Rezervuari i Paskuqanit dhe dritëhijet e tij

Edison Lika | 14.03.2023 | nyje.al

Një postim i kryetarit të Bashkisë Kamëz me datë 13,03,2021 në rrjetin e tij social ‘’Instagram’’, na tregoi se Bashkia Kamëz kishte hipotekuar 84 hektare tokë në rezervuarin e Paskuqanit.
Ky do të ishte sinjali i parë i nisjes së një projekti të belbëzuar tashmë prej vitesh për zonën në fjalë. Kishim dëgjuar nga kush kishte mundur hipoteza të pafundme: mbi krijimin e fushave të futbollit, stadiumeve, dhe deri tek e fundit mbi bërjen e një Parku Kombëtar. Është e pritshme që spekulimet dhe konspiracionet të shumëfishohen në një vend ku jo vetëm nuk është diskutuar për temat e interesit pulik, por nuk është bërë as informimi mbi vendime publike të marra. Në të njëjtin postim i mëshohej faktit se me ‘mbështetjen e kryeministrit u bë e mundur që të kishim një projekt për sipërfaqen e sapo hipotekuar të rezervuarit të Paskuqanit. Pohim që më së paku ngjan i çuditshëm! A është kjo punë për t’u marrë një Kryeministër? Pse i duhet kryetarit të Bashkisë Kamëz të theksojë kaq shumë mbështetjen e pandehur të Kryeministrit për një punë lokale të tijën? Apo asgjë nuk pandehet se bëhet në bashkitë e vendit pa mbështetjen e Kryeministrit?! Po ashtu, në projektin e ri, vihej re dhe ndryshimi i emrit të rezervuarit: tashmë ai emërtohet si Parku i Paskuqanit.  

Ujëmbledhësi i Paskuqanit u ndërtua në vitin 1983 dhe kishte për funksion grumbullimin e ujit për të gjitha zonat bujqësore përreth. Në atë kohë në Kamëz u ndërtuan disa rezervuare të tilla, (Ujëmbledhësi i Tapizës, i Zall Herrit, Liqeni i Ushtarëve, Ujëmbledhësi i Çerkezës). Për nga vendndodhja, ky ishte më i afërti me Tiranën. Ky rezervuar kufizohet me Bulçeshin (fshat ky i ndërtuar pas përmbytjes së Bovillës), me Bathoren dhe me Paskuqanin. Ka një distancë më pak se një kilometër me “Unazën e Madhe” dhe një distancë rreth 1.5 kilometra me “Bulevardin e ri’’.

Me rënien e regjimit, tokat bujqësore filluan të përdoren si hapësira banimi. Dalëngadalë ky rezervuar doli jashtë funksioni, deri sa rreth vitit 1998 sipërfaqja e liqenit për herë të parë filloi të zvogëlohej për arsye mospërdorimi dhe degradimi të digave.

Raporti i banorëve të rinj me rezervuarin

Me zvogëlimin e sipërfaqes ujore hapësirat përreth saj filluan të shfrytëzoheshin kryesisht në tre funksione: si hapësirë banimi, si kullotë për gjënë e gjallë që banorët e rinj kishin marrë me vete, dhe si hapësirë rekreacionale.

Hapësirat në të cilat filluan ndërtimet e para ishin ato afër rrugës për shkak të qasjes më të lehtë në elektricitet dhe në infatrukturën e nevojshme për të transportuar materialet e ndërtimit. Ky volum ndërtimesh ishte brenda hapësirës së pandërtuar më parë (shih hartën, ku rruga shërben si njëfarë vije demarkacioni), mirëpo nuk ndërhynte brenda hapësirës së tharë nga tkurrja e sipërfaqes së liqenit. Më vonë fillojnë dhe krijohen korridore brenda fushës së tharë dhe hapësirat e banimit zgjerohen.

Hapësira u ka shërbyer shumë për kullotë banorëve të shumtë që vazhdonin të mbanin kafshë edhe pas shpërnguljes nga fshatrat e origjinës. Duke qenë se kryesisht të ardhurit e rinj ishin nga zona malore, shumë prej tyre kishin marrë me vete edhe kafshët që mbanin në fshat (zakonisht lopë, po me raste edhe dele apo dhi). Jeta urbane nuk ishte e plotë, kishte përjashtime dhe nuk ishte e sigurtë. Ndaj kafshët përveçse do angazhonin ato që nuk do kishin mundësi të përfshiheshin në mardhëniet e punës në qytet, do të shërbenin edhe si bazë e sigurtë ekonomike që siguron produktet bazë të tavolinës; qumësht, kos, djathë, gjizë etj.
Me zgjerimin e ndërtimeve dhe me zvogëlimin e vazhdueshëm të hapësirava të përbashkëta në zonat përreth, toka e tharë dhe e pabanuar e liqenit u bë kullotë e re në këtë territor.

Përgjatë gjithë viteve ’90 liqeni i Paskuqanit ka qenë vendi ku fëmijët e lagjeve përeth mblidheshin dhe luanin. Aty janë formuar miqësi, projektuar ëndrra, kanë lindur identitete, kanë rënë një pas një autoritete e konvencione. Çdo pasdite zona mblidhte rreth vetes dhjetra fëmijë të moshave të ndryshme. Futbolli luhej pafund, përpos lojrave të tjera. Duke qenë se hapësira ishte e madhe dhe u bënte vend të gjithëve, lojrat bëheshin në disa nivele. Në nivel grupmoshe, lagjesh dhe tifozerish. Përveç futbollit, zhvilloheshin edhe sporte të tjera si mundja dhe noti; kjo e dyta pa mbështetjen e familjarëve. Ndërsa noti mësohej me bidona plastike pijesh: merreshin katër copë, lidheshin me njëri-tjetrin me një spango dhe përdoreshin si kamerdare. Në liqen zhvilloheshin edhe gara noti: nga njëra anë e bregut te tjetra, me ose pa bidona, në varësi të kalitjes. 

Pushteti lokal dhe Liqeni i Paskuqanit.

Jemi mësuar shpesh të luhet me degradimin ose me dështimin e mirëmbajtjes së hapësirave publike nga shteti; lojë kjo që më pas shërben si një paradhomë ose trampolinë për privatizimin e tyre si zgjidhje kinse çlirimtare. Njëlloj jemi mësuar edhe me projektimin e të ardhurit si zaptues, shpellar, të paditur dhe që më së paku meriton të kthehet nga ka ardhur. Në rastin në fjalë kemi të bëjmë me një përdorim politik të hapësirës, përmes kombinimit të harresës, përfitimit, dhe në fund sterilizimit pa asnjëlloj përgjegjësie. Në zonën për të cilën po flasim nuk ka pasur infrastrukturë rrugore. Banorët fillimisht kanë ndërtuar rrugën për të dërguar materialet e ndërtimit dhe më pas kanë ndërtuar banesat e tyre. Ndaj dhe banesat janë të grupuara në dy ose tre rrugë kryesore. Fillimisht ata vendosen në çadra ose jetojnë te shtëpitë e të afërmve deri sa shtëpia të mbarojë plotësisht.
Me mbarimin e objekteve lidhen kontrata dritash, uji, fillon pagimi i taksave vendore dhe shumë objekte futen në proces legalizimi.

Për të kuptuar shpërfilljen e madhe të bashkisë për rezervuarin duhet të themi se bashkia nuk ua mundësoi kurrë kanalizimet e ujërave të zeza komunitetit dhe për rrjedhojë të gjitha ujërat e zeza përfundonin në rezervuar. Pra, kishim një rezervuar që me bekimin e bashkisë u kthye nga ujëmbledhës i ujërave të bardha në ujëmbledhës të ujërave të zeza. Njëkohësisht, bashkia, në të njëjtin territor ku mban peng dhjetra familje prej vitesh në proces legalizimi, ka dhënë edhe leje ndërtimi si ajo për një magazinë gjigande.

Fjala e fundit është e fadromës. Në dhjetor të vitit 2022, 25 objekte në zonë u skualifikuan nga procesi i legalizimit sepse do të prekeshin nga projekti i rivitalizimit të liqenit të Paskuqanit. Banorët do të trajtohen me bonus qiraje për tre vite dhe më pas të pastrehë.

Bashkia Tiranë, ose ndryshe qendra gravitacionale dhe Liqeni i Paskuqanit.

Rruga Kamëz – Tiranë ka qenë përherë një drejtimëshe. Këtë mund ta shohësh me një vëzhgim të thjeshtë në secilën prej linjave që lidhin Kamzën me Tiranën. Në mëngjes, autobusi është i mbushur plot drejt Tiranës e në mbrëmje drejt Kamzës. Mes pasagjerësh gjen punëtorë krahu, nxënës, studentë, profesionistë, artistë, hajdutë, e gjithçka të ngjashme. Tirana ka monopolizuar gjithçka, punën, dijen, artin, madje edhe krimin. Kamza është një fjetinë gjigande, realitet i përkohshëm për shumë prej banorëve vitalë, ndërsa një burg, një boshllëk, një mungesë për të pamundshmit (pleq, fëmijë, gra).

Qyteti ishte dhe vazhdon të jetë qytet satelit në kuptimin ekonomik (të vetmet biznese me një numër të konsiderueshem punonjësish dhe që e ushtrojnë aktivitetin ekonomik brenda qytetit  janë fasoneritë). Shumica e bizneseve në Kamëz janë kafe, dyqane rrobash dhe ushqimore. Këto biznese për shkak të modelit ekonomik janë në zgrip ekonomik, ose tashmë kanë falimentuar, sepse në zonë kanë ardhur supermarketet e mëdha nga qendra (Spar, Big Market etj). Tregjet apo dyqanet e rrobave, apo dhe kafet, po falimentohen nga qendrat tregtare sepse aty gjen gjithçka dhe e fundit ekziston edhe një si stigmë e përbrendësuar se nuk pihet kafe në Kamëz. 

Ndërsa në kuptimin politik qyteti vazhdon të trajtohet si patericë. Kamza është nga ato qytete që prej mënyrës së krijimit, pozicionit gjeografik, popullatës së vendosur ka pasur një vendosje të dukshme djathtas në boshtin politik. Është përdorur sa është mundur edhe si shembull në debate politike, por edhe si ”artileri’’ në kohë protestash për të mbushur sheshet e qendrës. Madje ka vlerë të kujtohet se njëri nga të vrarët e 21 Janarit, Hekuran Deda, ishte me origjinë nga Dibra dhe ditën e demonstratës u nis drejt saj nga shtëpia e tij në Kamëz. Kamzaliu është përdorur dhe si tjetri barbar në kuptimin ideologjik. Urbanizimi, qytetaria, edukata, pastërtia, formaliteti, emancipimi kanë qenë nocione që e dallonin qendrën në raport me periferinë, pra Tiranën me Kamzën. Këtë mund ta vëmë re në shumë fusha dhe sfera, nga politikanë, urbanistë e deri tek emisionet e humorit që kishin si objekt të tyrin ”bathorizimin e shoqërisë’’. 

. . . 

Një parashtrim i tillë, edhe pse mund të duket mbase i tepruar, duhej për të kuptuar prezantimin e pritur të projektit të liqenit të Paskuqanit. Nga çka u tha më lart mund të merret me mend se një projekt i tillë nuk kishte se si të mos vinte nga Tirana. Në maj të vitit 2012, Grimshaw Architects fitoi projektin për Bulevardin e ri të Tiranës, rigjenerimin e lumit të Tiranës dhe në fund të tij lidhjen me liqenin e Paskuqanit. Në atë kohë nuk pati asnjë prononcim nga bashkia Kamëz, pavarësisht se projekti prekte territorin e kësaj të fundit. Pra, përveçse projekti vinte nga lart dhe nuk kishte asnjë diskutim me qytetarët, nuk u përfill as bashkia Kamëz dhe administrasta e saj. 

Në vitet 2015-2019, bashkëpunimi mes Bashkisë Tiranë dhe Bashkisë Kamëz ishte thuajse zero, madje herë pas here kishte dhe debate në distancë ku palët akuzonin njëra-tjetrën: nga aludimet për vjedhjen e ujit të Bovillës deri te aludimet për ndarjen e Kamzës nga Tirana me bllokimin e bulevardit si me qenë ndarja e Mitrovicës. Në katër vite madje nuk u bë asnjë ndërhyrje e vogël te vendi i quajtur ‘’Ura e Ngushtë’’ ku në  trafikun e përditshëm, në dy anët e urës, dy kryebashkiakët akuzonin njëri-tjetrin. 

Në 2019, opozita nuk u fut në zgjedhje dhe vetëm me 10% të votuesve Rakip Suli u shpall kryetar i Bashkisë. Me t’u shpallur kryetar bashkie Z.Suli, Rama dhe Veliaj kaluan urën dhe bënë një inspektim tek Rezervuari i Paskuqanit, për të promovuar punën e shkëlqyer të Rakip Sulit dhe për të ndarë me banorët e Kamzës gëzimin e tij meqë tashmë ëndrra e kryeministrit po gjente zbatim. Tirana dhe Kamza, kaq të ndryshme deri në këtë moment, tani dukeshin të ngjashme; mjerisht të ngjashme, meqë Tirana thjeshtë po zgjerohej.

Si po zhvillohet ky projekt?

Ndërhyrja e dytë pas hipotekimit të hapësirave të rezervuarit ishte rehabilitimi i digës së liqenit dhe ndërtimi i një pedonaleje. Duke parë nevojat e banorëve për hapësira publike, kjo pedonale ishte shumë e nevojshme dhe shumë shpejt u popullua si shëtitore. Çdo pasdite njerëzit vërshonin në rrugë, në trotuare filluan të piqeshin misra, të shiteshin akullore, leshterik rozë e me radhë. Ky përdorim na e dëshmon edhe njëherë nevojën e banorëve të qytetit të Kamzës për hapësirë publike.
Pas pedonales u shtruan dhe rrugët që e lidhnin liqenin me Tiranën. Ndërkohë që ato që e lidhin Kamzën me liqenin janë po njësoj.

Në gusht 2022, hapet gara për tender për ndërtimin e pedonales së brendshme të liqenit. Pavarësisht se kishte kaluar më shumë se një vit nga publikimi i projektit në rrjete sociale, asnjë punonjës bashkie nuk zbriti në terren për të diskutuar me banorët, për t’i informuar rreth këtij projekti apo (larg qoftë) për të arritur një marrëveshje me ta. Informacione për projektin është vështirë të gjesh në rrugë ligjore: nuk dihet cilat do të jenë koordinatat hapësinore të projektit, nuk dihet sa shtëpi do të preken nga ndryshimi në zonë, nuk dihet sa vite do zgjasë, sa do të kushtojë dhe mbi të gjitha kush do të përfitojë. Listës së gjatë me pyetje adresuar bashkisë nga ana jonë, punonjësit e bashkisë i janë përgjigjur me pohime qesharake dhe aspak të besueshme apo relevante për hulumtimin tonë. Në analizë është marrë edhe informacioni që ofrohet në PPV dhe PDV mbi projektin, i cili është shumë kontradiktor në të dhënat numerike. Të vetmin informacion që mund të gjejmë rreth projektit është ai i publikuar në faqen zyrtare të studios projektuese. Ky informacion përveç të tjerash tregon edhe mënyrën sesi ka ardhur te banorët ky projekt. Në projekt shkruhet:

’Parku i Paskquanit, i pozicionuar në Bashkinë Kamëz, është një projekt që kërkon të transformojë jetën e komunitetit përreth, por edhe të qytetit të Tiranës. Projekti synon të përmirësojë cilësitë ekzistuese të hapësirës, së cilës ndër vite, për shkak të informaliteteve i është cënuar funksionaliteti”

Këtu, në mënyrë të gënjeshtërt thuhet se kësaj hapësire i është cënuar funksionaliteti për shkak të informalitetit. Është e pamundur që informaliteti t’i ketë hequr kësaj hapësire një funksion të cilin nuk e ka pasur kurrë. Hapësira ka qenë thjesht një ujëmbledhës, funksionaliteti i të cilit është cënuar prej rënies së modeli socialist që e kishte ndërtuar atë. Informaliteti i banorëve, përkundrazi, i ka dhënë funksione të reja zonës.

Po ashtu, projekti shpreh:

Duke ndjekur gjurmën e re të zmadhuar të liqenit, janë projektuar shtigjet e reja kryesore: këmbësore, të vrapimit dhe pedalimit, të cilat pikënisjen e kanë në 3 hyrje kryesore: 1 nga bashkia Kamëz dhe 2 nga bashkia Tiranë të cilat ndjekin rrugët ekzistuese kryesore.

Edhe këtu, si në vende të tjera kuptohet se theksi vendoset në zgjerimin dhe zgjatimin e Tiranës dhe harrohet se ky projekt po zhvillohet në Kamëz dhe më së pari do të duhej t’i shërbente qytetarëve të Kamzës: projekti do të ketë dy hyrje për Tiranën dhe një për Kamzën. 

Lagjja që preket nga projekti dhe akt-marreveshja e pretenduar.

Hyrja në lagje është paksa e vështirë. Në fillim të saj gjendet një dyqan ushqimor dhe më pas të gjitha objektet e tjera kanë funksion banimin. Rruga është e kalueshme, gjenden dhe disa shtylla në tokë. Banorët thonë se rruga dhe shtyllat janë falë ndihmës së Tom Doshit me rastin e zgjedhjeve të 2019-s. Çdo person i ri që futet në lagje shikohet me dyshim dhe me pasiguri. Kur i pyet banorët nëse i ka informuar dikush për projektin, fillojnë dhe tregojnë të gjitha hallet dhe vuajtjet me të cilat i kanë ndërtuar këto objekte. Më pas të orientojnë drejt banorëve që tashmë ju ka ardhur akt- marrëveshja. Banorët fillimisht thonë që do ikin në Valias, e kanë diskutuar me kryetarin dhe ai u ka dhënë besën e burrit: ka mbaruar kjo punë. Madje disa familje priten të shpërngulen javët në vijim. Vetëm pas shumë këmbënguljesh arrijmë të marrim një kontratë në dorë. Kontrata parashikon vetëm pagesën e qirasë për tre vite, asnjë dakordësim tjetër të shkruar, asnjë detyrim tjetër ligjor nga bashkia. Shumë herë të mashtruar, banorët përveç shtëpive, këtë herë me çduket kjo formulë do ju marrë edhe votat në zgjedhjet e ardhshme. “Premtimi është dhënë, shtëpitë në Valias kalojnë më parë nga kutitë e votimit”.
Kjo mënyrë të vepruari ngre pikëpyetjet e shumëkujt për mënyrën sesi do të jetë vazhdimësia e projektit, pse institutucionet po veprojnë fshehurazi, çdo ndodhë me fatin  banorëve dhe kush do të jenë përfituesit e vërtetë të tij.

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje