Shfaqje pa spektatorë

Alban Tufa | 25.12.2017 | nyje.al
Edhe pse kishte mbi tridhjetë vite që ishte diplomuar si regjisor, nuk i kishte ikur dëshira për artin dhe, si për habi, as nuk i ishte shtuar qoftë edhe një gram. Vlen të theksohet këtë rast: sapo ishte kthyer nga Greqia. Bash në kohën kur kufijtë u hapën dhe shqiptarët u vërsulën si delet kur iu hap trinën e vathës, edhe regjisor Tasimi (mbiemri nuk është i vlefshëm sepse, siç thoshte regjisori nëpër miq, njeriu e bën mbiemrin, jo mbiemri njeriun) kishte qenë një ndër deshtë e zgjuar që kishte marrë udhën e Dreqit. Atëkohë kishte punuar murator dhe e qante pelegisjen e gurëve si të qe një skulptor zanatçi.

Tash, rrota e fatit dhe trillet e dëshirave e kishin prurë apet në mesin e qytetit Paplan dhe idealet e tij po nisnin të konkretizoheshin si një mjegull që sjell pas një rreze të fortë dielli. Regjisori po vinte në skenë një dramë, të cilën e kishte shkruar vetë në fillim të viteve ’80, dhe lajmi kishte marrë dhenë.
Kryetari i bashkisë Paplan, me dashamirësinë që kishte për artin dhe me dellin e tij konkret për teatrin, kishte akorduar një fond prej 10 milonë lekësh të vjetra. Do të thojë dikush që sot as për Teatrin Kombëtar nuk jepen aq, por askujt s’i vete mendja se, e ardhmja e tearit, dhe gjithë artit të qytetit në përgjithësi, varej nga kjo shfaqje.
“Të shtunën në orën 16:09, në teatrin e qytetit Paplan, jepet shfaqja “Dështimi”, regjia: Tasim (mbiemri s’ka rëndësi), skenari: Tasim (mbiemri sërish s’ka rëndësi), skenografia: Tasim (s’ka rëndësi mbiemri), kostumografia: Tasim (as këtë herë mbiemri s’ka rëndësi), marrin pjesë aktorët: Mosi Mosi, Joja Goja, Kurrja Hera, dhe Turpi Buzi. Gjithçka organizohet në kujdesin e kryetarit të bashkisë Paplan, z.Tal Mazi.”
-A erdhën aktorët? – pyeti drejtori i teatrit.
-Erdhën, – u përgjigj dikush.
-Po kameramani ynë? – pyeti prapë.
-Po.
-Mediat erdhën? – pyeti sërish.
-Po po, ka kohë.
-Po ata të gazetës së Nexhit?
-Po po, ama Nexhi lajmëroi që vetë nuk vinte dot.
-Merre në telefon atë të revistës “Bulkth”!
-Edhe ai ka ardhur me kohë.
-Po ai i portalit që kontaktova unë mbrëmë?
-S’e di me kë keni chatuar mbrëmë drejtor.
-Me atë pra, – drejtorit iu drodh buza e poshtme.
-Vangjelin?
-Hë de?
-Ja, po futet në derë.
-Epo mirë, gati qenkemi.
-Ka një problem drejtor…
-Më thuaj!
-Nuk ka ardhur asnjë spektator, drejtor.
-Do vijnë, – tha drejtori dhe u zhduk në kthinën e majtë që të çon prapa skene. Edhe pse ai u zhduk, zëri i dëgjohej tek fliste me regjisorin, i cili po realizonte ëndërrën e jetës së vet: po justifikonte për së pari herë diplomën e regjisë.
-Tasim, mediat kanë ardhur.
-Shumë mirë, drejtor! – tha Tasimi.
-Edhe gazetari i Nexhit. Gati jemi? Ora katër!
-Të presim edhe pak?
-Jooo, as që bëhet llaf! Ne jemi korrektë dhe nuk lejojmë të tilla gjëra.
-Edhe dhjetë minuta sepse nuk jemi akoma gati.
-Okej, po të fal një minutë sepse shfaqjen e kemi në orën gjashtëmbëdhjetë e nëntë minuta.
-Falemnderit! – tha Tasimi dhe ndjeu një diç vetëkënaqje.
Fill pas kësaj u kthye tek aktorët. Iu dha këshillat e fundit që mund t’iu jepen aktorëve nga regjisori para fillimit të shfaqjes. I motivoi duke iu thënë që ‘ne do jemi të parët që do hapim një Epokë të Re në ngritjen dhe zhvillimin e artit viziv në tërësi dhe të teatrit në veçanti, bash mu këtu, në mesin e qytetit Paplan’. Por, më të mbaruar motivimet e tij prej zanatçiu të paprovuar, kapi diçka në fytyrat e aktorëve: asnjëri nga ata nuk kishte as pikën më të vogël të emocionit. Pandehu se kjo mund të ishte diç shumë negative për shfaqjen e tij me bujë të parakohëshme, por mandej, veç ngushëlloi vetën duke kujtuar fjalët e një profesori të marksizëm-leninizmit që i kishte pas thënë: “Mos harro kurrë se emocionet e tepërta të çojnë në theqafje.”
Ja ku erdh çasti i fort dëshiruar i krerëve të politikës dhe të artit në qytetin Paplan. Salla me stolat blu, thuajse të papërdorur më parë, ishte e mbushur përplot dëshirë për spektatorë, ama jo për çudinë e tyre, në të, duke përfshirë edhe gazetarët, nuk bëheshin njëzet e pesë veta. Po themi veta, sepse spektatorët, janë ata që kanë njëfarë interesi për të parë atë që ndodh në skenë. Nëse do të mblidheshin të gjithë në rreshtat e parë, as dy nuk mbusheshin, por si me thënë kështu i deshi mushka drutë.
Gongu ra. Shaqja nisi, e aktorët dolën në skenë. Gjërat dukeshin se shkonin mirë dhe drejtori po qëndronte më shpresën se, meqë kryetari nuk kishte ardhë deri më tash, nuk do vinte as më tej. E megjithatë, mungesën nuk ia ndiente tashmë askush sepse e kishin falenderuar disa herë në fjalën e hapjes: diç më pak se 13 herë, e mandej falenderime të veçanta për dashurinë e tij ndaj artit i kishin thënë edhe në posterin e vetëm të ngjitur në majë të Pallatit të Kulturës.
Por, dashuria e tij për artin u dëshmua vërtet kur ja behu në sallë paritur. U fut pa bërë zhurmë dhe drejtori fill i liroi vendin. Në skenë, aktorët për pak e humbën rendin e fjalëve të mësuara përmendësh. Gjithëaq, mospasja e emocioneve ia vleu dhe ata e morën shpejt situatën në dorë.
Gjithë kohës nuk u ndal një blic apatati fotografik, që binte ndesh me errësirën që gjendej në sallë, i cili i shkonte rretherrotull kryetarit. Mbaj mend që disa herë iu drejtua skenës duke i shpërqëndruar sërish aktorët. Pas do kohe, ia dhanë disa duartrokitje të cilat jehuan nëpër sallë.
Të nesërmen u çanë portalet, gazetat, revistat, madje edhe televizionet. Fama e Tasim (…) u fry si me erërat e shkurtit.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje