Rakip Suli edhe një herë në SPAK, Qëndresa Qytetare kërkesë për hetim penal të kryetarëve bashkiakë të ndëshkuar nga KQZ

nyje.al | 27.03.2024

Qëndresa Qytetare ka dorëzuar dje në Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion një kërkesë përmes së cilës kjo organizatë kërkon të hetohen dhe të dënohen në rast verifikimi të shkeljeve të 22 kryetarëve dhe ish-kryetarëve bashkiakë.

 

Përmes një analize ligjore realizuar nga hulumtuesi Dhimitër Zguro, Qëndresa Qytetare pasqyron një tablo të shkeljeve të Kodit Zgjedhor që mund të përkthehen në shkelje penale. Në përmbyllje të saj ajo rekomandon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që shkeljet e dispozitave të Kodit Zgjedhor që mund të përbëjnë vepër penale, përpos vendimmarrjes si institucion t’i referojë ato edhe tek autoritetet përgjegjëse.

Duke qënë se për zgjedhjet e vitit të kaluar, ky proces nuk është realizuar prej KQZ, Qëndresa Qytetare i kërkoi sot SPAK fillimin e hetimeve dhe verifikimeve të shkeljeve që mund të përbëjnë elemente të ushtrimit të veprës penale.

Përmes kësaj shkrese, Qendra “Qëndresa Qytetare” duke besuar dhe vlerësuar punën e derimë tanishme të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, inkurajon këtë të fundit, që të fillojë kryerjen e verifikimeve dhe hetimeve të nevojshme, për të konkluduar nëse ka elementë të figurave të ndonjë prej veprave penale të parashikuar në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë në sjelljet e personave të sipërpërmendur dhe në rast se elementet plotësohen, të fillojë ushtrimin e ndjekjes penale me qëllim jo vetëm dhënien e drejtësisë, por dhe dekurajimin e sjelljeve qe shtrembërojnë barazinë e subjekteve në zgjedhje dhe dëmtojnë zgjedhjet e lira dhe të barabarta.

Për Rigels Xhemollarin, drejtuesi i Qëndresës Qytetare, kjo kërkesë është një hap për të pasur vazhdimësi në trajtimin e këtyre shkeljeve nga organet përgjegjëse pa pasur nevojën e ndërhyrjeve nga jashtë duke siguruar kështu edhe masa parandaluese.

Presim që SPAK të vlerësojë precedentin dhe të krijojë një praktikë parandaluese nëpëmjet hetimit të rasteve në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme të mos kemi përdorim masiv të shtetit për qëllime zgjedhore.

Edhe kryetari i bashkisë Kamëz, Rakip Suli e ka përdorur pushtetin politik si mjet elektoral në zgjedhjet e shkuara. Sipas analizës së organizatës Qëndresa Qytetare rezulton i ndëshkuar dy herë prej Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, duke e radhitur atë si ndër më të ndëshkuarit në nivel republike.

Përdorimi i burimeve publike

Rakip Suli, duke qenë në krye të Bashkisë Kamëz përgjatë zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar ka përfituar prej pozicionit të tij. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve, ka ndëshkuar Rakip Sulin në dy prej rasteve të përdorimit të burimeve publike. Këto dy raste lidhen më përdorimin e kanalit zyrtar të institucionit për të përcjellë mesazhe partiake elektorale.

Në mbledhjet e KAS, ato të 10 dhe 18 majit, Rakip Suli është gjobitur me 100 mijë lekë për dy shkeljet e kryera përgjatë fushatës elektorale, në të cilën takimet e Partisë Socialiste janë rishpërndarë në faqen e Bashkisë Kamëz, në rrjetin Facebook.

Në analizën e kryer nga Qëndresa Qytetare gjendet i shkëputur një argumentim i KAS që shpjegon se faqet zyrtare në rrjetet sociale të institucioneve janë asete të këtij institucioni dhe njihen në Kodin Zgjedhor si burime të pushtetit lokal. Andaj edhe përdorimi i tyre në favor të kandidatëve partiakë, partive politike apo koalicioneve është shkelje e këtij kodi dhe dënohen me masa administrative.

Rigels Xhemollari u shpreh për redaksinë tonë së KQZ do duhej që rastet e shkeljeve të kryetarëve si Rakip Suli apo të ngjashmëve t’i përcillte tek organet e drejtësisë.

Z. Rakip Suli është ndëshkuar administrativisht, në të dyja rastet, për shkak të përdorimit të faqes zyrtare të Bashkisë Kamëz, për të shpërndarë postime me përmbajtje partiake duke përdorur kështu burimet publike. Pavarësisht përdorimit të burimeve publike, KQZ nuk i ka referuar këto veprime të kundërligjshme pranë organeve të ndjekjes penale.

Për shkelje të njëjtë janë ndëshkuar administrativisht edhe kryebashkiakë të tjerë si Armando Subashi, Erion Isai, Pjerin Ndreu, Gledian Llatja, etj.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje