Afërdita Onuzi: Të kthehet sa më parë vëmendja shtetërore ndaj institucioneve të kulturës, artit dhe trashëgimisë kulturore

nyje.al | 23.08.2019 
Bisedë me antropologen Afërdita Onuzi mbi studimin e saj të vitit 1979 mbi  fermën  “Ylli i Kuq” në Kamëz; kultura materiale,  veshjet popullore  dhe rëndësia e mbrojtjes së tyre, si dhe raportet shtet- dije sot.
40 vite më parë, në maj të 1979-s, një etnografe e re për arsye studimore vendos të marrë çdo ditë autobusin e linjës Tiranë-Kamëz për një muaj me rradhë për të zhvilluar ekspeditën e saj në Ndërmarrjen Bujqësore “Ylli i Kuq”. Kjo ndërmarrje shtrihej në veri-perëndim të qytetit të Tiranës, në një zonë pjesërisht fushore, pjesërisht kodrinore, e cila kufizohej në lindje me lumin Tërkuz, në perëndim me lumin e Tiranës dhe Lanës, dhe në veri me kooperativën bujqësore të Prezës e me ndërmarrjen bujqësore “17 nëntori”. Ndërmarrja bujqësore e krijuar më 29 maj 1946 me vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSH-së, 50 vite më vonë (1996) me rënien e diktaturës, do të merrte statusin e qytetit të Kamzës. [1]
Dyzet vite më vonë, e njëjta etnografe që kishte studiuar jetën e punëtorëve të fushës (bujqësisë), punëtorëve të minierave apo të sektorëve të tjerë të “Yllit të Kyq”, rikthehet në të njëjtin vend, (por me nuanca në të blu) për të diskutuar mbi studimin “Ndryshime në mënyrën e jetesës së klasës punëtore në Kamëz” (1979), përvojën e saj 48 vjeçare si antropologe si dhe sfidat aktuale të etnografisë shqiptare.
[1]Afërdita Onuzi, “Ndryshime në mënyrën e jetesës së klasës punëtore në fermën “Ylli i Kuq”, Kamzë, fq. 64,  Etnografia Shqiptare, nr.12, 1983.


Afërdita Onuzi është një nga studiueset më të rëndësishme në lëmin e etnografisë shqiptare. Studente e më pas kolege e themeluesit të Antropologjisë Rrok Zojzi, ka filluar punën e saj në vitet ’70, autore e shumë artikujve shkencorë, publikimeve dhe drejtuese e projekteve, ajo vazhdon sot e kësaj dite të japë kontribut të vyer në studimet antropologjike. Publikimi i fundit i saj, në pozicionin e drejtueses së projektit disa vëllimor “Veshje Popullore” na sjell një studim me vlera të jashtëzakonshme mbi veshjet popullore të Shqipërisë, duke nxjerrë në pah elementet arkaike e të veçanta, si dhe zbukurimet e tjera të veshjeve në rrethina të veçanta kostumologjike (Mirditë, Lezhë, Shkodër, Tropojë, Kukës e Has).

Pyetje: Një vështrim në retrospektivë, cila ka qenë trajektorja e edukimit deri sa arritët në studimet për Antropologji?
Përgjigje: Kam pasur një fëmijëri të bukur, brenda kushteve të asaj kohe. Jam lindur në Tiranë, e në moshën 5 vjeçare jemi kthyer familjarisht në Kukës, në qytetin e tim eti. Mbaj mend Kukësin e vjetër, në të cilin banonin shumë kosovarë të ardhur përgjatë viteve 1923-1929, të larguar forcërisht nga serbët. Ndjej mirënjohje ndaj shqiptarëve të Kosovës të zhvendosur në Kukës, pasi kishin ndikuar jo pak në organizimin e në pamjen e rregullt e të bukur të qytetit në atë kohë. Çdo rrugicë bënte garë me tjetrën se kush ishte më e pastra. Urbanistika e qytetit ishte projektuar nga një inxhinier italian; spitali ishte në cep e jo në qendër; thërtorja (në atë kohë quhej sallahame) ishte afër Drinit të Zi; qendra administrative ishte bllok më vete e zona e banuar më vete; kishte një lulishte që sot mund ta merrje për model.

Pasi mbarova arsimin 7-vjeçar në Kukës,  përzgjidhem më pas për të vazhduar në liceun artistik të Tiranës. Në përfundim të studimeve në lice, pasi e ndjeja veten jo fort të talentuar për degën e muzikës, dëshira ishte të vazhdoja studimet në Bashkimin Sovjetik, por kjo nuk u bë e mundur. Gjatë kohës së studimeve të mia në liceun artistik, ndikimi i mësuesit tim në lëndën e folklorit (Ramadan Sokoli) më nxiti dëshirën për të studiuar trashëgiminë kulturore. Veç kësaj,  edhe prejardhja ime nga zonat fshatare më favorizonte të vazhdoja studimet e mia në fushën e etnografisë.

Pyetje: Një ndër ekspeditat e zhvilluara në karrierën tuaj si antropologe ishte dhe ajo në maj të vitit 1979 në zonën e Kamzës, që në atë kohë quhej Ndërmarrja bujqësore Ferma “Ylli i Kuq”. Cilat ishin elementët e parë të jetës në fermë që u ndeshet përgjatë kësaj ekspedite?
Përgjigje: Fermat janë konsideruar të një niveli më të lartë se kooperativat, jo më kot, pas rënies së komunizmit fermat janë kthyer në qytete dhe kooperativat në fshatra. Kjo dukej që nga pagesa e ditës së punës; ndërkohë që në kooperativa ishte 30 lekë, në ferma ishte 200-250 lekë. Kjo ndryshonte dhe kapacitetin blerës, nëse me 30 lekë mund të blije vetëm një bukë misri, me 200 lekë mund të blije 4 bukë gruri, e kjo ndikonte edhe në nivelin e jetesës. E kisha zgjedhur fermën e Kamzës pasi na duhej të tregonim përparimin e zonave fshatare dhe ecurinë e punës në ferma, duke vënë në dukje ndryshimet që kishin ndodhur në mënyrën e jetesës, të banuarit dhe të ushqyerit në fermë. Shtëpitë private ishin shumë të pakta, pasi në atë kohë u ishte dhënë prioritet ndërtimi i pallateve për banorët. Në Kamzën e asaj kohe kishte banorë të ardhur nga Skrapari, nga Devolli, nga Mirëdita, Burreli dhe Kukësi po ashtu, por komuniteti më i madh ishte nga Skrapari. Numri i banorëve ishte rritur për shkak të krijimit të fshatrave të reja, zhvendosjes së banorëve nga zona të tjera dhe rritjes së lindshmërisë së popullsisë.

 

Marrë nga libri Etnografia Shqiptare, nr. 12 (1982)


Pjesë e shkëptuar nga studimi i mësipërm sesi kujtohet Kamza në 1979

Në mes të çdo fshati kalon rruga kryesore. Rreth saj janë vendosur pranë e pranë njëra-tjetrës ndërtesa e shkollës, vatra e kulturës, muzeu i fshatit, qendra shëndetësore, çerdhja e kopshti i fëmijëve, dyqani ushqimor dhe ai i artikujve të përzier, marangozët, rrobaqepsia, berberët, këpucaria etj. Ndërsa objektet ekonomike, pa përjashtim, ndodhen jashtë zonës së banuar. Kështu në pamjen e këtyre fshatrave ka lindur një skemë krejt e ndryshme në krahasim me skemën e vjetër. Në formën më të plotë këto ndryshime duken në fshatin Kamzë, që është dhe qendra e fermës. Pak gjë e ndan këtë qendër nga qyteti. Në mes të saj ka zënë vend një ansambël arkitektonik ku përfshihen pallati i kulturës e kino-klubi, spitali me të gjitha repartet, dy çerdhe e dy kopshte fëmijësh, magazinat popullore me artikuj të ndryshëm etj. Komplekse të tjera, si: shkolla e mesme, konvikti, dyqanet e riparim-shërbimit, restoranti, bufetë, banjo-lavanteria, parcelat e gjelbëruara që shërbejnë si vende pushimi për banorët, pallatet shumëkatëshe të banimit e plotësojnë më mirë pamjen e kësaj qendre banimi. “[2]
[2]Afërdita Onuzi, “Ndryshime në mënyrën e jetesës së klasës punëtore në fermën “Ylli i Kuq”, Kamzë, fq. 69,  Etnografia Shqiptare, nr.12, 1983

vazhdon:  Shtëpiat e banimit kishin një dhomë e një kuzhinë të vogël, një dhomë gjumi për çiftet që zakonisht ishte nga ana e diellit. Kuzhinat ishin të ndërtuara me një aneks; dhoma e pritjes lihej posaçërisht për të pritur miqtë. Odat pajiseshin njësoj me të njëjtat mobilje, pasi shteti kërkonte barazinë midis shtresave shoqërore: dy divane standart që në çdo shtëpi i gjeje njësoj, me copa damasku të prodhuara në Kombinatin e tekstileve “Stalin”, apo në Berat në tekstilin “Mao Ce Dun”, të njëjtit që prodhonin biblioteka dhe kundrabufe identike. Do mund të shtrohej pyetja përse të gjitha këto mobilie ishin njësoj? Arsyeja kryesore ishte se ndalohej iniciativa private, dhe të gjitha ndërmarrjet e drurit prodhonin njësoj si në Tiranë, si në Krujë, si në Pogradec ; shteti kërkonte barazinë, uniformitetin, të gjithë të njëjtë, të gjithë të barabartë. E njëjta gjë ndodhte edhe me qilimat e prodhuar në Krujë, në Korçë e në Kukës. Ndryshe ndodhte nëpër fshatra; aty gratë e zonave të thella duke qenë se shtroje e mbuloje i bënin vetë, aty-këtu gjeje shkëndija improvizimi dhe krijimtarie të veçantë.



Pyetje
: Në studimin tuaj për fermën “Ylli i Kuq” flisni edhe për kushtet higjeno-sanitare të banorëve. A duhej të shkonte deri në këtë pikë analiza e jetës së atëhershme për të vënë në dukje “një shtet higjienik”?
Përgjigje: Na duhej të flisnim për përparimin që kishte ndodhur në fermë, dhe duhej të ndaleshim edhe në të dhënat më të thjeshta e më bazike. Në atë kohë shumë pak shtëpi private kishin banjë brenda shtëpisë. Në pallate, banesa kishte organizim planimetrik.  Aty ishin krijuar më shumë kushtet për të pasur nivel më të lartë higjieniko-sanitar, dhe konkurenca me “njerëzit e së njëjtës shkallë” nxiste pastërtinë mes njëri-tjetrit. Kujtoj se me vështirësit e asaj kohe, me rëndësi të jashtëzakonshme ishte pajisja me mjete elektro-shtëpiake të kuzhinave apo dhomave të pritjes. Jo të gjithë kishin frigoriferë, të duhej ta ruaje mishin në frigoriferin e komshiut, për të mos thënë që një frigorifer shërbente për të gjithë shkallën.


Pyetje: Po marrëdhëniet në familje si ishin? A vazhdonin prindërit të kishin të njëjtin autoritet te fëmijët?
Përgjigje: Gjatë punës në terren, mua dhe kolegëve të mi na u desh të vëzhgonim marrëdhëniet dhe lidhjet martesore “socialiste” që quheshin ndryshe “me dashuri” e që dashuria konsistonte me një njohje në brigadë (dashuri e sinqertë) dhe ato marrëdhënie ose dashuri teatrale/spektakolare, ku vajza e shoqëruar me motrën, me nusen e vëllait dhe me vëllain shkonin e pinin një kafe duke qëndruar karshi me palën e djalit. Por edhe kjo, ishte një gjetje sa për t’u hedh hi syve sepse gjithnjë rregullat kanë pasur kundër-rregullat, dhe nuk ndodhte në të gjitha rastet ashtu siç predikohej apo ashtu siç shkruhej në studime.
Pyetje: Krahas panoramës shumë të mirë të kohës së fermës së Kamzës që paraqet ky studim, a ke vërejtur gjëra ndryshe në atë kohë nga komunikimi me njerëzit, por në material nuk e ke pasqyruar për efekt të kontrolleve? Si erdhi ndjesia që u riktheve në Kamëz pas kaq shumë vitesh?
Përgjigje: Rezerva më e madhe që kam ndaj studimit tim lidhej me (pa)kënaqësinë apo (mungesën) e entuziasmit që shprehnin njerëzit me të cilët takohesha. Ata thoshin se “jemi më mirë nga ç’janë fshatrat nga kemi ardhur”, por nga ana tjetër rropateshin gjithë ditën duke punuar. Dhe ishte shumë e vështirë për të kuptuar pakënaqësinë e njerëzve, pasi e fshehnin shumë mirë; e nga ana tjetër ne si studiues nuk e kishim për qëllim për të hetuar shumë në këtë aspekt; e gjithë puna ishte si të nxirrje në pah përparimin, nivelin e lartë krahasimisht me kohën e mëparshme, mirëqenien e punonjësve të fermës, që në mënyrë indirekte  i atribuohej shtetit si arritje. Para se të vija në këtë takim, pata mundësinë të kaloja nëpër ca rrugica të vogla, si psh rruga “Demokracia”. Çdo emërtim tjetër flet për qytetin e sotëm, nga i cili kuptojmë dhe më shumë për politikën aktuale urbane. Si për atë kohë kur Kamza quhej “Ylli i Kuq”, si për kohën e tashme që mbart emërtime të tjera. Po të kisha mundësi të ribëja një studim, do të doja të ndalesha te marrëdhëniet familjare dhe mendësia e njerëzve. Kultura materiale ndryshon shpejt, por ajo shpirtërore është shumë e ngadaltë në procesin e saj të zakontë.
Pyetje: Publikimi juaj i fundit në rolin e drejtueses së projektit disa vëllimor “Veshje Popullore” na njeh me vlerat e veshjeve popullore të disa krahinave kostumologjike, e gjithashtu zbulon dhe funksionet sociale të veshjeve në kohë të shkuara. Ideja për një projekt të tillë është menduar që në vitet ’70, por realizimi dhe publikimi i tij u bë i mundur së fundmi. Çfarë ka ndodhur përgjatë kësaj kohe? Si kanë ndryshuar veshjet?
Përgjigje: Meqënëse veshjet në krahasim me aspektet e tjera të kulturës materiale janë ato që japin më shumë informacione mbi mënyrën e jetesës, mbi gjendjen ekonomike, marrëdhëniet e krushqisë me krahinat e tjera, lidhjet ekonomiko-tregtare, ato paraqesin interes të veçantë. Përveç kësaj, ato japin rrjedhimisht të dhëna edhe për njësitë etnografike.  Për këtë arsye u mendua që të realizohej një kolanë në kuadrin e botimeve të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare. Klasifikimi i veshjeve është bërë duke marrë për bazë mendimet e shprehuar nga Andromaqi Gjergji dhe Rrok Zojzi. Në bazë të këtyre mendimeve u vendos të ndiqej linja e mendimit të shprehur nga studiuesja A. Gjergji, sipas së cilës veshjet popullore ndaheshin në 5 tipe për burra dhe 5 tipe për gra, prej të cilëve derivojnë variante të panumërta.

Deri tani kemi të dokumentuar  dy variantet më të hershme të veshjeve për burra:  veshje me fustanellë, e cila ka pasë një përhapje nga Veriu përfshirë Kosovën deri në Gjirin e Artës në Çamëri. Në Veri fustanella ka pasë variantin më të gjatë, deri te pulpa e këmbës, në Shqipërinë e Mesme gjatësia e saj arrinte deri poshtë gjurit dhe në Jug deri në gju. Në fillim të shek. XX kjo veshje u kufizua vetëm në Shqipërinë e Jugut, ndërsa në Veri në gjysmën e dytë të shek. XIX u zëvendësua me veshjen me tirq.
Për realizimin e këtij projekti puna filloi nga Shqipëria e Jugut sepse aty kishin ndodhur ndryshime më të shpejta ekonomike dhe kulturore dhe veshjet atje ishin më të ekspozuara ndaj shndërrimit dhe ndikimit të modave të kohës. U bë një studim i veshjeve të Myzeqesë, të Vlorës, të Tepelenës dhe të disa krahinave të tjera përreth. Më pas në një vëllim tjetër u përfshinë veshjet e Gramshit, Skraparit, Korçës, Ersekës dhe Përmetit dhe në një vëllim të tretë u përfshinë veshjet e Tiranës, Elbasanit, Burrelit, Krujës dhe Durrësit. Vëllimi i katërt përfshin zonën e Mirditës, Lezhës, Shkodrës, Tropojës, Kukësit e Hasit. Dhe vëllimi i pestë, po aq i rëndësishëm përfshin veshjet popullore shqiptare të Kosovës, tashmë i botuar.

Pyetje
: Sa të vështirë e kanë pasur vajzat e Malsisë për ta nxjerr në pah bukurinë e tyre natyrore?
Përgjigje: Vajzat në të gjitha krahinat e Shqipërisë, me përjashtim të një fshati në Peshkopi që quhet Zerqan, visheshin në formën më të thjeshtë, me sa më pak ngjyra, mundësisht vetëm bardh e zi. Edhe në Mirditë ka një përjashtim, pasi brezi në veshjet e vajzave ishte në ngjyrë vishnje. Edhe gratë e moshuara nuk kanë shumë ngjyra në veshjet e tyre, por gjithsesi më të pasur në detaje se vajzat. Sipas mendësisë popullore në të gjitha krahinat, vajza edhe flokët duhet t’i krihte në mënyrë të atillë për të mos rënë shumë në sy.  Sa raste kam pasur nëpër ekspedita ku më tregonin se pasi laheshin vajzat dhe natyrshëm dukeshin më të bukura, nënat e tyre i qortonin me pyetjen: “për ku je kështu, për kë je zbukurue? Hajde, prishmi ato flokë!
Vajzat duhet të mbaheshin sa më thjeshtë, sa më pak zbukurime. I vetmi zbukurim i lejuar për to ishte një fije peri me ngjyrë në veshët e shpuar. Kësisoj në Malësinë e Madhe, xhubleta e vajzës përmbante vetëm ngjyrat bardh e zi, e në kokë një shami të bardhë ose të zezë.

Veshje e vjetër gruaje, shek. XX. Mbetje e vjetër te gratë “virgjëra” e virgjëresha. Mirditë


Pyetje
: Në vëllimin e katërt do të dëshironim të na thoshit se ku qëndron dallimi midis veshjeve të krahinës së Hasit dhe atyre të Lumës?
Përgjigje: Në artin popullor ka një sistem dekorativ të përcaktuar që niset nga skema kompozicionale. Parimi i përgjithshëm është që të dyja anët e këmishës të jenë njësoj, psh si njëra dhe tjetra pjesë e gjoksit, ose si njëra mëngë ashtu edhe tjetra. Në Has vërehet një çudi e madhe dhe me shumë interes nga ana shkencore. Sistemi dekorativ ka vendosje asimetrike të figurave; psh një breshkë në njërën anë e një gjarpër në anën tjetër, ose një akrep përballë një figure tjetër.
Si shpjegohet kjo? Midis të tjerave nëna ime ma ka thënë, por edhe të tjerë me janë përgjigjur thjesht se “ashtu e do syri”; pra është një kërkesë estetike e zonës. Këtë e kemi quajtur sistemi dekorativ asimetrik që e gjejmë vetëm në krahinën e Hasit këtej dhe matanë kufirit me Kosovën. Zbukurimet e shtuara në pjesën e gjoksit dhe të belit, të ndikuara nga marrëdhënie të ndryshme me Malsinë e Gjakovës na rrëfejnë për një element tjetër të mendësisë së zonës; zbukurimet e “tepruara”, të cilat bëheshin për syrin e keq, “por mos me marrë mësysh” për nuset e reja të cilat dëshirohej të bëheshin nëna.

Pyetje: A mendoni se ekzistojnë mundësi që me politika kulturore të realizohet riprodhimi i veshjeve popullore sipas traditës?
Përgjigje: Ky është debat i kahershëm mes kundërshtisë së mendimit liberal dhe edukues; pra ose sipas traditës ose për një liri për t’u zhvilluar sipas shijes së atyre që i prodhojnë sot. Unë përsonalisht mbaj qëndrimin se shijet duhen edukuar në mënyrë të tillë që të ruhen disa nga karateristikat themelore të veshjeve tradicionale, pasi ndikojnë në ruajtjen e identitetit tonë dhe identifikimit si komb. Sigurisht duke përdorur materiale që na ofron koha e sotme.
Pyetje: Jeni shprehur publikisht më parë mbi pakënaqësinë tuaj për shkak të mungesës së një muzeu etnografik kombëtar, si dhe ndaj harresës së plotë shtetërore ndaj Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit; çfarë duhet bërë sot?
Përgjigje: Me shumë keqardhje e them se ka mundësi të jemi i vetmi vend që nuk e ka një muze etnografik kombëtar. Është punuar para dy vitesh për ngritjen e një Pavioni të madh etnografik pranë Muzeut Historik Kombëtar, por deri më sot ai vazhdon të qëndrojë i mbyllur pa asnjë arsyetim. Ndërkohë, në këtë Pavion ka me mijëra objekte të kulturës materiale të cilat qëndrojnë në kushte që i rrezikojnë deri në shkatërrimin e plotë ato.
Ndërsa në lidhje me pyetjen e dytë, edhe pse jam shkëputur pothuajse prej 4 vitesh nga puna në institucion kam vënë re një kontraditë të madhe mes dëshirës së studiuesve për të punuar dhe për të çuar përpara punën e IAKSA-së dhe mungesën e mbështetjes shtetërore.  Në kohë të tilla, vetëm drejtues dhe studiues idealistë munden me ia dalë me mbajtë në këmbë një instituticion kaq impenjativ sa ç’është Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit në Tiranë. Nëse deri tani kritikuam periudhën e socializmit që nuk i shkonim gjërave deri në rrënjë dhe ndiqnim politikat shtetërore në interes të pushtetit, nga ana tjetër nga ajo kohë ka mbetur një fond i jashtëzakonshëm i punës që është mbledhur në terren përgjatë kërkimeve në ekspedita. Arritëm të krijonim një arkiv shumë të pasur etnografik, me shumë objekte, me shumë fotografi si dhe ekzistonin kushtet për të zhvilluar studime, botime dhe ngritje muzeumesh të temave të ndryshme. Në atë kohë e kishim të detyrueshme për të zhvilluar 3 muaj punë në terren. Kujtoj disa nga ekspeditat e mia që shkonim me kamionë për të blerë objekte etnografike të llojeve të ndryshme.
Për fat të keq, prej vitit 1990 e këtej në arkivin e IAKSA  nuk ka hyrë asnjë objekt, por vetëm ndonjë që na e kanë dhuruar apo që e kemi “lypë” e gjetë me iniciativën tonë. Sot kemi antropologë pa ekspedita, muze pa pavione etnografie, objekte të kulturës materiale pa kushtet e nevojshme të ruajtjes së tyre. Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit nëse ka arritur të publikojë studime solide në fushën antropologjisë së modernitetit, e të na përfaqësojë në konferenca ndërkombëtare si dhe të ndërtojë marrëdhënie të qëndrueshme me institucione të rëndësishme rajonale e ndërkombëtare, ka ardhur vetëm prej nismës personale të drejtuesit dhe studiuesve të këtij instituti. Sa më shpejt të kthehet vëmendja dhe mbështetja shtetërore drejt institucioneve të kltures, artit dhe trashëgimisë kulturore. Sa më shpejt sa nuk është vonë.
Kjo bisedë është zhvilluar në hapësirën e grupit të aktivistëve ATA në Kamëz, në 24 qershor të 2019-s dhe është përshtatur për publikim nga Marjana Syla dhe Diana Malaj.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje