E drejta pronësore e gruas, rasti i Kamzës

Aurora Leka | 26.04.2022 | nyje.al
Në përvojën tonë, shumica e rrëfimeve të banorëve të Kamzës mbi ardhjen e tyre nisin me ndërtimin e shtëpisë. Në kulturën tonë, shtëpia ende përbën asetin kryesor pasuror më të cilin lidhet mirëqenia dhe siguria e një individi, ndoshta dhe aseti kryesor që lihet në trashëgim. Gjatë takimeve që kam mundur të ndjek në kuadër të Laboratorit të Antropologjisë Urbane është cekur gjatë çështja e trashëgimisë dhe e drejta e barabartë që gëzojnë vajzat e shtëpisë për të trashëguar, ndërkohe qëndrimet e të intervistuarve kanë qënë të prera “…sipas kanunit, vajza nuk ka pjesë këtu”. Nisur nga kjo dhe për shkak të përvojës dy-vjeçare profesionale në këtë fushë kam vendosur të marr në shqyrtim këtë temë si përgjigje ndaj asaj çka ka ndodhë faktikisht me pasurinë objekt trashëgimi përkundrejt rrëfimeve nga banorë të Kamzës.

Analiza ime (për aq sa mundem) do të synojë të sjellë një panoramë të shpejtë se si është e rregulluar kjo fushë në Shqipëri, si tradita patriarkale ka ndikuar në shtrembërimin e këtyre rregullave, por edhe në sjelljen e organeve shtetërore e publike të cilat kanë detyrimin e zbatimit të kuadrit ligjor shqiptar i cili faktikisht është përpjekur të garantojë të drejtat e grave dhe vajzave në familje (trashëgimi dhe bashkëpronësi martesore).

Në këto 30 vite tranzicion, me procesin e legalizimit,  me pajisjen me dokumentacion të rregullt të këtyre pasurive, pra formalizimi i kësaj marrëdhënie juridike ka bërë që edhe trashëgimia të mos jetë vec një fjalë goje, por t’i nënshtrohet procedurave komplekse, afateve të caktuara, por edhe kufizimeve të qarta. Kodi Civil i Republikës së Shqipërise ndonëse daton që nga viti 1994 nuk ka mundur ende të zbehë ndikimin e rregullave kanunore. Institucionet e dobta ligjzbatuese, të cilat po ashtu reflektojne këtë traditë patriarkale, kanë lehtësuar në mënyrë të paligjshmë shpesh herë përjashtimin e grave dhe vajzave nga trashëgimia, nëpërmjet një mekanizmi, ose hapësire ligjore që është “heqja dorë” nga trashëgimia. Pra, në shumicën e rasteve janë gratë dhe vajzat që heqin dorë nga pasuria. Megjithëse heqja dorë në emër dashurisë, respektit, ndihmës për vëllain mund të jenë të kuptueshme pasi hera-herës nuk ka shumë për t’u ndarë, nuk ka përpjekje për të gjetur rrugën e duhur ligjore pa dëmtuar përfundimisht pozitën e trashëgimtares.

Shkurt mbi parashikimet ligjore.
Trashëgimia është kalimi me ligj ose me testament i pasurisë (trashëgimit) të personit të vdekur, një ose më shumë personave (trashëgimtarë), sipas rregullave të caktuara në Kodin Civil. Trashëgimia me ligj zbatohet kur trashëgimlënësi nuk ka bërë testament, ose ka bërë vetëm për një pjesë të pasurisë së tij, ose kur testamenti është tërësisht ose pjesërisht i pavlefshëm. Trashëgimia çelet kur vdes trashëgimlënësi. Pra me vdekjen e trashëgimlënësit (nëse ai nuk ka lënë testament) pasuria kalon te trashëgimtarët sipas rradhës që njeh ligji. Paraqitja e trashëgimtarëve pranë noterit vetëm sa formalizon këtë gjendje të re juridike. Dhe ligji i njeh si të barabartë të gjithë fëmijët si tashëgimtarë.

Në rradhë të parë thirren në trashëgim fëmijët dhe bashkëshorti i aftë ose i paaftë për punë, duke trashëguar secili në pjesë të barabarta. Kur një nga fëmijët ka vdekur para trashëgimlënësit, është bërë i padenjë për të trashëguar, ka hequr dorë nga trashëgimi, ose është i përjashtuar nga trashëgimi, në vend të tij hyjnë me zëvendësim fëmijët e tij dhe kur për shkaqet e sipërme nuk mund të jenë trashëgimtarë, vijnë në trashëgim të paslindurit e tyre pa kufizim. Në këtë rast, pjesa e prindit që nuk trashëgon, ndahet ndërmjet të paslindurve në pjesë të barabarta.
Heqja dorë nga trashëgimia duhet të bëhet me deklaratë të shkruar, që regjistrohet te noteri i njësisë vendore ku është çelur trashëgimia, ose me deklaratë noteriale të redaktuar nga noteri. Heqja dorë nga trashëgimi mund të bëhet brenda 3 muajve nga çelja e trashëgimisë (kupto vdekjen e trashëgimlënësit) dhe kur trashëgimtari është jashtë shtetit, jo më vonë se 6 muaj. Trashëgimtari që ka deklaruar rregullisht heqjen dorë ose jo nga trashëgimi, nuk mund ta shfuqizojë më pas këtë deklarim. Heqja dorë nga trashëgimi, e bërë para çeljes së trashëgimisë, ose kur bëhet me kusht, me afat, ose për një pjesë të trashëgimit, apo në dobi të njërit nga trashëgimtarët e tjerë, është e pavlefshme.

Çfarë ndodh vërtet?
Që nga viti 2013 proçesi i lëshimit të dëshmisë së trashëgimisë nuk realizohet më nga gjykatat, por nga noteri, të cilit i është besuar ky proçes, me qëllim lehtësimin e proçedurave, rritjen e cilësisë së shërbimit për qytetarët dhe lehtësimin e punës së gjykatave. Një individ palë e interesuar, që në shumicën e rasteve është njëri nga fëmijët e të ndjerit paraqitet pranë noterit në qytetin ku ka vendbanimin e fundit i ndjeri dhe kërkon lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë. Noteri administron dokumenta që vërtetojnë gjendjen civile të të ndjerit dhe lëshon dëshiminë.

Një noter në Kamëz mbulon shërbime për afërsisht 20 000 banorë. Numri i hartimit dhe depozitimit të testamenteve ka ardhur në rritje. Në një nga zyrat noteriale në Kamëz janë hartuar 10 testamente për vitin 2019, dhe 9 testamente për vitin 2020. Mes tyre ka më shumë raste që pasuria u lihet djemve, por ka edhe raste të hartimit të testamentit me qëllim ndarjen sa më të drejtë të pasurisë mes fëmijevë djem dhe vajza. Megjithatë, kjo statistikë na tregon për trendin në rritje të hartimit të testamentit, por nuk duhet të harrojmë që këto testamente nuk janë çelë ende (nuk kanë marrë fuqi), ato thjesht janë hartuar e depozituar pranë noterit. Ndërkohë në 90% të rasteve në Kamëz, trashëgimia i nënshtrohet rregullave të trashëgimisë me ligj dhe numri i çeljeve të testamenteve është ende i papërfillshëm (1 në vit).

Atëherë, në këto raste noteri i thërret si trashëgimtarë në pjesë të barabarta, bashkëshorten dhe fëmijët (djem apo vajza qofshin). Në 90% të rasteve vajzat, gratë, paraqiten të shoqëruara nga vëllezërit e tyre për hartimin e një deklarate për heqjen dorë nga trashëgimia, duke mos patur asnjë pretendim mbi pasurinë e babait. Kjo ndodh herë duke reflektuar qartazi normat e kanunit dhe herë për hir të sheshimit të konflikteve me vëllezërit. Ndërsa kur trashëgimtarët burra njoftohen me këto rregulla thonë shpesh: “po motra ka shku te burri”, “motra e ka pasurinë te burri”, “s’ka punë motra te shpia ime”.

Edhe pse shpesh herë vullneti i palës është për heqjen dorë nga pronësia për pjesën takuese në shtëpinë që banon vëllai, mjeti ligjor i përdorur sipas pikëpamjes sime është i gabuar dhe madje mund të bëhet edhe objekt kundërshtimi në gjykata duke rritur rastet e konflikteve në të ardhmen.

Pse ndodh kjo?
1.Ka raste kur vajza heq dorë nga pasuria dhe ia kalon njërit vëlla, ose vellëzërve. Ligjërisht, heqja dorë nuk mund të bëhet në favor të dikujt, pasi me këtë veprim pala jo vetën që nuk po heq dorë nga pasuria, por edhe po sillet si pronare, duke ia kaluar pasurin një të treti.

  1. Vajza heq dorë nga pasuria dhe noteri “harron” që në vend të saj, hyjnë si trashëgimtarë fëmijët e saj dhe jo vëllezërit. Kur një nga fëmijët ka vdekur para trashëgimlënësit, është bërë i padenjë për të trashëguar, ka hequr dorë nga trashëgimi, ose është i përjashtuar nga trashëgimi, në vend të tij hyjnë me zëvendësim fëmijët e tij dhe kur për shkaqet e sipërme nuk mund të jenë trashëgimtarë, vijnë në trashëgim të paslindurit e tyre pa kufizim. Pra të gjithë ata fëmijë, nënat e të cilëve kanë hequr dorë nga trashëgimia dhe nuk janë shpallur trashëgimtarë kanë të drejtë nëpërmjet një padie të kërkojnë pjesët e tyre.

Heqja dorë nga trashëgimi është një akt i parevokueshëm dhe bëhet për gjithë pasurinë takuese si trashëgmitare. Ndodh shpesh që vlera e pasurisë të ndryshojë në kohë, ndaj do të ishte më efektive që kur qëllimi është dhurimi i një pjese të pasurisë, të përdoren mekanizma të tjerë, si kontrata e dhurimit.

As te baba, as te burri…
Situata nuk paraqitet fort e mirë as për gruan bashkëshorte, apo bashkëshorte të trashëgimlënësit. Një çift nën regjimin e pasurive të përbashkëta i disponon asetet pronë e tyre me të drejta të barabarta mes njeri-tjetrit, ndaj të mos harrojmë që objekt i trashëgimisë në rastet kur ndërron jetë bashkëshorti është gjysma e pasurisë. Noteri ka detyrim ligjor që në dëshmi të citojë klauzolën se dëshmia e trashëgimisë, pavarësisht rrethit të trashëgimtarëve në çastin e regjistrimit pranë institucionit përgjegjës për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, nuk mund të cenojë pjesën e bashkëshortit të prezumuar bashkëpronar për pasuritë e përfituara përgjatë martesës.

Ka raste kur bashkëshortja heq dorë nga trashëgimia, nga pjesa që i takon si trashëgimtare dhe në momentin që prona regjistrohet pranë Kadastrës ajo fshihet fare si bashkëpronare e pasurisë së paluajtshme. Krejt në kundërshtim me ligjin. Ajo mbetet pronare në 1/2-tën pjesë, çfardo që të ndodhë me pjesën tjetër të pasurisë, pasi vetem 1/2 pjesë e bashkëshortit të ndjerë është objekt i trashëgimisë.

Kjo vjen ngasë gjatë gjithë këtyre viteve ka ndodhur rrallë që në certifikatat e pronesisë të shënohet emri i dy bashkëshortëve për një pasuri të vënë përgjatë martesës. Vetëm nga mesi i vitit 2019 kemi një urdhër për pasqyrimin e emrave të dy bashkëshortëve në certfikatën e pronësisë, i cili ende nuk zbatohet si duhet. Është e çuditshme madje si ende zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme kur regjistrojnë një kontratë blereje, ku blerës është burri, shënojnë vetëm emrin e tij në certfikatën e pronës, dhe kur blerëse është gruaja i shënojnë të dy bashkëshortët.
Kollaj mundemi të shohim se ndonëse kemi parashikime të mira ligjore, kemi padrejtësi në ndarjen e pasurisë. Ndonëse kemi mjetet e nevojshme për rregullimin e këtyre marrdhënieve, ende s’ka vullnet dhe as kulturë burokraktike për lehtësimin e tyre. Çdo procedurë sot lidhur me pasuritë e paluajtshme është e pasigurt, zgjat në kohë dhe është relativisht e kushtueshme për familjet e Kamzës. Nëse do mund t’i kishim tejkaluar gjithë këto, e drejta zakonore s’do ta kishte patur shumë kollaj dominimin. 
***
Ky tekst është shkruar fillimisht si pjesë e prezantimeve të gjetjeve të punës në terren, gjatë zhvillimit të Laboratorit të Antropologjisë Urbane, në Kamëz, si bashkëpunim mes Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit dhe Grupit Ata. (1-4 Tetor, 2021) 

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje