Kur kthehemi në përditshmëri, çfarë ka ndryshuar?

Genc Shehu | 21.12.2020 | nyje.al

Dita e dyte e protestes per Klodian Rashen, 10 dhjetor 2020, foto: Ronald Qema
Dita e dyte e protestes per Klodian Rashen, 10 dhjetor 2020, foto: Ronald Qema
  1. “Këta të vrasin!” Kjo shprehje, e përdorur rëndom si në pasojë të 21 Janarit duke iu referuar pushtetit të atëhershëm, tani gjen vend të përdoret edhe për pushtetin e sotshëm. Mirëpo situata në dukje e ngjashme, ka dallimet e veta. Në 21 Janar pati demonstratë të thirrur nga opozita e atëhershme si përgjigje ndaj një video-skandali ku paraqitej Ilir Meta me Dritan Priftin që bisedonin hapur me shifra për afera korruptive. Në këtë demonstratë u vranë katër qytetarë të Republikës. Në dallim nga kjo, protestat me trajtë revolte të dhjetorit 2020 shpërthyen në përgjigje ndaj dhe pas vrasjes së Klodian Rashës. Në të parën, vrasjet e të pafajshmëve ndodhën në shesh dhe kishin një përmasë të pamëdyshur publike. Në të dytin, vrasja ndodhi në pragun e shtëpisë në orarin policor. Në një aspekt të ngushtë dramaturgjik, këtu kemi kalimin nga tragjedia te komedia: përpunimi emocional në rastin e tragjedisë ruan një përmasë dinjitoze të heroit që bie në përballje por, kur tragjizmi është aq i skajshëm sa e kalon edhe këtë cak, ndodh kapërcimi dialektik i paraqitjes së posaçme artistike të gjëmës në komedi. Në të dyja rastet, vrasjet u kryen nga shteti, por në të parin kishin një përmasë tragjike ndërsa në të dytin një komike (sigurisht jo në kuptimin që të bën për të qeshur, ashtu sikurse nuk të bën për të qeshur Komedia hyjnore e Dantes). Situata sot është strukturalisht shumë më tepër e rënduar: që të ndihesh qenësisht i kanosur nuk ka nevojë të dalësh në shesh, madje në shesh je më i sigurtë. Është në rrugicat e varfra të pandriçuara mirë të periferisë – ose më saktë, të jo-qendrës – që lëvron kanosja. Rezultati është se kjo “këta të vrasin!” (që dje kishte nënkuptimin “rri në shtëpi, shiko punën tënde”) sot mbart një kuptim shumë më të errët dhe cenues se dje. Nuk është si dikur frikë e mirëlokalizuar në vendin e protestës, është ankth i përgjithësuar, që mund të përngjitet kudo, në çdo rrugicë, i fshehur pas kthesës ku do mund të kalojë papritur policia. (Për këtë arsye masat dhe maskat mbrojnë jo aq shumë faktikisht nga virusi, por mbrojnë nga gjobat dhe përballja me policinë.)
  2. Një tjetër dallim midis protestave të dhjetorit të sivjetshëm me 21 Janarin është se, ndërsa me rastin e 21 Janarit pati një proces masiv publik me ritual kolektiv të të mbajturit zi, procesi i të mbajturit zi për Klodian Rashën duket se është bllokuar, penguar, mbajtur peng – dhe kjo pikërisht në masën që të mbash sot zi për Klodianin do të na i shtonte barrën e pengjeve. Në këtë kuptim, kush do paqen – qetësinë reflektuese e solemne që nënkupton vaji i të mbajturit zi – le të angazhohet për drejtësinë (siç u shpreh imzot George Frendo, kreu i kishës katolike në Shqipëri, për këtë rast). Pra, “pa drejtësi, nuk ka qetësi”. Zemërimi ose ngulmimi luftarak për të fituar drejtësinë është proces integral, pa të cilin nuk bën e nuk mund të mbahet zi.
  3. Nga ana e sjelljes së opozitës, në 21 Janar protesta u thirr nga opozita dhe përgjigjja e popullit e “tejkaloi” pritshmërinë e opozitës. Opozita e la atë pa udhëheqje pikërisht në një çast kur populli qe mprehur e ngrehur: për pasojë erdhi një shkrehje e dramatizëm histerik që rezultoi në ato trazira. Në ditët pas kësaj opozita mori kritika nga “faktori ndërkombëtar” çka e shtyu të ndërrojë qëndrim duke e braktisur për së dyti popullin. Në rastin e protestave të dhjetorit 2020, protesta nuk u thirr nga opozita. Madje, edhe pse ka patur zëra që opozita ka marrë pjesë me anë të të rinjve të saj në protestë duke nxitur për shembull në Shkodër protestën që të shkojë drejt prishjes së godinës së selisë së PS-së – edhe pse pra përflitet që është përfshirë në protesta, ajo nuk është as haptazi organizatore e as nuk ka marrë pjesë publikisht aty. Kjo vjen ndoshta edhe prej faktit se e dinte që nëse vinte haptazi, bashkë me simbole e me figura të larta të partive opozitare, do të kishte konflikt dhe dhunë midis vetë protestuesve në vend se midis policisë dhe protestuesve. Sidoqoftë, pavarësisht kësaj dhe llogarive të mundshme me në mendje zgjedhjet, ajo çka del në pah gjithnjë e më shpesh është se opozita nuk është në lartësinë e nevojës popullore.
  1. Kërkesat që dalin nga revolta nuk e përfaqësojnë denjësisht atë, sidomos kur këto artikulohen në nivelin zyrtar të demokracisë përfaqësuese. Kur kërkesat artikulohen – dhe sidomos kur ato plotësohen – në vend se të ketë një zbutje të protestës, ndihet sikur vetë kërkesat janë zbutur dhe janë bërë disi të kota. Për shembull, efekti i menjëhershëm i pranimit të dorëheqjes së Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, nuk qe zbutja e protestës, por ashpërsimi i qasjes policore (që nga ana e vet çoi në shtypjen e protestës). Kështu, nuk ka si të kuptohen ndryshe këto pranime të menjëhershme të kërkesës imediate të protestës, qoftë ai pranimi me zë të mekur të Kryeministrit në fillim, apo mirëkuptimi i dhembshur që Erion Veliaj tregoi për dëmet ndaj godinës së Bashkisë dhe zbukurimeve të Vitit të Ri të ditës së parë të protestës se “rraqe janë”. Këto janë si hileja në boks ku boksieri që po humb shkon të përqafojë tjetrin në mënyrë që të fitojë disa sekonda për të marrë frymë e për të marrë veten. Pra, hileja e pushtetit në fillim është vetë të qenurit i mirëkuptueshëm, zemërgjerë, që të pret krahëhapur dhe të plotëson kërkesën e parë pikërisht në mënyrë që të mbyllë shtjellimin e mëtejshëm të dëshirës së popullit. Kështu, prirja për të kërkuar dorëheqjen apo largimin e Kryeministrit duket se është një qark i shkurtër drejt diçkaje që duket tejet e madhe formalisht, por përmbajtësisht është boshe. E përkundërta e kësaj, që fillon me shkarkimin dhe hetimin e kryepolicit Ardi Veliu, është diçka që hap rrugën për shqyrtimin publik të policisë, për hetim dhe dënim të kulturës së mbulimit të krahëve, fshehjes së ndërsjellë të gabimeve brenda policisë. A nuk është kjo kulturë e njëjta, në praktikat e veta, me atë që, kur dikush që dëshiron të denoncojë, për shembull, dhunën seksuale që ka pësuar, përfundon ose të hasë në vështirësi a pengesa për ta denconcuar këtë ose madje rrezikon edhe të dhunohet sërish nga personat që supozohen të jenë në mbrojtje të qytetarëve? – Pavarësisht se kush është në pushtet, në qeveri, këto gjëra nuk bën të vazhdojnë.

 

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje