Arrestimi si përgjigje e shtetit ndaj vajzave e grave që rezistojnë

Ronald Qema | 19.03.2022 | nyje.al

Dhuna policore si patericë për pushtetin që mezi rri në këmbë, e parë nga një perspektivë feministe, bashkoi në diskutim aktiviste/ë dhe qytetare/ë më 16 mars. Ky takim u zhvillua në qendrën sociale “Shtëpia Publike”, me të ftuara aktivistet Gjyljana Bakalli, Megi Mustafaraj dhe Laureta Nikolli, te treja të arrestuara muajin e fundit për shkak se kanë manifestuar një ndër liritë e tyre politike: protestimin.

Flasim për arrestime

Laureta Nikolli, banore e lagjes së ‘5 Majit’, u arrestua mëngjesin e 22 shkurtit kur Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit i shoqëruar nga qindra efektivë policie shëmbi banesën e saj dhe të fqinjëve e familjarëve të saj. Laureta shkoi për t’iu thënë policëve që të ndalonin me hedhjen e gazit lotsjellës por u u tërhoq me dhunë për në mjetin e policisë.

Atë mëngjes, Laureta e përshkruan kështu:

U hodh gaz lotsjellës dhe unë u bllokova totalisht. Babai im vuan nga mushkëritë dhe kam vajt vetë te Policia dhe u kam thënë ju lutem ndaloni me gazin lotsjellës. Kaq. Nuk e kam kuptuar ça ka ndodh, jam marrë nga policia dhe jam akuzuar edhe për hedhje molotovi, që s’kam qënë fare prezente kur është hedhur, pasi jam arrestuar në 8 pa 20 minuta. Po të shikoni pamjet e arrestimit, policët përpiqen të mbulojnë pamjet që të mos shihet. Jam ulur në sekond dhe pastaj më kanë ngritur me forcë nga këmbët, xhupi më ka ardhur deri tek fyti sepse më tërhiqnin nga kapuçi dhe për disa sekonda kam pasur gjëndje të fikti.

Laureta Nikolli teksa përballej me policinë mëngjesin e 22 shkurtit, Tiranë, Ronald Qema

Që prej 9 marsit, protesta të shumta janë zhvilluar kundër rritjes së çmimeve në vendin tonë. Këto protesta janë shoqëruar nga bllokime rrugësh dhe mbrëmjen e 10 marsit për të liruar rrugën “Ibrahim Rugova” nga protestuesit, policia arrestoi me dhjetëra qytetarë. Ndër to edhe Gjyljana Bakallin dhe Megi Mustafaraj. Ndërkohë që për Gjyljanën, me profesion juriste, ishte arrestimi i saj i parë, për Megin arrestimet janë ngjarja më e pritshme në protestë, pas disa arrestimesh të saj.

Shoqërimet në Polici të aktivistëve të shumtë janë bërë normë edhe shteti ynë tashmë është kthyer në një shtet policor ku policin nuk e sheh më si atë që të mbron por si ai nga i cili duhet të kesh frikë. E kemi parë që në fillimet e qeverisë Rama, që policia është bërë një gardian që e sheh gjithandej. Shumë policë që kanë pasur funksione të tjera bëjnë komplet gjë tjetër, një polic të forcave speciale nuk e sheh më të arrestojë një kriminel por tanimë ai arreston disa aktivistë që kërkojnë disa të drejta. Kjo është më e rëndë se sa vetë përballja me policinë nëpër protesta. Gjithmonë ka pasur dhunë të ushtruar nga policia, por kohët e fundit, ajo u bë dhe legjitime pas shembjes së Teatrit Kombëtar.

Megi Mustafaraj – Aktiviste

megi 3
Momente nga arrestimi i Megi Mustafaraj, 10 mars 2022, Tiranë, Ronald Qema

Momente nga arrestimi i Megi Mustafaraj, 10 mars 2022, Tiranë, Ronald Qema
megi 1


Për Gjyljanën shoqërimi ishte edhe i dhunshëm përveçse thelbësisht i paligjshëm. Foto dhe video nga arrestimi i saj janë shpërndarë shumë në rrjete sociale, e teksa sheh njërën nga fotot ajo tregon:

Në fakt nuk po i flas policit që më ka ndaluar, polici aty është i Shqiponjës dhe i gjithë rrjeshti i parë ka qënë më të Shqiponjës, unë jam duke i folur një civili pas. Jam duke i thënë që nuk do duhet t’i japin urdhëra policëve, e të cilët nuk duhet të jenë prezent fare aty. Kam qenë duke bërtitur se po më kapnin policë burra, ndërkohë që ligjërisht nuk lejohet. Edhe në momentin që një pjesë e vajzave ishin të ulura tek vizat e bardha, u kam bërtitur që nuk kishin të drejtë t’i preknin vajzat me dorë, sepse nuk kishte asnjë police femër aty. Pasi më kanë kapur 5-6 vetë, kanë ardhur dy police nga komisariati numër tre.

Gjyljana Bakalli përballet me policin mashkull i cili nuk është i ligjshëm ta prekë, 10 mars 2022, Tiranë, Blendi Diveroli

Gjyljana gjithashtu shtoi se dhuna e përjetuar ishte në nivele të papërballueshme, por as ky arrestim nuk do ta ndalojë në vazhdimin e betejave kundër padrejtësive.

Po, jam treguar e ashpër sepse në një situatë të tillë nuk mund të tregohesh ndryshe. Unë kam pasur shenja nëpër duar, ia kam treguar dhe Oficerit të Policisë Gjyqësore dhe kanë bërë dhe foto. Unë kam humbur dhe kopsat e palltos aty nga tërheqjet, pa llogarit çka më kishte ndodhur nëpër duar, çfarë force kishin ushtruar ato.

Ne kemi të drejtë të themi jo, edhe të kundërshtojmë dhe të mos biem dakord me ca gjëra që s’mund të biem dakord. Duhet të mos kemi frikë pavarësisht hapave që mund të ndërmarrin ata.”

Momente nga arrestimi i Gjyljana Bakallit, 10 mars 2022, Tiranë, Ronald Qema

Momente nga arrestimi i Gjyljana Bakallit, 10 mars 2022, Tiranë, Ronald Qema
Fugoni i policisë me të cilin u shoqëruan Gjyljana Bakalli dhe Megi Mustafaraj, 10 mars 2022, Tiranë, Ronald Qema

Fugoni i policisë me të cilin u shoqëruan Gjyljana Bakalli dhe Megi Mustafaraj, 10 mars 2022, Tiranë, Ronald Qema

Previous
Next

Rrëfime nga dhoma paraburgimi të ftohta

Jam trajtuar përgjithësisht mirë nga policët, vinin flisnin, më zgjonin se bëheshin merak. Pjesa që më zgjonin më bezdiste sepse më duhej shumë kohë që të përgatisja veten që të flija sërish, vetëm që të kalonte koha. Dëgjoja këmbanat dhe llogarisja orarin, të kalonte koha, që të mund të shihja fëmijët.

Unë vetë jam munduar të vë trurin tim në gjumë, jam përpjekur të fle. Mund të kem ngrënë një sanduiç për 48 orë dhe e ndaja në copa të vogla. Nuk haja, nuk reagoja, nuk e jepja veten dhe kjo më vriste më shumë. Bëja sikur çdo gjë po shkonte mirë. Komandoja trurin që vetëm të flija gjumë. Kisha lënë dy fëmijë jashtë, isha akuzuar për një gjë që se kisha bërë,  sepse jam nga ato që po e kisha bërë diçka them: “Po e bëra”. Nuk kisha bërë asgjë dhe reagimi i Oficerit të Policisë Gjyqësore ishte: “Zgjidhe me Gjykatën” ndërkohë që unë iu kërkoja të shihnin filmimet e të më lironin me kusht paraqitje. Jam lutur dhe prapë se kanë marrë parasysh.

Kështu i kaloi pothuaj pesë ditët në paraburgim Laureta Nikolli, e cila ka mbi supe edhe një gjobë miliona lekëshe për shtëpinë që sot është e shembur.

Banorët e “5 majit” kërkojnë lirimin e Lauretës përballë Drejtorisë së Policisë, 23 shkurt 2022, Tiranë, Ronald Qema

Megi Mustafaraj tregon nga ana tjetër një ndodhi që ende e ka në mendje të qartë si uji, një ndodhi përgjatë qëndrimit në komisariat që i dha dhe më shumë arsye për të vazhduar “luftën” kur të dilte nga aty.

Megi rrëfeu përgjatë takimit: “ Ngjitur nesh, ishte dhoma e shoqërimit të djemve dhe aty vinë marrin një burrë, rreth të gjashtëdhjetave, i vogël me trup, me pak flokë, me ca rroba të leckosura e në duar mbante një kapuç që gjatë gjithë kohës e shtrëngonte me duar. Ky ishte kapur për shpëndarje lëndë narkotike, nga ata që shesin nga pak sa për të mbijetuar, dhe pamja e tij që përpiqej të buzëqeshte që të mbante veten por që nga ana tjetër dukej që ishte shumë i pikëlluar. Ajo pamje më preku shumë, e më tej mendova që edhe ai është shqiptar si unë që ndajmë të njëjtat halle.”

Gjyljana Bakalli tregon duart e gërvishtura nag përplasja e parë me policinë teksa në të djathtë të saj gjendet Megi Mustafaraj, 10 mars 2022, Tiranë, Ronald Qema

Kur pyeten “Çfarë ju mban në “fushë betejë”?”

Këto rrëfime të Megit, Gjyljanës dhe Lauretës, padyshim ishin të forta dhe tejet frymëzuese për këdo që ishte prezent. Në fund të takimit ata donin të dinin se ku e gjenin frymëzimin tre folëset dhe morën këto përgjigje:

“Për sa kohë nuk ka akoma zgjidhje është e pamundur të rrish heshtur, o do plas o do iki, diçka që unë nuk dua të bëj dhe kam zgjedhur mos të iki. E vetmja zgjidhje është të vazhdojmë të gjithë bashkë këtë që kemi nisur. Ne për pushtetin jemi zero, e unë nuk dua që në shtetin tim, në vendin tim të konsiderohem e tillë, jo unë, por askush që është pjesë e këtij vendi.”

Megi Mustafaraj

“Unë s’kam pasur ndonjëherë përkrahjen e familjes dhe nuk besoj se do e kem ndonjëherë për këtë, por kjo nuk është gjë që do më ndalojë. Ishte e vështirë përballja me ta sepse nuk kisha guxim as t’i njoftoja. Ata e kuptuan që e gjithë gjëja dhe masat që po merren janë propagandë. Kur të preket xhepi dhe buka që ha, nuk pyet më njeri.”

Gjyljana Bakalli

“Zakonisht është padrejtësia. Kur ndodh një padrejtësi, në punë e kudo, kam ngritur gjithmonë zërin. E kam ngritur zërin dhe për tjetrin që ndoshta nuk dëgjohet.”

Laureta Nikolli

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje