Liza dhe Ledioni, dy banorë të “5 majit” që shënjuan rezistencën e sotme kundër prishjes së shtëpive

nyje.al | 19.01.2022
“5 majit”, rrezet e diellit sot i sollën edhe policë, zjarrfikës e punonjës të IMT. Banesat e fundit po zbrasin për ti hapur rrugë prishjes që pritet të fillojë në orën dhjetë të mëngjesit. Banorët që kanë rezistuar kundër këtij aksioni janë shoqëruar, fqinjët e tyre tregojnë për rreth 6 të arrestuar.

Mëngjesi i 19 janarit, në lagjen “5 maji”, e gjeti Lizë Markun me shtëpinë në prag shembje, Tiranë,  Janar 2022, Ronald Qema


Shtëpia e Lizës

Pamje gjatë prishjes së banesës së Lizë Markut, Tiranë, Janar 2022, Ronald Qema

Para disa kohësh, familja e Liza Markut ka qenë dëshmitare e shembjes së shtëpisë ngjitur. Të 14 pjesëtarët e familjes së saj e kanë përjetuar tmerrin e tjetrit, duke shpresuar që edhe pse aq afër me ta, nuk do e kishin për hise të njëjtin fat. Sot, Liza Marku ka pa shembjen e shtëpisë së saj, arrestimin e djemve të saj, dhunën e policisë, çmendurinë e pushtetit pa pasë as kushtin njerëzor për të qarë tragjedinë e vet. Ajo është shqit prej saj aq dhunshëm sa as teshat e vdekjes nuk ka mundë me i marrë me vete. Liza, në mes të shkatërrimit, gjen kohë për t’i thanë dy fjalë “M’kanë qit jashtë, as ilaçet s’i kam marrë. S’di ku i kam. Pa a’ t’u m’dhanë forcë dreqi, mu dreqi m’jep forcë”.

Shtëpia e Ledionit

Raportimet nga terreni na njoftojnë se po tentohet të shembet shtëpia e radhës. Kryefamiljari F. M., me origjinë nga Dibra, me dokumentet e shtëpisë në dorë, është arrestuar nga forcat policore për shkak se nuk ka pranuar vullnetarisht të lirojë banesën e tij. Ai ka kundërshtuar po ashtu të lidhë marrëveshjen me bashkinë e Tiranës, e cila është konsideruar jo vetëm nga ai, por edhe nga ekspertë të ligjit krejtësisht e njëanshme dhe e paligjshme. Momentalisht, forcat policore e kanë rrethuar shtëpinë në të gjitha anët, ndërkohë që brenda saj janë djemtë, gruaja dhe vajza. Policia dhe krerët e forcave policore po tentojnë të dakordësohen me familjarët që janë mbyllur brenda shtëpisë, por deri tani askush nuk pranon të dalë jashtë saj.

Më datë 13.01.2022 kjo familje është njoftuar nga Bashkia Tiranë dhe Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit të bëjnë lirimin e shtëpisë për t’i hapur rrugë ndërtimit në zonën e “5 Majit”. Më datë 15.01.2022 kryefamiljari i është drejtuar Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Komisionit të Posaçëm të Shpronësimit si dhe Avokatit të Popullit duke kërkuar ngritjen e një Komisioni të Posaçëm për saktësimin e sipërfaqes së ndërtimit, dhe aksesimin e të gjitha akteve juridike të bashkisë dhe këshillit bashkiak Tiranë. Kësaj familjeje, siç është dhe rasti i shumë familjeve të tjera, nuk ju është garantuar strehimi në rast të lirimit të objektit. Kontrata e paraqitur nga ana e bashksië Tiranë nuk garantonte modalitetet e strehimit në të ardhmen, duke mos u dhënë asnjë informacion se ku do të ishte prona e tyre që do të merrnin dhe sa do të ishte sipërfaqja e përfituar.

Ledion Mziu u shndërrua sot në një nga “heronjtë” e 5 majit me rezistencën e tij në mbrojtjen e shtëpisë, nga çatia e së cilës e shkëputën me dhunë efektivë të policisë duke përfunduar në spital dhe pas trajtimit u shoqërua në komisariat, Tiranë, Janar 2022, Ronald Qema

 

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje