Hegeli mbi të ardhmen, Hegeli në të ardhmen- Sllavoj Zhizhek (pjesa e dytë)

Përkthim| Genc Shehu| 29.01.2021| nyje.al 

Teksti i mëposhtëm është marrë nga philosophynow.org shkruar nga Slavoj Zizek si recensë e botimit të vitit 2019 të veprës së filozofit amerikan Robert Brandom, “The Spirit of Trust”. Vepra e Brandom është një rilexim për situatën aktuale botërore i veprës emblematike “Fenomenologjia e Frymës” nga filozofi klasik gjerman G. W. F Hegel. Brandom bën pjesë në një linjë interpretuesish bashkëkohor të Hegelit, të njohur si Shkolla e Pitsburgut, e cila tenton ta integrojë Hegelin brenda një botëkuptimi liberal dhe ta rikuperojë atë nga një trashëgimi interpretimesh radikalisht të majta e të djathta përgjatë shek. XX. Një autor tjetër pjesë e kësaj linje është Robert Pippin, një tekst të tijin rilexues të një vepre tjetër të Hegelit e kemi botuar më parë te nyje.al. Slavoj Zizek nga ana tjetër bën pjesë te ata hegelianë bashkëkohore të cilët e cilësojnë hap falls leximin e tij liberal duke pohuar se filozofi gjerman mund të interpretohet siç duhet dhe na ndihmon në leximin e gjendjes aktuale botërore nga një kënd më subversiv. Ky debat mes këtyre dy autorëve përbën një nga debatet më të rëndësishme të filozofisë në ditët e sotme dhe për këtë arsye kemi vendosur ta botojmë në mediumin tonë. Mendojmë se ky tekst e reflekton më së miri këtë debat brenda filozofisë mbi fatin e botës.

Fotografi nga Nils Johan Gabrielsen
Fotografi nga Nils Johan Gabrielsen

Pjesa II

Lakërimi i së shkuarës

Falja rikujtuese mbetet nocion ambig. Në sferën etike mund të lexohet si “përpjekje për të kuptuar çfarë na shfaqet si e ligë” – pra, rindërtimi i një motivi pozitiv të fshehur i cili është shprehur në një mënyrë perverse. Sidoqoftë, prapaveprimi nënkupton një përmasë shumë më radikale të kontingjencës: se gjërat nuk janë çfarë janë, ato janë çfarë “do të kenë qenë”. E vërteta e tyre përcaktohet pasi ato të kenë ndodhur:

“Falja praktike konkrete ka të bëjë me bërjen e disa gjërave [me synim] për të ndryshuar çka do të dalin të jenë pasojat e aktit. Për shembull, ne do mund t’i zinim besë pasardhësve tanë që ata do ta sjellin situatën në mënyrë të atillë që informacioni që dhamë padashje, sakrifica jonë, ose vendimi për të vajtur në luftë, t’ia kenë vlejtur, në saje të çfarë ato sollën tek e fundit – në saje të çfarë u bë me to në [mënyrën] si ndryshon më pas vetë mënyra si bëhen gjërat. Diçka që kam bërë nuk duhet trajtuar si gabim a krim, siç bën gjykatësi zemërgur, sepse ende nuk është marrë vesh se çfarë kam bërë. Veprime pasuese nga të tjerë mund të ndikojnë në pasojat e tij dhe kështu në përmbajtjen e asaj çka pata bërë. Gjykimi i zemërgurtë supozon gabimisht se veprimi është diçka e mbaruar, që prehet aty plotësisht i formuar, si objekt i mundshëm për t’u vlerësuar pavarësisht se çfarë bëhet më vonë… roli i një ngjarjeje të dhënë në planin evolues varet nga çfarë tjetër ndodh.” (The Spirit of Trust, f. 602)

Në nivelin e fakteve të menjëhershme, gjërat janë ato që janë. Në holokaust vdiqën miliona. Asgjë nuk mund ta ndryshojë prapaveprimthi atë. E shkuara mund të ndryshohet vetëm në nivelin e ndërmjetësimit simbolik – ç’kuptim ka për njerëzit që mendojnë për të. Por këtu gjërat ndërlikohen. Ç’të themi për rastin që evokohet nga vetë Hegeli, në të cilin një agjent vepron me synim të mirë ndër mend, por pasojat e paparashikueshme janë katastrofike? Si funksionon falja rikujtuese këtu? A mundet gjykatësi të ngrejë një falje të pjesshme duke vërtetuar se pasoja më e gjasshme do të kishte qenë e padëmshme dhe se katastrofa vinte në sajë të aksidenteve të paparashikueshme? Dhe, po sikur të paraqesim një nivel të tretë mbi dualitetin e intencionit tim subjektiv në kryerjen e një akti dhe rezultatit aktual të veprimit tim – motivacione të pavetëdijshme? Ky nivel i tretë nuk duhet në asnjë mënyrë të kufizohet në konsideratën e motiveve të ulëta si e vërteta e fshehur e motiveve të fisme e të rrëfyera publikisht – për shembull, kur një person që pretendon se kryen një veprim prej një ndjesie të detyrës por në fakt motivohet nga hakmarrja – sepse [ky nivel] përfshin edhe rastin e kundërt – për shembull, edhe pse mendoja se veprova prej ndonjë tendence private patologjike, më motivoi në fakt një ndjenjë më e thellë e drejtësisë.

Nëse pranojmë se domethënia aktuale e veprimit është ajo që “do të ketë qenë”, prekim këtu një nerv paradoksal të moralitetit, i cili u pagëzua nga Bernard Williams si “fat moral” (Moral Luck, 1981). Williams evokon rastin e piktorit Gaugin, i cili la gruan dhe fëmijët dhe u shpërngul në Tahiti në mënyrë që të zhvillojë gjeninë e tij artistike. A qe i justifikuar moralisht në këtë që bëri, apo jo? Përgjigjja e Williams-it është se mund t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje vetëm në retrospekt, vetëm pasi të mësojmë rezultatin e vendimit të tij të rrezikshëm: A u shndërrua ai në një artist gjenial, apo jo?

Saktësisht e njëjta gjë vlen për Immanuel Kantin sa i përket statusit legal të rebelimit: parashtresa, “Ajo çfarë po bëjnë rebelët është krim që meriton të dënohet” është e vërtetë nëse shqiptohet kur rebelimi ende po ndodh; por pasi rebelimi fiton dhe themelon një rend të ri legal, ky pohim rreth statusit legal të të njëjtit akt, tani të shkuar, nuk vlen më.

Në vijim është përgjigjja e Kantit ndaj pyetjes, “A është rebelimi mjet legjitim për t’u përdorur nga një popull që të heqë zgjedhën e një tirani të pandehur?”.

“[A]snjë padrejtësi nuk i ndodh tiranit kur ai shkarkohet. Nuk mund të ketë dyshime në këtë pikë. Sidoqoftë, është maksimalisht ilegjitime që subjektet të kërkojnë të drejtat e tyre në këtë mënyrë. Nëse ata dështojnë në përpjekjen e tyre dhe pastaj pësojnë ndëshkime maksimale, nuk mund të ankohen për padrejtësi sikurse as tirani nuk mundej nëse ata do t’ia kishin dalë…” (Perpetual Peace, 1795 f. 4)

A nuk po jep Kanti këtu variantin e tij të “fatit moral” ose, më saktë, të “fatit legal”? Statusi legal i një rebelimi vendoset prapaveprimthi: nëqoftëse një rebelim ia del dhe themelon një rend të ri legal, atëherë sjell në jetë vetë rrethin e vet vicioz: i flak në boshllëk vetë zanafillat e veta ilegale teksa performon paradoksin e themelimit retroaktiv të vetvetes. Kanti e pohon këtë paradoks edhe më qartë nja dy faqe më herët kur shkruan: “Nëqoftëse një revolucion i dhunshëm, që u mbrujt nga një kushtetutë e keqe, paraqet me mjete ilegale një kushtetutë më legale, të çohej sërish populli pas në kushtetutën e mëparshme nuk do të ishte e lejuar; por, për aq sa zgjat revolucioni, çdo person i cili hapur ose fshehurazi mori pjesë në të do të kishte pësuar me të drejtë dënimin që u ka hije atyre që rebelohen.” S’ka si të ishte më i qartë: statusi legal i të njëjtit veprim ndryshon me kohën dhe ajo çka është krim i dënueshëm për aq sa vazhdon rebelimi shndërrohet, pas themelimit të një rendi i ri legal, në të kundërtën. Më saktë, krimi thjesht zhduket, si ndërmjetësues që venitet e që prapaveprimthi shuan veten në rezultatin e tij.

Interpretime të tilla prapavepruese ndodhin mjaft shpesh në përmasën e rendit simbolik.1 Kur them ose bëj diçka, fjalët dhe veprimet e mia nuk shprehin kurrë thjesht çka kisha ndërmend. Në vend të kësaj, kuptimi i tyre vendoset prapaveprimthi, përmes trupëzimit në Tjetrin e madh. Tregimi i Italo Calvino-s, “Një ditë e bukur marsi” (1993) përqendrohet në pasojat e paparamenduara të aktit të vrasjes së Jul Cezarit. Ndërkohë që konspiratorët deshën të vrisnin një tiran dhe kësisoj të përtërinin lavdinë republikane të Romës, veprimi i tyre shfuqizon vetë kushtet që mbartnin kuptimin e synuar. Siç shkruan Molly Rothenberg, “Vetë bota ku kishte kuptim të hiqje qafe Cezarin gjithashtu venitet me ato goditje të thikës – jo pse Cezari e mbante atë botë të lidhur bashkë, por për shkak se vrasësit nuk mund të parashihnin se veprimi i tyre do të transformonte edhe vetë mënyrën si do të gjykohej veprimi. Ata nuk mund të njehsonin historicitetin e veprimit të tyre: as ata as ndokush tjetër nuk mundej të parashikonte apo kontrollonte si e ardhmja do ta interpretojë vrasjen. Me fjalë të tjera, do mund të thonim se thjesht nuk ekzistonte asnjë mënyrë që ata të merrnin parasysh e në llogari [paraprakisht] “efektin prapashkues” të interpretimeve të ardhshme” (The Excessive Subject, 2010, f. 7).

Le të marrim një shembull të skajshëm të një “faljeje rikujtuese” (jo aq shumë në aspektin e faljes sesa me atribuim prapaveprues të përgjegjësisë dhe fajit). Dikush do të mund të vërente me kthjelltësi se shumica e seksit – deri afërsisht në periudhën e fillimit, madje të gjysmës së shekullit të njëzetë – do të llogaritej si përdhunim me standardet e sotme; dhe do të konstantonte se kjo është një shenjë e fortë e njëfarë progresi…

Çfarë hasim këtu është tipari kyç i Simbolikes: paraqet “çelnajën” ose “hapjen” fundamentale që Simbolikja fut në realitet. Me fjalë të tjera, pasi takojmë Simboliken, nuk është se gjërat thjesht janë, ato “do të kenë qenë”: ato si të thuash marrin hua pjesë të qenies së tyre nga e ardhmja. Ky çqendërzim paraqet një kontingjencë të pareduktueshme. Nuk ka ndonjë teleologji më të thellë që lëvron këtu, e as ndonjë pushtet sekret që garanton rezultatin e lumtur.

Në saje të dijes që ka për Hegelin, Brandomit i duhet ta pranojë këtë aspekt retrospektiv të natyrës së progresit historik: “Progresi është prapashikimthi i domosdoshëm. Nuk është rasti që një stad i dhënë nuk do mund të kishte evoluuar në asnjë mënyrë tjetër përpos prodhimit të asaj që shfaqet si pasuesi i tij. Në vend të kësaj, ky pasues (dhe tek e fundit, konceptimi kulmues, ngadhënjyes – deri tani – përfundimtar) nuk do të mund të kishte lindur përveçse si një shtjellim prej të mëhershmëve. Domosdoshmëria është gjithnjë në retrospekt te Hegeli: Huti i Minervës fluturon në muzg” (f. 608). Deri këtu në rregull. Por Brandomi vazhdon, “Pasazhi mbyllet me shprehjen e besimit nga ana e Hegelit: thirrja e tij për brezin e ardhshëm që të bëjë për kohën e vet atë që ai bëri për të tijën: të marrin stafetën e punëve të faljes rikujtuese me anë të shkoqitjes dhe shpjegimit që thurin histori racionale.”

Mua më duket se ky kërcim në të ardhmen, ky besim në paravajtje, është totalisht i papërligjur dhe në mospërputhje me qëndrimin themelor metafizik të Hegelit. Pse? Sepse implikon një hendek midis dy nivelesh: midis mendimit aktual të Hegelit (i kufizuar në dijen e kohës së tij; që lyen gri mbi gri) dhe një pikëpamjeje që e lokalizon mendimin e Hegelit në një seri progresive – që Brandomi e stilizon si “cikël mirënjohës rrëfimi, besimi dhe faljeje rikujtuese, të pasuar nga rrëfimi i papërshtatshmërisë së asaj faljeje dhe besimi në falje pasuese të [edhe] këtij dështimi” (f. 610). Dhe çfarë Hegeli bëri për të gjithë të shkuarën e tij deri në atë kohë (e “rikujtoi” atë në një totalitet racional), Brandomi vetë përpiqet ta bëjë kundrejt Hegelit (duke e parafrazuar mendimin e tij në terma bashkëkohorë, etj); dhe i fton lexuesit e tij të ardhshëm të bëjnë të njëjtën gjë me veprën e tij. Jemi prapë tek ajo që Hegeli e quante “pafundësi kallpe” ose “e rremë” 2.

Ka edhe një aspekt tjetër në këtë inkonsistencë. Nëse domosdoshmëria historike është gjithnjë retrospektive, çfarë e legjitimon Brandomin ta lexojë idenë e Hegelit të të Diturit Absolut si diçka që shkon mjaft përtej “lyerjes gri mbi gri” dhe që na bën me gisht drejt një ardhmërie sociale të emancipuar përtej antagonizmave të modernitetit të tëhuajësuar – drejt asaj që Brandomi e quan “Faza e Tretë”? Ai thotë, “Aspirata mahnitëse e Hegelit është … të na udhëzojë drejt një epoke të re të Geist-it, struktura normative e së cilës është po aq përmirësim mbi modernen sa modernja qe mbi tradicionalen” (f. 614). Por a nuk do të ishte lëvizja e posaçme hegeliane në të kundërt pikërisht për me lënë të çelur hapësirën për të kuptuarin në prapaveprim që kjo e ardhme [më] e ndritur, kjo Fazë e Tretë, sjell në jetë antagonizma dhe forma dhune të reja dhe të paparashikueshme? Më tutje, po sikur të duhet që të na falin për pikërisht këtë – për shpresën iluzore që ne mundemi të bëjmë më shumë se veçse të “lyejmë gri mbi gri” dhe në vend të kësaj të përvijojmë konturet bazë të një epoke të re të ardhshme me emancipim të plotë ku progresi do vazhdojë? A nuk do të ishte shumë më shumë në frymën e Hegelit të presupozohet se edhe kjo fazë do të shkojë tmerrësisht për keq, siç ndodhi me fashizmin, stalinizmin e kështu me radhë? Për shembull, nuk mjafton të luhet loja e zakontë që vizioni i fisëm i Marksit u keqpërdor dhe se ai nuk duhet të mbahet përgjegjës për këtë keqpërdorim. Në vend të kësaj, ajo për të cilën Marksi ka nevojë të “falet”, është se ai mbeti i verbër ndaj mënyrës si vizioni i tij i Komunizmit do të mund të frymëzonte forma të reja të shtypjes dhe terrorit.

Përfundim

Pra, për ta përmbyllur: a nuk duhet ta kthejmë kokëposhtë motivin e “frymës së besimit” të Brandomit? A nuk është tipari më i thellë i qasjes së vërtetë hegeliane një frymë mosbesimi? Pra, aksioma bazë e Hegelit nuk është premisa holistike teleologjike që, sado e tmerrshme të jetë një ngjarje, në fund do të dalë se kontribuon në harmoninë e përgjithshme të botës dhe historisë. Në vend të kësaj, aksioma e tij është se sado që të jetë e mirëplanifikuar dhe dashamirëse një ide apo një projekt, ajo në njëfarë mënyre do të shkojë keq: komuniteti organik grek i polis-it kthehet në luftë brenda sojit; besnikëria mesjetare që ngrihej mbi nderin kthehet në lajka boshe; orvatja revolucionare për liri universale kthehet në terror. Argumenti i Hegelit nuk është se kjo kthesë për keq do të mund të shmangej – të thonim, ah si do të parandalohej derdhja e gjakut sikur revolucionarët francezë të ishin përmbajtur e të realizonin lirinë konkrete për disa sfera në vend se të përpiqeshin të realizonin lirinë abstrakte dhe barazinë për të gjithë. Në vend të kësaj, ne duhet të pranojmë se nuk ka rrugë që të çon drejtpërdrejtë në liri konkrete; se “pajtimi” ynë qëndron në faktin se ne i dorëzohemi kërcënimit të përhershëm të shkatërrimit që është kusht për lirinë tonë.

Vizioni i Hegelit për shtetin është ai i një rendi hierarkik sferash që mbahen bashkë nga një kërcënim i përhershëm i luftës. Pra, përse të mos marrim në konsideratë një përparim që shkon më tutje se kaq – drejt një demokracie liberale post-hegeliane? Është e lehtë të imagjinojmë gazmendjen me të cilën Hegeli do të kishte analizuar se si një shoqëri liberale çon në fashizëm, apo se si një projekt radikal emancipues përfundon në stalinizëm. Do të kishte qenë po ashtu e lehtë për Hegelin të vinte në pah se si batërdia e pashoq e Luftës së Madhe [Lufta e Parë Botërore përpara se të ndodhte e Dyta] doli si e vërteta e progresit gradual paqësor të shekullit të nëntëmbëdhjetë. KJO, de, është sot detyra e neve hegelianëve.

_________

[1] Tjetri i madh dhe rendi simbolik janë koncepte të ndërlidhura e të zhvilluara nga psikoanalisiti francez Jacques Lacan. Tjetri i madh përshenjon një tjetëri radikale, një tjetëri që tejkalon tjetërinë iluzore të imagjinares sepse nuk mund të asimilohet përmes identifikimit. Lacan-i e barazon Tjetrin e madh me gjuhën dhe ligjin dhe kështu Tjetri i madh brendashkruhet në rendin simbolik. [Shën i përkth.]

[2] Hegeli përdor konceptin e pafundësisë kallpe ose të rremë  për të përshenjuar atë tipar të fundësisë – ose të lëvizjes së mendimit të fundëm – që pandeh se në përsëritjen e vet është i pafundëm ndërkohë që veçse riprodhon pa risi të njëjtën strukturë të kufizuar të vetvetes. “Në vetë aktin e mbajtjes të pafundësisë të kulluar dhe larg prej të fundmes, pafundmja veçse bëhet e fundme.” (Hegel, Shkenca e Logjikës, seksioni mbi pafundësinë në Doktrinën e qenies.) [Shënim i përkth.]

Ndajeni këtë shkrim

  • Post comments:1 Comment

Ky postim ka një koment

Lini një Përgjigje