Valiasi në rindërtim, banorët në pritje

Ronald Qema & Diana Malaj |16.04.2021 | nyje.al

 

Foto: Ronald Qema, Valias në rindërtim, Mars 2021

Valiasi i dikurshëm ishte një pikë referimi për botën e punës dhe punëtoreve, një zonë shumë pranë kryeqytetit që nxirrte nga nëndheu qymyrgur. Duke kaluar disa faza, atë të fermës, hapjes së aeroportit dhe minierës, popullimit nga banorët që migruan në vitet ‘90, prishjes dhe rindertimit, proceset transformuese urbane janë bërë tashmë pjesë e pandashme e historisë së tij.  Ashtu siç tregojnë banorët e zonës në fillimet e viteve ‘60 janë ndërtuar pallatet e para të banimit. Me nga tre kate secila prej 12 godinave, janë strehuar gjithsej rreth 200 familje të zonës. Familje minatorësh, fermerësh dhe oficerësh të aeroportit zinin pothuajse të gjitha hyrjet e këtyre godinave. Shumë nga këto familje jetotoi aty deri në shtator të vitit 2020; muaj në të cilin zbatohet plani i prishjes së godinave të Valiasit të Vjetër.

Me vendimin nr. 468, dt. 10.06.2020 Kryeministri Edi Rama shpall fshatin e Valiasit zonë të re për zhvillim me njësi zbatuese Fondin Shqiptar të Zhvillimit, Bashkinë Kamëz dhe Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit. Në shtator të 2020-s kjo zonë i nënshtrohet një procesi të ashpër e aspak transparent të shembjes së pallateve të vjetra. Shumë prej banorëve ishin të frikësuar nga mungesa e informimit, të tjerë jetonin në pasiguri mbi atë që do t’u ofrohej nga shteti, dhe disa banorë të tjerë e vlerësonin të mjaftueshme bonusin e qerasë (15000 lekë/muaj) që sipas të cilëve do t’u jepej përgjatë gjithë kohës së rindërtimit të banesave të tyre. Ky proces është shoqëruar me tensione në marrëdhënie me bashkinë, por për shkak të mungesës së organizimit të lagjes, këto tensione janë neutralizuar individualisht duke u dhënë shpresë që banesat do të rindërtohen brenda një periudhe shumë të shkurtër. Edhe pse kanë kaluar tashmë 8 muaj që prej se Valiasi i Vjetër është shkatërruar me qëllim rindërtimin, banorët e larguar e të shpërndarë nëpër lagje të tjera të Kamzës dhe jashtë saj vazhdojnë jetojnë me pasiguritë e procesit, duke pasur informacion të cunguar mbi planin e ri të rindërtimit, afatet, kohëzgjatja dhe garancia e pronës së tyre private.

Në një takim me një prej banorëve (me inicialet M. Gj) që e njeh nga afër historinë e prishjes së godinave kolektive të Valiasit shprehu shqetësimin e tij lidhur me këtë proces dhe pasigurinë që kishte nëse do t’u garantohej secilit prej ish-pronarëve prona e shkatërruar. Me qëllimin e informimit të banorëve të zonës, redaksia e Nyjes i është drejtuar Bashkisë Kamëz për të marrë informacion mbi raportin e planit të detyruar vendor të Valiasit, hartuar nga studioja arkitekturore B&L.

Referuar Raportit të Planit të Detyruar Vendor zona e rindërtimit ka një sipërfaqe prej 8.67 ha. Banesat e reja kolektive, sipas këtij plani do të rindërtohen në vendin ku kanë qenë banesat e vjetra dhe do të strehojnë 270 familje. Në këtë material të publikuar, thuhet se bashkia Kamëz ka propozuar që brenda kësaj zone të rindërtimit të ndërtohet (gjatë një faze të dytë) një qendër administrative e Valiasit (me fonde të burimeve të tjera). Tashmë, në bazë të VKB-së nr. 16, dt. 27.01.2020 është krijuar administrata për lagjen e Valiasit, me një staf prej 8 punonjësish, ndërkohë që bashkia ka refuzuar të japë informacion lidhur me strukturën, emrin e administratorit dhe kopjes së organikës të administratës së lagjes.

Harta e projektimit urban, link: http://planifikimi.gov.al/index.php?id=1024

Gjithashtu në planin e detyruar vendor parashtrohet se ekziston mundësia që procesi rindërtimit të prekë dhe hapësirat e tjera të lira e të hapura të zonës të cilat mund të kthehen në hapësira sportive në shërbim të komunitetit. Sipas të dhënave të këtij raporti, objektet e banimit kolektiv më përpara kanë qenë në pronësi të shtetit dhe banoheshin nga aviatorët dhe stafi i aeroportit, më vonë janë banuar nga ish-minatorët të cilët i kanë privatizuar apartamentet ndër vite.Përpos prishjes së banesave kolektive dhe objekteve të tjera me funksione publike (shkolla, kopshti, qendra shëndetësore) është parashikuar edhe prishja e disa strukturave të minierës të cilat kanë mbetur pa funksion, dy prej tyre janë struktura masive dhe kjo do të bëhet me qëllimin që të rritet kapaciteti strehues i zonës dhe eficenca ekonomike shkruhet në planin vendor. Prishja e këtyre dy vëllimeve të miniereës, të cilat janë pjesë e arkeologjisë industriale të zonës nuk është shoqëruar as me informacion të detajuar dhe as me njoftime paraprake.

 Foto Ronald Qema, Valias, Mars 2021

Po sipas planit të detyruar vendor, dhe në bazë të Vendimit të Komisionit Shtetëror të Rindërtimit (nr. 22, dt. 25.05.2020) programi i rindërtimit do të përfshijë ndërtimin e 270 njësive të banimit (55 familje 1-2 anëtarë; 120 familje 3-4 anëtarë; 95 familje mbi 4 anëtarë). Banesat e ndërtuara do të jenë me 2, 4, 6 kate. Redaksia e gazetës sonë i është drejtuar me një kërkesë për informacion Bashkise Kamëz lidhur me datën e fillimit të heqjes së inerteve të mbetura nga prishja e banesave kolektive dhe individuale në muajin shtator si dhe me datën e fillimit të rindërtimit të zonës urbane. Bashkia na ka informuar që do të ishte muaji dhjetor i vitit 2020 muaji i fillimit të ndërtimit.

Nga vëzhgimet në terren procesi i rindërtimit të banesave kolektive ka filluar, njëkohësisht edhe puna për ndërtimin e segmenteve rrugore përreth. Në Planin e Detyruar Vendor nuk ka të dhëna mbi afatet që është parashikuar të fillohet dhe të mbarohet ky proces i rindërtimit të fshatit të Valiasit, por ka të parashikuar vetëm një ndarje në dy faza: në fazën e parë është përcaktuar se do të mbarohet prishja e banesave kolektive dhe individuale (me ose pa leje ndërtimi), prishja e disa prej strukturave të ish-minierës për efekt të rizhvillimit (nuk jepet informacion i mëtejshëm, edhe pse objektet e ish-minierës mund të jenë pjesë e arkeologjisë industriale), ngritja e banesave të reja kolektive, ndërtimi i shkollës, kopshtit, rrjet i ri i kanalizimeve, ndërhyrje në infrastrukturën rrugore etj. Në fazën e dytë të rindërtimit parashikohet të realizohet ngritja e objektit për administratën e bashkisë në zonën e Valiasit dhe të ndërtohet ndërtesa e re për çerdhen.

Ndërkohë që ish-banorët e Valiasit janë të shpërndarë nëpër godina, banesa kolektive, shtëpi private me qera nëpër lagje të ndryshme të Kamzës, zhvendosje kjo që u ka sjellë ndryshime të mëdha në ritmet e tyre të përditshme (punës, shkollës së fëmijëve, shërbimeve të tjera publike), ata mbeten në pritje të informacionit mbi pronat e tyre dhe me shpresë per përfundimin e procesit të rindërtimit.

Foto Ronald Qema, Valias, Mars 2021

          Foto Ronald Qema, Valias, Mars

 *Ky shkrim mbështetet nga Lëviz Albania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje