“Vdekja e një anarkisti” jashtë teatrit të Kamzës!

21.09.2018 | nyje.al
Xhelal Mziu refuzon kërkesën e aktivisteve! 
“Por unë jam i çmendur, i çmendur me kartelë, i shtruar 16 herë… dhe gjithnjë për të njëjtën arsye: kam maninë e personazheve, quhet “histrionomani” dhe vjen nga histrones që do të thotë aktor. Si t’ju them, kam hobin të luaj role. Vetëm se unë jam për teatrin e vërtetë… që të mos dinë të recitojnë. Mirëpo nuk kam mjete… kam kërkuar subvencione në Ministrinë e Spektaklit, por meqë nuk jam anëtar partie…”
“nuk i lënë të vënë në skenën e teatrit të Pallatit të Kulturës së Kamzës “Vdekjen aksidentale të një anarkisti”, do të kishte qënë plotësimi i monologut të personazhit të komedisë së njohur të dramaturgut italian Dario Fo, e cila do të vihet në skenën e qytetit (dhe jo në skenën e Pallatit të Kulturës) të Kamzës në fund të muajit shtator. Kjo pjesë, konsideruar si vepër klasike e shek.XX dhe vënë në skenat italiane për herë të parë në vitin 1970, është përshtatur nga regjisorja Anila Balla për një grup aktorësh të rinj të qytetit. Nisma është ndërmarrë nga grupi i aktivisteve “Ata”, të cilët nën një projekt më të madh që mban titullin “Qyteti i Maskave”, synon të angazhojë të rinjtë në jetën komunitare nëpërmjet teatrit dhe akteve të tjera performuese.
Vështirësia me të cilën ndeshen aktivistë dhe të rinj për të zhvilluar aktivitete kulturore në ambjentet e Pallatit të Kulturës në Kamëz vazhdon prej shumë vitesh. Kryetari Mziu dhe kabineti i tij, së bashku me drejtuesit e Pallatit të Kulturës refuzojnë lejimin e zhvillimit të aktiviteteve në brendësi të teatrit të qytetit, duke përdorur metoda të ndryshme. Herë duke mos kthyer përgjigje, e herë duke refuzuar drejtpërdrejt pa ndonjë arsye të bazuar.
Kërkesa për vënien në skenë të komedisë “Vdekja aksidentale e një anarkisti” është refuzuar nga bashkia, duke mos qenë kjo hera e parë që marrim përgjigje negative për zhvillimin e provave dhe shfaqjeve teatrale në Pallat. Gjatë verës së vitit 2017 i jemi drejtuar bashkisë me kërkesën për të vënë në skenë shfaqjen “Propozimi” të Anton Çehovit. Drejtuesi i Pallatit, Baftjar Çera përgjatë komunikimit direkt me aktivistet është shprehur se i gjithë Pallati i Kulturës përgjatë muajit tetor duhet të jetë në dispozicion të vajzave të Miss Globe 2017, duke justifikuar kështu mungesën e dëshirës për të lejuar zhvillimin e një aktiviteti teatral nga ky grup brenda një pallati 3 katësh me shumë salla të papërdorura. “Ata”, në kushte të tilla, janë detyruar të improviziojnë një skenë teatrale minimaliste në ambjentet e brendshme të qendrës ku zhvillojnë aktivitetet e tyre duke ftuar njerëz të qytetit në shfaqjen premierë të pjesës “Propozimi”. Të mësuar me refuzimet nga titullarët e bashkisë, si dhe për të kuptuar se kur mund të ishte një datë e përshtatshme për vënien në skenë të shfaqjes, grupi “Ata” në korrik të këtij viti i është drejtuar sërish bashkisë me një shkresë zyrtare në të cilën kërkohet një kalendar i plotë aktivitetesh të Pallatit të Kulturës. Në adresën e tyre ka ardhur kjo përgjigje:

Përballë një përgjigje të tillë pezulluese, edhe pas përfundimit zyrtar të pushimeve verore, Bashkia Kamëz nuk është shprehur më në lidhje me kërkesën në fjalë. Grupi i aktivisteve, në kushtet e mungesës së përgjigjes, më datë 3 shtator i drejtohet me një tjetër kërkesë zyrtare Krytarit të Bashkisë, Xhelal Mziu:

Dhe me datë 6 shtator, të njëjtën kërkesë drejtuar Drejtorit të Pallatit të Kulturës, Baftjar Çera.

Drejtuesi i Bashkisë së Kamzës dhe përgjegjësi i Pallatit të Kulturës kanë refuzuar të kthejnë përgjigje në lidhje me kërkesat në fjalë. Përpjekja e grupit për të marrë leje nuk është mjaftuar me aq, por ata kanë insistuar në organizimin e një takimi me drejtuesin e Pallatit. Në pamundësi për të takuar personalisht zotin Çera, është paraqitur në takim nëndrejtori i PallatitGëzim Hysenaj. Gjatë këtij takimi ai është shprehur që është e domosdoshme të merret leje fillimisht nga Kryetari i Bashkisë. “Nëse ai e pranon, edhe për ne nuk është problem”,ka pohuar nëndrejtori i të vetmit institucion kulturor në Kamëz. Më pas ai ka shtuar: “Ndoshta mund ta provoni përsëri me kryetarin, duke i dërguar një kërkesë dorazi.”
Odiseja e lejes nuk mbaron me zinxhirin e gjatë të kërkesave të tjera. Sipas  propozimit të zv.drejtorit të Pallatit të Kulturës, aktivistet e grupit i drejtohen me një tjetër shkresë dorazi kryetarit të Bashkisë Kamëz, nëpërmjet të cilës e informojnë mbi shfaqjen dhe kërkojnë lejimin për zhvillimin e saj në teatrin e qytetit.


Siç shihet nga dokumenti bashkangjitur, përgjigjia e kërkesës së fundit i delegohet si detyrë nënkryetarit të Bashkisë Vendim Demaj, i cili përgjatë datës 11 dhe 12 shtator ka refuzuar të takojë aktivistet e grupit. Ditën e parë, punonjëset e bashkisë kanë njoftuar që zv.kryetari në fjalë nuk mundej t’i priste sepse ishte në kafe, ndërsa ditën e dytë nuk ka pranuar t’u kthejë përgjigje duke njoftuar më vonë që ishte larguar nga ambjentet e bashkisë.
Në banalitet, përmbyllet cikli vicioz i mosmarrëdhënies me institucionet lokale, duke krijuar situata absurde në të cilat fuqizohet edhe më shumë pozicioni i titullarit, dhe dobësohet e rëndohet pozita e qytetarit. Politika të tilla vendore po shtyjnë drejt izolimit edhe më të madh të komunitetit të qytetit, duke e lënë gjithmonë jashtë derës së institucionit, jashtë derës së ligjit.
Ky sistem i dyfishtë lejeje ku për të zhvilluar një aktivitet kulturor nga një grup rinor i cili jo vetëm që nuk ndihmohet, por pengohet nga drejtuesit e bashkisë dhe të Pallatit të Kulturës, nxjerr në pah falsitetin e roleve institucionale dhe pushtetin e pakufizuar të kryetarit, duke cënuar të drejtat kushtetuese të cilat sanksionojnë detyrimin e organeve të pushtetit publik për të respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Të drejtat sociale dhe kulturore janë të drejta pozitive të cilat shteti është i detyruar jo vetëm t’i njohë por edhe të krijojë kushtet e nevojshme që qytetari t’i gëzojë ato. Pafuqia e ligjit reflektohet në vazhdimësinë e shkeljeve. Pengesa institucionale në format e tekave personale të titullarit, përbëjnë rastet flagrante të shkeljes së parashikimeve ligjore në lidhje me funksionet e bashkisë në nivel lokal në fushën e kulturës dhe shërbimeve argëtuese.
Të rinjtë e qytetit nuk kanë mundësi as të zgjedhin mes të këqijave. Në Kamëz e keqja nuk ka alternativë; nuk ka të keqe më të madhe a më të vogël, ajo është një dhe është pengesa. Përballë saj të lind detyrimi i vetëm: jo ta zgjedhësh, por ta kalosh, edhe pse mund të jesh duke zhbërë veten ndërkohë që po ribën botën rreth vetes. Grupi i aktivisteve po bëhet gati për shfaqjen jashtë dyerve të Pallatit të Kulturës, brenda zemrës së qytetit, duke konceptuar një skenë të vogël në të cilën ribëhet bota.

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:1 Comment

This Post Has One Comment

Lini një përgjigje