A pi ujë drejtësia?

nyje.al | 07.03.2023

Që prej 24 nëntorit të vitit të kaluar, kompani “SEKA Hydropower” me vendim të Gjykatës së Lartë nuk e ka të licencuar prodhimin e energjisë në HEC-in Zais. Entit Rregullator të Energjisë iu desh të priste më shumë se 3 muaj për ta pezulluar licencën që kishte miratuar në shtator të vitit 2020. Por edhe pas këtij vendimi, HEC-i Zais vazhdon ti ketë portat e mbyllura dhe uji i Lumit Flim përfundon në tuba dhe jo në shtratin e tij. 

Për ta verifikuar në terren këtë vjedhje që po kryhet ditën për diell, aktivistë dhe banorë të fshatrave të prekur nga mungesa e ujit shkuan pranë HEC-it më 5 mars. Diga vazhdonte të pengonte rrjedhën e Flimit dhe ashtu si përmes banderolës së përgatitur nga aktivistët, ngrihet pyetja: A pi ujë drejtësia? 

“Ne arritëm deri këtu. Fituam të drejtën në tri shkallë gjyqësore, Administrative, të Apelit dhe në Gjykatë të Lartë. E kjo gjykatë ka mbi 4 muaj që ka marrë vendim që firma nuk ka të drejtë të prodhojë energji elektrike me këtë ujë. Vendimi i gjykatës nuk po zbatohet, prandaj edhe erdhëm ne sot këtu. Që ta bëjmë të ditur dhe t’i themi qeverisë, t’i themi të gjitha institucioneve shtetërore: Zbatoni vendimet e drejtësisë shqiptare! Se ne ke drejtësia besojmë dhe aty i kemi shpresat.” Adem Gjokola – Banor i Gjoçaj

Aktivistët e angazhuar në çështjen e mbrojtjes së Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj, situatën e krijuar me vendime gjyqësore të marra por jo të zbatuara e gjejnë si absurde dhe dekurajuese. Pas shumë padish të ngritura dhe dhjetëra seancave gjyqësore që kanë prodhuar dhe vendime në favor të tyre, gjendën në një realitet pa asnjë rezultat. 

“Si aktivistë jemi shumë të shqetësuar dhe të indinjuar pasi jemi vënë përballë një situate shumë të pazakontë por edhe absurde, sepse pas një beteje shumë të madhe ligjore të cilën edhe e kemi fituar, kuptojmë që këto vendime nuk po zbatohen.” Aurora Leka – Juriste | Aktiviste 

Pas tejkalimit të gardhit që rrethon digën dhe hyrjen në zemër të Parkut Kombëtar përballesh me rrjedhën e furishme të lumit Flim. 

HEC me ujë të pijshëm, kompania do të ketë pasoja 

Abdi Doçi dhe Adem Gjokola, dy banorë nga më të zëshmit në këtë çështje mjedisore pasi më së pari pinë ujë nga rrjedha e lumit treguan për vështirësinë e të kuptuarit sesi një lumë me ujë të pijshëm mund të thahet dhe kompania e institucionet të mos marrin mbi vete asnjë përgjegjësi. 

“15 milionë euro për të ndotur këtë mrekulli, këtë ujë të pijshëm, 15 milionë euro me deviju lumin, 15 milionë euro me shkretu zonën e mbrojtur. Në asnjë vend të botës nuk bëhet kjo. Nuk ndërtohen HECe me ujë të pijshëm.”  Abdi Doçi – Banor i Urxallës

“E pamë më poshtë, shkretëtirë. Ja, 100 metër më poshtë është kthyer në shkretëtirë e gjithë zona. Shihe tani se sa uji është këtu, ja shihe.”

“Kompanisë i themi të zbatojë vendimin e gjykatës sepse nëse nuk zbatohet ky vendim, kjo kompani do të ketë pasoja dikund sepse nuk do të shkojmë kështu jo gjithmonë. Një ditë do të vijë dita që do të ketë drejtësi. Dokumentat janë në arkiva të shtetit të gjitha dhe një ditë ai do të vihet përpara përgjegjësisë e do të shkojë në burg për mos zbatimin e vendimeve të gjykatave.”   Adem Gjokola – Banor i Gjoçaj

Ademi nuk mundet të kuptojë ende as se pse Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Këshilli i Ministrave miratuan ndryshimin e kufijve të Parkut Kombëtar Lurë-Mali i Dejës, përpos nevojës për të nxjerrë zonën ku është ndërtuar HEC-i larg nga pengesat ligjore që i krijon ky status mbrojtjeje.

VKM nr.59 e ndryshimit të kufijve dhe kundërshtimi ligjor

Më 26 janar të vitit të shkuar, Këshilli i Ministrave me vendimin e tij nr.59 ndryshoi kufijtë e një sërë zonave të mbrojtura në vend. Një prej tyre, Parku Kombëtar Lurë-Mali i Dejës, që humbi disa pjesë të tij që i kishte mbi vete deri në çastin e atij akti, më e rëndësishmja: hapësira në të cilën ishte ndërtuar në mënyrë të paligjshme HEC-i Zais.

Një proces i pakonsultuar as me komunitetet e as me njësitë e qeverisjes vendore, verifikuar kjo përmes një investigimi të kryer nga redaksia jonë dhe publikuar pak ditë më pas marrjes së vendimit. 

Për Ademin, mos marrja parasysh e mendimit të tyre përpos të ekspertëve, si ruajtës të Parkut, e bën këtë ndryshim kufijsh krejtësisht të bazuar në interesa personalë.

“Qeveria dhe Ministria e Mjedisit e kanë hequr dhe nga zona e mbrojtur këtë pjesë të Parkut këtu. Me ç’të drejtë e heqin këtë vend, këtë mrekulli nga zona e mbrojtur. Ne kemi qenë, ne banorët e këtij vendi, që e kemi mbrojtur këtë vend. Kemi mbrojtur Parkun Kombëtar. Populli mbron Parkun, Ministria e Mjedisit vjen dhe e copëton atë. Kjo është, nuk e di, nuk ka ça të dëgjojë kush.”  Adem Gjokola – Banor i Gjoçaj

Organizatat e shoqërisë civile që kanë në fokus çështjet mjedisore janë bërë bashkë dhe ia kanë dale të iniciojnë një betejë ligjore kundër VKMsë nr.59 dhe asaj nr.60 që ndryshon kufijtë e parqeve natyrore. Më 21 shkurt është mbajtuar seanca e parë në Gjykatën e Apelit në Tiranë lidhur me kundërshtimin e këtyre akteve administrative.

“Pas një fushatë goxha të gjatë të aktivistëve dhe organizatave të shoqërisë civile, kryesisht ato me fokus në çështjet mjedisore, kanë arritur që të bëjnë bashkë forcat për të ngritur dy padi kundër këtyre dy vendimeve. Kështuqë, aktivistët e Zall-Gjoçaj dhe Qendra Kujri i janë bashkuar kësaj nisme.”  Aurora Leka – Juriste | Aktiviste 

Për palën e avokatëve në anën e paditësëve, shkeljet e kryera në hartimin dhe miratimin e këtyre VKMve janë të shumta. 

“Vendimet janë miratuar pa u zbatuar procedura e konsultimit me komunitetet e cënuara, OSHC, akademikët dhe njësitë e qeverisjes vendore janë anashkaluar tërësisht nga dhënia e opinionit në lidhje me këtë proces. Gjithashtu, nuk janë zbatuar detyrimet e parashikuara në kuadrin ligjor që ka në fokus mbrojtjen e mjedisit, ku ndër të tjera theksojmë: Miratimin e akteve në mungesë të Planit Specifik i Tërësisë së Zonave të Mbrojtura; Inicimin e procedurës për ndryshimin e kufijve të Zonave të Mbrojtura dhe zonimin e tyre nga Agjensia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, ndërkohë që është në kompetencë të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, aktet janë miratuar në mungesë të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, etj. Miratimi i ndryshimit të sipërfaqeve dhe kufijve të Zonave të Mbrojtura, ndryshimi i statusit dhe heqja e tyre, nuk mund të bëhej në tërësi për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë por duke marrë parasysh që secila zonë ka specifikat dhe karakteristikat e saj, faunën dhe florën, dhe në këtë mënyrë kërkohet një analizë e detajuar për secilën zonë”. Franc Terihati – Avokat | Klinikat e Ligjit 

Seanca e parë e kundërshtimit të VKM-së për ndryshimin e kufijve të parqeve kombëtare do të zhvillohet të premten, më datë 10 mars, dhe si përherë banorët e Zall-Gjoçaj do të jenë aty. 

“Ka katër vite që ne nuk po pushojmë në qendresën tonë në mbrojtjen e vendit tonë, mbrojtjen e Parkut Kombëtar, mbrojtjen e ujit. Prandaj ne i bëjmë thirrje përsëri Gjykatës që të kthejë vendimin dhe të gjitha zonat e mbrojtura të kthehen ashtu siç kanë qenë. Zonat e mbrojtura duhen shtuar, jo të hiqen.”  Adem Gjokola – Banor i Gjoçaj

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje