Afër dhe larg: tre shënime mbi “distancimin social”

Olsi Lelaj | 21.04.2020 | nyje.al 

Kamëz, 20 mars 2020. Fotografi: Nyje.al
Kamëz, 20 mars 2020. Fotografi: Nyje.al

“Distancimi social” është bërë pjesë e zhargonit covidian, fjalorin e të cilit po e përvetësojmë përditë. Indeksi i tij përbëhet, ndër të tjera, nga shifra ku mbizotërojnë “përqindja” dhe “grafizimi” i jetëve të humbura, të shëruara apo të infektuara; nga terminologjia virulogjike e mjekësore (virus, Covid-19, pandemi, vaksinë, etj); nga politika përballje dhe masa profilaksie (imuniteti i turmës, distancim social, karantinë, larje duarsh, ndëshkime, etj). “Distancimi social” është një ndër masat mbrojtëse që po përdorim kundër virusit Covid-19 dhe po artikulohet nga autoritet mjekësore si një instrument efikas për ruajtjen e vetes, familjes, komunitetit dhe shoqërisë në tërësi.

Por, çfarë po na kërkohet të mbajmë, “distancë fizike” apo “distancë sociale”? Shënimi i parë, në këtë shkrim, është pikërisht për këtë çështje. Të dalësh jashtë shtëpisë, përtej orareve të caktuara dhe pa autorizimin përkatës, është e ndëshkueshme me gjobë. Varësisht kësaj edhe ata që kanë mundësi të dalin fizikisht prej shtëpisë, janë njësoj të privuar për t’u takuar me të tjerë. Edhe kur kontaktet me të tjerë duhet të ndodhin, ato duhet të jenë të rregulluara mirë sipas një protokolli të mirë përcaktuar: mbaj distancë 2 metra, mos shtrëngo duart, mbaj maskë, higjenizo duart në rast kontakti dhe mos prek asgjë. Kushtet e krijuara nga konteksti covidian, në njërën anë, kanë ulur maksimalisht lëvizjen dhe kontaktet mes njerëzve në hapësirën publike. Jeta përtej pragut të shtëpisë në tërësinë e saj është pezulluar, por jo marrëdhëniet mes njerëzve. Ato po ndërmjetësohen përherë edhe më tepër nga virtualiteti dhe teknologjia.

Socialja ka kaluar on-line. Jeta jonë virtuale, sot, ka legjitimet të plotë të ushtrohet pa ju druajtur kritikës. Situata që po kalojmë po na tregon aspektin tjetër të marrëdhënieve njerëzore dhe ndërveprimit social. Përveç anës fizike, ndërveprimi social përfshin gjuhën (ndërveprimin simbolik), imagjinatën dhe ndjesoren. Teknologjia po na mundëson t’i ruajmë marrëdhëniet tona duke na e lehtësuar komunikimin me të tjerët. Më shumë se asnjëherë tjetër, takime pune, festa ditëlindjesh, diskutime mes familjarësh, grupe miqsh, mësimi, blerja dhe shumë aktivitete të tjera po zhvillohen të ndërmjetësuara nga ekranet e telefonave dhe kompjuterave të lidhura me internetin. Kontakti fizik është vetëm njëri element përbërës i sociales, i rëndësishëm po aq sa komunikimi, imagjinata dhe ndjesorja. Prej tre aspekteve të fundit që kushtetojnë socialen ende nuk jemi privuar. Përkundrazi, nevoja për t’u përballur me ndalimin që konteksti covidian i ka bërë jetës tonë, na ka shtyrë dhe më shumë të ushtrohemi në ngushtimin e largësisë që ka prodhuar distancimi social. Ndaj, virtualiteti i komunikimit njerëzor dhe intesiteti i tij po kompenson sot defiçitin e krijuar nga mungesa e të qëndruarit bashkë.

“Distanca sociale” është praktikë shoqërore që ne e ushtrojmë vazhdimisht edhe jashtë kontekstit të pandemisë “Covid-19”.  Ndaj edhe shënimi i dytë është mbi këtë çështje. Duhet nënvizuar se distanca sociale përfshin jo vetëm largësinë, por edhe afërsinë mes njerëzve. Çdo formacion shoqëror dhe çdo kulturë përcakton sa afër apo larg duhet të qëndrojnë njerëzit me njëri-tjetrin. Sociologë e antropologë social-kulturorë kanë dokumentuar, reflektuar e teorizuar mbi funksionet e “distancës sociale” në shoqëritë njerëzore. Distanca që njerëzit mbajnë kundrejt njëri-tjetrit është kulturalisht e përcaktuar. Ajo është e mbarsur me plot domethënie dhe norma të cilat latojnë rolet shoqërore që strukturojnë dhe kontrollojnë veprimin e individit. Si e tillë, distanca mes njerëzve shpreh statusin social dhe raportin që kanë mes tyre individët ndërveprues. Po ashtu, ajo shpreh edhe raporte pushteti duke i treguar individit pozicionin e tij/saj në rendin shoqëror. Ruajtja (ose zhbërja) e rendit shoqëror, solidariteti dhe ushtrimi strukturor i pushtetit shprehen edhe nëpërmjet distancës sociale.

Në optikën sociologjike dhe antropologjike “distanca sociale” është pjesë e asaj çfarë George Simmel quante “gjeometria sociale”, ku konfigurime sociale të caktuara të raporteve mes njerëzve tregojnë për natyrën dhe organizimin e vetë shoqërisë bashkë. Po ashtu, parimet bazë, vlerat, normat, rendi moral, politik, apo ideologjik i një shoqërie artikulohet ndërmjet distancës. Për shembull, në shoqërinë shqiptare gjatë periudhës së komunizmit kërkohej të qëndrohej larg njerëzve që konsideroheshin si të “prekur politikisht”, ndërsa “biografia e mirë” e afronte individin më shumë me shtetin diktatorial duke i dhënë akses në të mirat dhe përfitimet e sistemit. E kundërta u aplikua pas viteve 90-të. Në shoqëri tradicionale marrëdhëniet mes burrave dhe grave kushtëzohen kulturalisht (politikisht dhe ideologjikisht) nga distanca të caktuara që shpeshherë ka të bëjë me veçime dhe hapësira thelbësisht gjinore. Komunitetet e mbyllura (gated communities) janë formacione urbane që shprehin veçimin dhe largësinë mes shtresave shoqërore.

Masat e ndërmarra nga qeveritë në shumë vende të botës për t’u përballur me Covid-19 po zbatohen në kurriz të shumë lirive dhe të drejtave. Liria e lëvizjes dhe e drejta e grumbullimit po lexohen përherë dhe më shumë si kërcënuese për “jetën” pasi përhapin virusin. Bota e lirë i ka mbyllur kufinjtë. Shënimi i fundit është mbi këtë çështje. Nën parimin e ruajtjes dhe sigurisë së jetës, largësia fizike po kërkohet të mbahet nën masën e “distancimit social”. Kjo masë po na tregon për forcën e shtetit në kontrollin e ndërveprimit të njerëzve në shoqëritë bashkëkohore. Shteti, bashkë me politikat e tij profilaksike, me forcën e ligjit, me policinë dhe ushtrinë, po kërkon të ruaj jetën duke i privuar njerëzit nga liria. Pezullimi i disa të drejtave kushtetuese e thellon edhe më shumë distancën mes lirisë dhe njerëzve. Pavarësisht argumenteve dhe ligjshmërisë së akteve në fjalë, në shumë demokoraci të reja dhe të vjetra, shtetasit po krijojnë “distancim social” nga parimet dhe praktika demokratike.

Ndërsa, pushteti shtetëror ndodhet më afër, shumë afër, madje tepër afër shtetasve.  Distanca mes shtetit dhe shtetasit është ngushtuar duke i dhënë të parit më shumë kontroll dhe mbikqyrje mbi të dytin. Politikat bio-pushtetare, kontrolli mbi “jetën” duke e reduktuar atë vetëm tek “ekzistenca”, paternalizmi shtetëror, arbitrariteti në vendimmarrje, pezullimi i të drejtave dhe nacionalizmi profilaktik po na përballin me rrezikun e vertetë të pandemisë: cënimin e rendit demokratik dhe i botës së lirive. Me këtë rrezik të ri shoqërive demokratike do t’u duhet të përballen shpejt, bashkë me pasojat e tjera të pandemisë Covid-19.
_______________________
Olsi Lelaj, drejtues i Departamentit të Etnologjisë pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, Tiranë. Ai është autor i disa punimeve shkencore në fushën e antropologjisë duke përfshirë artikuj dhe libra si “Nën shenjën e modernitetit” (2015) dhe bashkëautor i librit “Etnografi në Diktaturë” (2018).

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje