Marrëveshje pa u marrë vesh, Bashkia Kamëz u imponohet banorëve në dëmshpërblimin e shtëpive në Paskuqan

Ronald Qema| 29.11.2022 | nyje.al  

Tre ditë pas shembjes së shtëpisë së tij, Destanin e gjejmë duke shkulur një mandarinë në oborr për ta mbjellë gjetkë në një pjesë të tokës që nuk preket nga ndërtimi i Unazës së Madhe. Ai ka punuar 25 vite në Greqi, nga juglindja e vendit ka ardhur të jetojë afër kryeqytetit dhe në vitin 2008 ka ndërtuar shtëpinë matanë lumit të Tiranës. Që prej atij viti shtëpinë e ka pasur në proces legalizimi. Ashtu si mijëra shqiptarë, ai përballej me pritjen agonike të shqyrtimit të kërkesës. 

Pas rreth 12 vitesh, Destani u mor vesh me Kryetarin e Bashkisë Suli  për të ndërhyrë në katet e pambaruara të shtëpisë. Në 2020 ai ndërhyri në katin e dytë të pambaruar të banesës për ta bërë të jetueshme. Pas më pak se dy vitesh, më 16 nëntor 2022, fadromat e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Kamëz i rrafshuan banesën e tij.

Shtëpia e Destanit në anë të rrugës së tanishme “Unaza e Madhe”, imazh i shkëputur nga Google Street, 2016

Në vizitat në terren të pushtetarëve, Destani na tregon që e ka pyetur Rakip Sulin se pse e kishte lejuar që të ndërhynte në godinë në vitin 2020 kur ishte një projekt që do të rrafshonte shtëpinë e tij. Kryetari Suli i është përgjigjur se nuk e dinte për ndryshimin e projektit. Pasi ka pyetur për këto ndryshime të fundme të projektit, ai tregoi që i është kthyer ministrja Balluku dhe i ka thënë që nuk pyet banorët për projektet e ministrisë së saj. 

Mbivendosja e projektit të ndërtimit të Unazës së Madhe, imazh i shkëputur nga harta bashkëngjitur vendimit 04 të KKT, datë 13.07.2021

Destani jetonte ngjitur familjarëve të tij, ndërsa të afërmit e bashkëshortes së tij jetojnë në banesën ngjitur. Të shqetësuar për fatin e tyre pasi rruga ua rrezikon themelet e shtëpisë, ata gjithashtu ndjejnë keqardhje për familjarët dhe fqinjët e tyre. Vjehrra e Destanit u shpreh se ndonëse vetëm para pak kohësh i ndërroi jetë bashkëshorti, dhimbja e të mbeturit të vajzës pa shtëpi ishte më e madhe. 

Gjërat nuk duhet të kishin shkuar kështu sipas Destanit. Shteti duhej të kishte mbaruar punë me dëmshpërblimin e tyre e pastaj të ndërtohej rruga. Edhe pse qartësisht asnjëherë kundër zhvillimit, firmosja e një kontrate që nuk të jep siguri, por në të njëjtën kohë është e vetmja alternativë institucionale,  i bën ata ta kenë zemrën krejt të ftohtë për të ardhmen. 

Marrëveshja e bashkëpunimit, siç e emërton Bashkia Kamëz, për banorët mbetet e pakuptueshme dhe ata e pranojnë që e firmosin me shumë duke i zënë besë ‘fjalës së gojës’ sesa dokumentit të shkruar. 

Marrëveshje pa u marrë vesh 

Avokatja Dorina Ndreka pas studimit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkia Kamëz, e gjen atë me shkelje të shumta. Sipas avokates vështirësia e banorëve për të kuptuar këtë marrëveshje qëndron, pasi ajo duket më shumë si një grumbullim i pakuptimtë aktesh ligjore që mund të zbërthehet vetëm nga jursitët dhe jo qytetarë që nuk kanë njohuri për fushën. Gjithashtu të qenit e tillë, një përmbledhje aktesh ligjore nuk të jep as përshtypjen e një kontrate mes palësh. 

“Së  pari, në vlerësimin tim ky dokument nuk përmbush kushtet për t`u konsideruar kontratë. Në maksimum është një përmbledhje e parashikimeve të akteve nënligjore që rregullojnë këtë marrëdhënie, pa shtuar parashikime konkrete, pa rregulluar specifikisht asgjë për një familje konkrete. Në thelb nuk ka asgjë që mund të ndihmojë palët në detajimin e listës së detyrimeve dhe të drejtave konkrete të secilit prej tyre.”

Periudha e bonusit të qirasë për 3 vite është i vetmi kusht që përmendet qartazi, por aspekte të tjera të këtij trajtimi institucional mbeten krejt të papërmenduara.

“Neni 4, duhet të përcaktojë vlerën konkrete të qirasë, kushtet, afatet, kur do të paguhet, mundësisht penalitetet për mospagimin në kohë të detyrimeve, në cilën llogari. Nuk mund të jetë përcaktimi për qiranë dispozita referuese e Vendimit të Këshillit Bashkiak.”

Bashkia Kamëz, si institucioni përgjegjës për trajtimin e familjeve që preken nga ky investim shtetëror, në këtë marrëveshje nuk i parashtron detyrimet e saj që vijnë nga VKM nr.409 por i përgjithëson ato dhe gjithashtu kalon në mënyrë të paarsyetuar kompetencat nga kryetari tek nënkryetarja. 

“Për përfaqësuesen e bashkisë duhet të përcaktohet kush është akti i autorizimit. Autorizimi duhet të jetë i mëvetshëm për secilën kontratë. Nuk mundet me një autorizim të përgjithshëm të kalohen kompetenca që i takojnë ekskluzivisht kryetarit të Bashkisë. Edhe pse është nënkryetarja, ajo ka kompetenca përfaqësimi vetëm kur kryetari nuk është në detyrë për një arsye të caktuar, por jo kur vetë kryetari zgjedh që të mos i nënshkruajë vetë. 

Kjo është një kontratë individuale, e lidhur midis dy palëve konkrete  dhe nuk është një  akt me karakter të përgjithshëm. Nuk mund të thuhet në kontratë, që Bashkia Kamëz ka detyrimin të përmbushë detyrimet e VKM-së, por duhet të përcaktohen detajet se si do të përmbushen detyrimet e VKM-së (pika 2.1).”

Ky institucion gjithashtu e shoqëron këtë marrëveshje me një mendjelehtësi të skajshme, nëpër të gjen ‘parashtrime’ ligjore që shkojnë përtej logjikës së zakonshme, përpos asaj juridike. Këtë akt e konsiderojnë si përfundues të komunikimit ligjor me banorët, pa e noterizuar atë apo duke e bazuar komunikimin e mëtejshëm në biseda personale.

Sipas avokates: “Çdo kontratë që ka për objekt kalim të drejtash mbi pasuri të paluajtshme duhet të bëhet patjetër me akt noterial. Noterizimi i nënshkrimeve në fund të hartimit të kontratës, edhe nëse ndodh në rastin konkret, nuk plotëson kushtet e ligjit, pasi ka për objekt vetëm verifikimin që nënshkrimi është origjinal, ndërkohë synimi i Kodit Civil është që të jetë noteri ai që e harton me qëllim që të respektojë dispozitat përkatëse ligjore dhe t`ua spjegojë ato palëve. Edhe pse prona mund të mos jetë e regjistruar, pronarët kanë mbi to të drejta reale. 

Për një marrëveshje të tillë, komunikimi duhet të jetë vetëm me shkrim, por në çdo rast një dispozitë e tillë si neni 5 është pa vend në këtë kontratë. Do të ishte më mirë të ishte vënë një parashikim që kontrata mund të ndryshohet vetëm me akt noterial.

 Neni 5 i marrëveshjes së Bashkisë Kamëz që i propozohet banorëve

Tjetër shkelje e ligjit është parashikimi i përfituesit të trajtimit kur banesat, pavarësisht procedurave të regjistrimit të saj, janë në bashkëpronësi.

“Kontrata duhet të lidhet me të dy bashkëshortët në familje dhe jo vetëm bashkëshortin, pasi bëhet fjalë për një pasuri në bashkëpronësi, pavarësisht se kush e ka bërë deklarimin për legalizim. Duke marrë parasysh një situatë të mundshme të konfliktit familjar, mund të cenohen të drejtat e familjarëve të tjerë, nëse procedohet vetëm me një firmë.

Kalimi i pronësisë në emër të bashkëshortit është në shkelje të hapur të dispozitave të Kodit Civil për bashkëpronësinë, si dhe të dispozitave specifike të Kodit të Familjes lidhur me bashkësinë ligjore ndërmjet bashkëshortëve. Në të njëjtën linjë janë dhe parashikimet e ligjit 111/2018  “Për Kadastrën” ka parashikim të qartë lidhur me detyrimin e punonjësve të ASHK-së që pasurinë e legalizuar ta regjistrojnë në emër të të dy bashkëshortëve. Konkretisht: “…në përputhje me nenin 76, të Kodit të Familjes, regjistrimi në seksionin përkatës të kartelës së pasurisë bëhet në bashkëpronësi të të dy bashkëshortëve, për sa kohë ata nuk provojnë se i nënshtrohen një regjimi pasuror martesor të veçantë.”

Në nenet e marrëveshjes lihet të kuptohet që ajo është hartuar kryesisht mbi Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.409, të miratuar në qershor të këtij viti, për rregullat, mënyrat dhe afatet e trajtimit të poseduesve të ndërtimeve pa leje që nuk legalizohen. Ky vendim qeveritar, gjithashtu mbart mbi vete disa qasje problematike ligjore, por jo vetëm.

Në një takim të realizuar në fund të muajit qershor në qendrën e Grupit Ata, mes aktivistësh, banorësh të Paskuqanit dhe Laprakës dhe avokatësh, u fol gjatë për këtë VKM. Shqetësimi i banorëve dhe avokatëve ishte se VKM-ja vendoste në presion afatesh dhe ‘kërcënonte’ qytetarët e rrezikuar.

Këshilli për banorët, pa banorët

Vendimi i parë i Bashkisë Kamëz lidhur me nxjerrjen e banorëve nga shtëpitë e tyre për t’i hapur rrugë ndërtimit të Unazës së Madhe në Paskuqan është marrë më 19 korrik të këtij viti. Me vendimin nr.92, Këshilli Bashkiak i Kamzës ka miratuar vlerën e subvencionimit të qirasë për familjet që preken nga projekti i Unazës së Madhe. 

I pranishëm në mbledhje, kryetari i Bashkisë Suli u shpreh se ishte “vullneti i kryeministrit ky vendim historik’, që të mbulonte pjesë të shpenzimeve të qirasë për banorët e rreth 400 shtëpive informale.

Me një skemë të ngjashme me atë të subvencionimit të qirave të të prekurve nga tërmeti i 2019, Bashkia Kamëz vendosi të mbulojë qiratë e banorëve të prekur nga ndërtimi i rrugës në vlerën nga 15,000 lekë deri në 27,000 lekë në muaj, për tre vite. 

Më 27 korrik, me vendimin nr.99, Këshilli Bashkiak miratoi rregullimin e të gjithë procesit të trajtimit të banorëve shtëpia e të cilëve nuk legalizohej dhe që prekeshin nga ndërtimi i Unazës së Madhe. 

Bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 15.06.2022, më 17 gusht u miratua lista e subjekteve përfitues të bonusit të qirasë në vlerën e paracaktuar, të cilët kanë nënshkruar kontratën me Bashkinë Kamëz. Në sajtin zyrtar të Bashkisë nuk gjendet lista e këtyre banorëve, që i duhej bashkangjitur vendimit nr. 107 të marrë nga Këshilli Bashkiak. 

Lista shtesë e banorëve që pranojnë marrëveshjen e bashkëpunimit me Bashkinë mungon edhe në vendimin nr.112, të marrë më 7 shtator. 

Në mbledhjen e 29 shtatorit pas parashtrimit të projekt-vendimit, specialistes së Drejtorisë së Emergjencave Civile dhe Strehimit, Bleona Burnazit iu drejtua një pyetje nga këshilltari Hergi Xhaja lidhur me çfarë do të ndodhte me banorët pas tre viteve të mbarimit të bonusit.

Specialistja Bleona Burnazi në diskutimet e mbledhjes së 24 tetorit të Këshillit Bashkiak Kamëz, Ronald Qema

Përgjigja e specialistes shpjegoi rastet vetëm për familjet që kanë banesa të legalizuara duke u shprehur se ato subjekte janë të legjitimuara të ndjekin procedurën e dëmshpërblimit nëpërmjet Autoritetit Rrugor Shqiptar. Nyje.al si gazetë e Kamzës që përpiqet të ndjekë mbledhjet e Këshillit, në rastet kur njoftohen, iu drejtua si në vijim Znj. Burnazit: “Merret me mend procedura e familjeve që kanë banesën e legalizuar, por çfarë ndodh me familjet me shtëpi të palegalizuar pas tre viteve?” 

Përpjekja e specialistes për të kthyer përgjigje duke u bazuar tek VKM nr.409 e këtij viti, u ndërpre nga një këshilltar që me tension të rritur iu kthye gazetarit me sugjerimin që këto familje s’kishin punë me Bashkinë por me ARRSH.

Miratimi i listave të përfituesëve të bonusit të qirasë në Paskuqan u shoqërua me diskutime edhe në mbledhjen e Këshillit të datës 24 tetor. Këshilltari Florjan Ibrahimi u shpreh se projekt-vendimi u miratua pa u shqyrtuar nga anëtarët e Këshillit Bashkiak, pasi ai nuk kishte marrë zyrtarisht rendin e ditës dhe dokumentacionin e duhur. 

“Projekt-vendimi 120, mesa shoh unë nuk ka ardhur me e-mail. Ka një shpjegim për këtë?

Rregullorja e Brendshme e Këshillit Bashkiak më jep të drejtën të t’bëj një pyetje ty si Kryetar Këshilli. Për sa kohë nuk më vjen një projekt-vendim me e-mail, nuk lajmërohet në rrugë zyrtare, për cilat arsye duhet unë të marr pjesë në këtë votim?”

vendimin e marrë në atë ditë, me nr.137, listohen 26 kryefamiljare/ë që përfitojnë bonusin e qirasë. 

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje