14.02.2022 | nyje.al
Edhe sot, si para dhjetë ditëve, banorët e Paskuqanit kanë bllokuar Unazën e Madhe. Indiferenca e pushtetit dhe zgjidhja e munguar e hallit të madh të shtëpive të tyre, i ka nxjerrë në rrugë.
Të bashkuar me qytetarë të zonave të tjera që preken nga projektet e tjera publike, ata akuzojnë pushtetarët për mashtrim dhe lojë të ndyrë ekonomike, që ka sjellë edhe devijimin e projektit të ndërtimit të Unazës së Madhe.
Protestuesit kishin diçka për t’iu thënë pushtetarëve edhe për adresimet e emërtimet që ua kanë vënë mbi shpinë.
Në protestën e sotme pjesëmarrës ishin edhe banorë nga Kodra e Priftit, zonë që preket nga ndërtimi i Lotit 1. Edhe në këtë pjesë të Unazës së Madhe ka devijim sipas banorëve, që çon në gati tetëfishim të banesave që prishen.
Banorët vazhdojnë ta konsiderojnë tallje të pushtetit, atë çka ofrohet pas shembjeve: bonusin e qerasë, banesat sociale apo kreditë e buta. Kur pyeten nëse do i shfrytëzojnë si mundësi, të nervozuar përgjigjen që nuk e kanë ndërmend.
Protesta u mbyll me thirrjet: “Tirana është e jona! Shqipëria është e jona!” dhe me njoftimin për tubimin radhës, të enjten përballë parlamentit.