2 vite pas shembjeve tek “5 maji”, banorët: “Rrënojat janë të shtetit, jo tonat”

nyje.al | 14.01.2024

Hera e fundit që shqiptarët kanë dëgjuar për Nënë Lizën e “5 majit” ishte rrëmuja mediatike e prodhuar nga Kryetari i Bashkisë Tiranë që njoftoi se ajo tashmë ishte bërë me shtëpi. Por Liza Marku, edhe vitin e ri 2024 e priti tek të afërmit e saj. Tashmë bëhen dy vite që prej nisjes së shembjeve në njësitë administrative katër e tetë në Tiranë dhe banorët shprehen që nuk kanë nisur ende të strehohen në godinat e projektit “Tirana Riverside” të Steffano Boer-it. 

“Në lagjen tonë asnjë s’ka hy mrenë, në pallat. Pallati është gati aty, të na marrin të na fusin. Ai të ndjekë mendjen e vetë, ne të na e hjeki stresin. Dal e e shoh shtëpinë time grumbull aty. E pa i pas borxh, t’i kisha pasë kujt borxh, n’dashtë, po si kam pas borxh shtetit kurrë.” 

Liza Marku

Rrënojat e shtëpisë së Nënë Lizës dhe familjeve përreth janë kthyer në vend-depozitim plehrash dhe e fundmja ndërhyrje nga institucionet ka qenë ekskavatori që i ka shembur këto shtëpi. Të ftuar nga gazetari Erion Skëndaj, i cili po përgatit një emision mbi 2 vjeçarin e pritjes së banorëve të “5 majit” për tu strehuar, një pjesë e banorëve protestues treguan ç’ka ka ndodhur me jetën e tyre që prej shembjeve të shtëpive të tyrë dhe ringritën kërkesat e tyre politike. 

Që prej janarit 2022, asnjë ndodhi nuk ka pasur në zonë dhe banorët vazhdojnë të enden nëpër banesa me qera. Bonuset e qerave, që jepen prej Bashkisë Tiranë, rëndojnë po prap mbi banorët shprehen ata pasi është buxhet publik i cili shkon për keq-menaxhim nga institucioni, që me nxitim prishi banesat pa pasur plan zhvillimi efektiv. 

Elson Marku

‘Unë nuk e kuptoj pse i prishën këto shtëpi. Edhe sikur bashkia të funksiononte, të prishësh shtëpitë e dyzetë familjeve e t’i lësh në rrugë për dy vite, kjo sjell kosto. [...] Për 12 muaj janë 100 milionë lekë që nxirren (nga buxheti i Bashkisë), për dy vite 200 milionë ose 200 mijë euro që prap se prapë vijnë nga ne, qytetarët e Tiranës. Nuk e kuptoj pse u bë gjithë ajo luftë.”

Kur Gjin Nikolli i është drejtuar Bashkisë Tiranë me kërkesën për të marrë një përgjigje për këtë situatë, atij i është refuzuar përgjigja. Nikolli tregoi se pasi pyeti pse i kishin nxjerrë me dhunë, arrestime e gaz lot-sjellës kur nuk kishin në plan të ndërtonin, punonjësi i Bashkisë nuk tha asgjë. 

Shpresa mbetet. Ku?

Po ashtu si procesi i ndërtimit, edhe proceset gjyqsore po ecin shumë ngadalë sipas banorëve. Ata tregojnë që vonesat duket të jenë të qëllimshme që t’i bëjnë të heqin dorë nga kërkesat e tyre. E dëshmuar prej faktit që edhe nga ata që kanë firmosur akt-marrëveshjen me Bashkinë e Tiranës, nuk janë strehuar, banorët u shprehën që beteja ligjore vazhdon. Disa prej çështjeve e kanë kaluar shkallën e parë, por sipas tyre vetëm në sistemin juridik ndërkombëtar mund të marrin të drejtën e tyre.

Ndue Marku

“Kur të dërgohen në Strasbourg, jo vetëm që do na japin të drejtë por ata do venë edhe duart në kokë. Nuk ka mundësi që një pronar i ligjshëm të shpronësohet me justifikim “interes publik” edhe të ndërtohet banesa e dyqane për një zotëri tjetër që dihet a s’dihet ku është.”

Besimi në institucionet e vendit, përfshirë ato të drejtësisë, mes banorëve është i ulët. Edhe media, si një pushtet që do duhej të ishte në shërbim të qytetarëve, ndër banorët që kanë rezistuar në betejën e mbrojtjes së banesave të tyre shihet si bashkëpunëtore e qeverisjes dhe mjet në duart e pushtetit. Propaganda e kryebashkiakut të Tiranës rreth çështjes së “5 majit” dhe gjithë insinuatat e krijuara prej tij lidhur me banorët që kanë rezistuar përballë shkatërrimit të shtëpive kanë ndikuar në opinionin publik. 

Franga Blini

“Edhe te gazetarët tani i kam humb shpresat se thonë janë pajisë me shtëpi. Rrenat e televizorit, kë të hasësh në rrugë thonë: “Po, moj e ke marrë (shtëpinë).” Njerëzit besojnë atë që thojnë këto gazetarët, çdo gjë e marrin nga televizori. Të gjithë thonë: “Ti nuk ke firmos, ja Nanë Liza e ka marrë shtëpinë.” Nanë Liza është tezja e burrit, unë e shoh ku jeton Nanë Liza, gënjehet ndonji tjetër jo unë.”

Për t’u rikthyer tek shpresa që në të ardhmen do të gjejnë drejtësi, shqetësim mes të gjithë banorëve prezent ishte largimi jashtë vendit i shumicës prej banuesve të shtëpive të shembura. Edhe në familjen Blini e ardhmja ka hapur debate në familje. Ata detyrohen të paguajnë për kredinë e shtëpisë që tashmë është shembur, të paguajnë 40 mijë lekë qera në muaj, pa asnjë mbështetje pasiqë nuk marrin bonusin e qerasë dhe as nuk është e qartë për të ardhmen e shtëpisë së saj. Kjo pasi banesa e tyre ka qënë në pronësi të vjehrrit të saj dhe ajo tregon që është e  penalizuar sepse nuk e njohin si përfituese. Shkaktuar nga gjithë kjo situatë, Zonja Blini shprehet se fëmijët i janë ankuar për vendimin e kthimit në Shqipëri para disa viteve dhe se mezi presin që të arrijnë moshën e lëvizjes së lirë për të lënë vendin.

Thirrje për SPAK-un

Ndue Marku mendon që Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit e ka mundësinë të dëshmojë veten edhe mirëfunksionimin e saj, duke marrë nën shqyrtim të gjithë procedurën shtetërore që nga VKM-të e qeverisë tek kontrata e ofruar nga Bashkia Tiranë dhe duke marrë vëndime lidhur me të gjitha akuzat që banorët ngrejnë. 

“Do doja që të paktën në këtë vend të mund t’i besoja drejtësisë. […] Nëse është dikush që e sheh këtë (nga SPAK), këtë thirrje kam, ta marrin që ditën që është shpallur VKM-ja, ose që ditën që është bërë konsultim online, shkak i virusit, ta marrin të verifikojnë: Pse u bë këtu? A është vërtet interes publik? Kush i mori tenderat? Kush përfiton?.” 

Ndue Marku

Dyshimet e banorëve për mos fillimin e punimeve në zonën e tyre lidhen me mos-marrëveshjet mes Bashkisë Tiranë dhe ndërtuesëve, që nuk pranonjë përfshirjen në projekt. Ata tregojnë se dy vite po kalojnë dhe kanë mbetur jashtë, por sipas parashikimeve edhe së paku dy vite të tjera situata do të jetë e njëjtë pasi edhe po të nisin punimet për ndërtimin e godinave sot, sipas Gjinit do duhen 18 muaj minimumi për t’u përfunduar. 

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje