë.

Ata u bashkuan me ne në autobusin e Prishtinës. Rruga deri në Podujevë pati debate që vinin nga të gjitha anët. I pari ishte shoferi i dytë që sapo kishte nisur mbledhjen e parave ndërkohë. Biseda ishte mbi kufijtë, vizat, refugjatët. Ai u drejtua edhe Veronikës me bashkëshortin duke i paralajmëruar që kalimi pa vizë ishte i pamundur dhe nuk mjaftonte dokumenti që ata bartnin. Bashkëshorti i Veronikës mbante të palosur një dokument të lëshuar nga një prej institucioneve kroate që vërtetonte vullnetin e punëmarrësit për t’i punësuar ata. Njëri nga pasagjerët e tjerë shtoi se me këtë dokument ata duhet të kishin ikur të nxirrnin vizën dhe jo të niseshin direkt, gjë që në fakt ua kishte thënë punëmarrësi ta bënin.

Zotëria pas meje, që Veronikës po ia “nxehte telat”, jo vetëm që po mbante qëndrim të njëjtë me shoferin, por filloi të tregonte raste nga përvoja e tij e hidhur me kufinjtë. Kapërcimi i tejskajshëm i nivelit të egoizmit të pranueshëm nga ai detyroi Veronikën të njoftonte të shoqin se “boll më”, nuk po duronte asnjë llaf të tij më shumë.

Ndalesa në Podujevë sikur i dha çiftit një farë mundësie për të menduar. Veronika i kërkoi të shoqit të ktheheshin që të mos shpenzonin më as kohë e as para përderisa tanimë nga gjithë kjo zallamahi u duk pak qartë që ndoshta nuk do mundeshin të kalonin kufirin kroat. Por bashkëshorti i saj, ndonëse i tensionur e në limitet e të qënurit me shëndet të mirë, refuzoi të dëgjonte fjalën e saj. E shqetësuar për shëndetin e tij, ajo i dha diçka për të pirë dhe herë pas herë kthehej dhe e pyeste në ishte mirë.

Me dilemën nëse do e kalonin apo jo kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë, mendova që ata s’do mundeshin të rrinin aspak të qetë gjatë gjithë rrugëtimit. Rrugëtimi i gjatë dhe përgjatë natës, shumë i ftoi në gjumë të parehatshëm por të nevojshëm, por prap mendova që Veronika nuk do ishte një prej tyre. Bëri duart bashkë dhe nisi të lutej, e duke u lutur sytë iu mbyllën ngadalë. Kuptova që mund të isha i vetmi pasagjer zgjuar kështuqë mbylla edhe unë sytë me një dëshirë të pakuptueshme që kufiri të ishte larg.

Ndonëse fund qershori, ai mëngjes i hershëm ishte i ftohtë për secilin prej nesh që u vu në rradhë për të kaluar në kufi. Ndër të parët ishin Veronika me të shoqin. Policia u tregoi që me ta do të merrej në fund. Pritja ishte ajo ç’ka kish mbetur, për Veronikën po edhe për ne tjerët që nga larg e shihnim sesi ajo vazhdonte të lutej.

Sikur lutja të mjaftonte ndoshta ata nuk do të ishin kthyer mbrapsht. Policia i ndaloi. Po aq të lënë në mes të rrugës sa Veronika dhe i shoqi është i gjithë populli i Kosovës që duhet të përballet vazhdimisht me këto peripeci, edhe kur duan që për pak kohë të munden të punojnë dinjitetshëm. Liberalizimi i vizave është veç allçi, kur halli i madh është krahu i thyer. 

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje