Mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak si dasëm, të kënaqurit, të pakënaqurit dhe të harruarit

nyje.al | 12.07.2023

“Sot ka festë Shqipëria!” – u shpreh buzëgaz Lumja pasi kaloi pragun e derës së Bashkisë Kamëz. Shoqe e vajzave të informacionit, Lumja, një grua në të pesëdhjetat dukej se e frekuentonte shpesh “One Stop Shop-in” e bashkisë, për arsye që ajo i di dhe janë të mjaftueshme për të që ta bëjnë të shkojë. Por nëse të gjitha ditët përpos muhabetit kryente dhe ndonjë ankesë a kërkesë, sot jo. Sot Bashkia ishte mbyllur, me dyer të hapura por mbyllur. Punonjësit ishin të gjithë nëpër zyra, por punë s’kishte. Sepse ishte festë, ashtu siç tha Lumja. Atmosfera ndihej, betimi i kryetarit e shndërronte 12 korrikun në një ditë të madhe.

Këshilltarë e punonjës të Bashkisë mirëpresin me duartrokitje Kryetarin Suli

Kush vinte për hall, kthehej nga zonjushat e informacionit. Një zotërie, njëra prej tyre i bëri më shenjë ti afrohej pak më shumë xhamit dhe i tha: “Shhhh! Vazhdo (ik), hajde nesër.” E ashtu, kush nuk ishte i ftuar për të hyrë brenda, përcillej pa ceremoni, se ajo i takonte kryetarit sot.

Konstituim me dyer të mbyllura

E gjithë atmosfera e përshkruar mësipër u vëzhgua nga gazetarë e operatorë të medias, të ulur në stolat e pritjes para tavolinës së informacionit. Nëpërmjet e-mailit, pas një kërkese për informim të kryer nga redaksia jonë, dje na u njoftua mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak Kamëz e cila pritej të niste në orën 9:30. Të pranishëm, punonjës të medias nuk u lejuan të hynë në mbledhjen  e parë të Këshillit Bashkiak dhe u njoftuan për një urdhër që i lejonte ata të hynin vetëm në momentin e betimit të Kryetarit, në ora 11:00. Këtë urdhër e lajmëroi sekretarja e Kryetarit të Bashkisë, krejtësisht jashtë kopetencave të saj, si një urdhër që vjen nga lart, afërmendsh nga Kryetari, që edhe ai jashtë kopetencave përcakton mbarëvajtjen e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak. 

Në kundërshtim me nenet 22 dhe 23 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenin 17 të ligjit për vetëqeverisjen vendore, gazetarët  nuk u lejuan të ndiqnin proceset e zgjedhjes së komisionit të mandateve, miratimit të tyre dhe betimin e këshilltarëve, zgjedhjen e Kryetarit të Këshillit dhe nënkryetarëve, si dhe zgjedhjen e këshilltarëve përfaqësues në këshillin e qarkut.

Gazetarja e Syri Televizion, Fjona Çela, pas komunikimit me Bashkinë Kamëz ishte njoftuar për shtyrjen e orarit në momentin që gjendej para institucionit të Bashkisë. E habitur ajo u shpreh se konstituim me dyer të mbyllura nuk kishte parë dhe gjithashtu pritje të tillë nga institucionet nuk kishte marrë. Pas më shumë se tre orësh, ajo refuzoi të ndiqte betimin e Kryetarit Suli pas njoftimit të sekretares së tij.

Një nga gazetarët që presin të hyjnë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Kamëz
Një nga gazetarët që presin të hyjnë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Kamëz

Anëtarë të rinj, Këshill i vjetër

Mbyllja e dyerve të mbledhjeve të Këshillit Bashkiak na vjen si praktikë e përsëritur, e huazur nga të mandatuarit e mëparshëm. Në krye të Këshillit mbeti Hysen Koldashi dhe shumicë socialistët, të cilët sidomos përgjatë muajve të fundit e institucionalizuan pengimin e gazetarëve dhe medias për të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit. 

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, ky Këshill shpiku dhe një autorizim, që duhej firmosur nga Kryetari, me të cilin duheshin pajisur gazetarët në mënyrë që të ndiqnin mbledhjet e këtij organi të zgjedhur nga qytetarët. Ky pretendim, jo ligjor dhe jo kushtetues për pajisje me dokumentacion që nuk e njeh si praktikë procedura ligjore, u bë shkak që për disa muaj të mos ndiqeshin mbledhjet e Këshillit Bashkiak.

Një mënyrë tjetër e përdorur nga Këshilli Bashkiak për të mënjanuar detyrimin për të qënë transparent e të hapur ishtë mungesa e informimit për mbledhjet që zhvilloheshin pa asnjë lajmërim. Në shkurt të këtij viti, mungesa e njoftimit për mbajtjen e mbledhjes bëri që redaksia jonë ti drejtohej Komisionerit për të Drejtën e Informimit për këtë pengesë të zbatimit të kësaj lirie themelore. Ky insitucion në muajin mars  i kërkoi Bashkisë Kamëz respektimin e detyrimit ligjor për bërjen publike të Kalendarit të mbledhjeve të KB; njoftimeve mbi to; rendin e ditës, të projekt-vendimeve dhe vendimeve si dhe procesverbalin e mbajtur. 

Ky Këshill Bashkiak sa duket këmbëngul në të qënit ligj-shkelës pasi as sot nuk u vërejt ndonjë ndryshim në qasjen e tyre ndaj medias e qytetarëve.

Këshilltarë pa këshillim

Alfred Halilaj, drejtuesi i listës së Këshilltarëve të zgjedhur nga kualicioni “Bashkë Fitojmë” teksa dilte nga ambientet e Këshillit Bashkiak me brof akuzoi se ky institucion ushtroi diktaturë. Teksa Suli betohej dhe i varej shiriti nga Nikolla, në ambientet e jashtme, Halilaj dhe anëtarë të tjerë të djathtë dëshmuan se parregullsi të shumta e shoqëruan procesin e sotëm, ashtu si edhe atë të votimit në 14 maj. 

Ata treguan se zgjedhjet e nënkryetarëve të Këshillit u bën të hapura, kundër ligjit sipas pretendimeve të tyre, dhe rezultuan një farsë pasi opozita mbeti e papërfaqësuar. 

Një nga këshilltaret, e zgjedhur edhe si anëtare e komisionit u shpreh se nuk e ka firmosur procesverbalin e zgjedhjes së këshilltarëve përfaqësues të qarkut pasi nuk ra dakord me propozimet që vinin vetëm nga Partia Socialiste dhe ata të propozuar nga Bashkë Fitojmë nuk u hodhën fare në votim. 

Halilaj gjithashtu para mediave paraqiti fotografi të procesit të votimit që sipas tij e bënin atë të parregullt dhe rezultatin të diktuar nga pushteti. Këto pamje por edhe prova të tjetra, ai u shpreh që do i dorëzojnë në Prokurinë e Posaçme. Gjithashtu ai u bëri thirrje qytetarëve të mos bien dakord me qeverisjen e Kryetarit Suli. 

“Qytetarët e Kamzës duhet të ngrihen në protestë për të refuzuar deformimin e vullnetit të tyre më 14 maj. Zgjedhjet e 14 majit ishin të vjedhura, të paracaktuar elektronikisht, procesi elektronik ishte mënyra më e lehtë për të manipuluar zgjedhjet dhe ja ku jemi sot këtu me një pushtet që nuk njeh limite. Do thërrasim qytetarët e Kamzës në protesta. Do të jemi në ballë të tyre dhe nuk do ta lejojmë deformimin e vullnetit të tyre.”

Në përfundim ata u shprehën që nuk ishin në dijeni të pengimit të medias për të ndjekur procesin. Por, punonjës të medias u shprehën se në hyrje të tyre në mbledhje ata i kishin parë ata teksa prisnin dhe nuk kishin reaguar.

Si në dasëm

Me nota humori, të frymëzuar nga Lumja dhe si për të shtyrë orët e gjata të pritjes, gazetarët dhe operatorët u shprehën me ironi se po ndiheshin si në një ceremoni martesore dhe po prisnin që nusja të bëhej gati edhe pastaj të niste festa, Rakipi të betohej. 

Të ftuar ishin me shumicë, siç u përmend më lart e gjithë administrate ishte prezente përgjatë betimit, kush në sallë për ta dëshmuar me sy e kush në korridore për të përshëndetur Kryetarin teksa dilte.

Të ftuar nderi kishim dhe në anët tona, të gazetarisë, ku me një rrëshkitje gjuhe sekretarja e Kryetarit urdhëroi rojen e sigurisë të lintë ekipin e SCAN TV të hynte edhe pa mjete identifikuese sepse ata ishin “me porosi”.

Ceremoniali përfundoi dhe kryeparlamentarja u largua. Kryetari Suli u rikthye  në zyrë që të vazhdonte punën e rikthimit të Kamzës nga një qytet me 1001 halle në një qytet me 1001 ëndrra, ashtu siç e cilësoi edhe sot. 

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:1 Comment

This Post Has One Comment

Lini një përgjigje