Komuniteti Rom pas tërmetit dhe përgjatë pandemisë. Çfarë na shpërfaq?

Diana Malaj | nyje.al |12.04.2020 |
Në  dhjetor të vitit 2015 nëpërmjet VKM nr. 1072 është miratuar Plani Kombëtar i Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve 2016-2020. Ky Plan është miratuar për shkak të varfërisë ekstreme, analfabetizmit e po ashtu vdekshmërisë së lartë si pasojë e diskriminimit dhe margjinalizimit të këtyre komuniteteve në skajet e shoqërisë tonë. Plani parashikonte masat dhe aktivitetet institucionale për nxitjen e integrimit përmes garantimit të aksesit në drejtësi, arsim, shëndetësi dhe marrëdhënie pune të qëndrueshme.
Një tjetër hap institucional është shënuar në vitin 2019 në mbledhjen e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, në kuadër të Procesit të Berlinit. Deklarata e Kryeministrave të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor parashikon se deri në integrimin e tyre në BE këto vende duhet të përmbushnin disa objektiva për komunitetin rom si rritja e punësimit me 25%; sigurimi i strehimit të përhershëm, të denjë dhe të përballueshëm; rritja e regjistrimit në arsimin fillor deri në 90%; garantimi i sigurimit shëndetësor në 95%; regjistrimi i plotë në regjistrat civilë; si dhe forcimi i strukturave qeveritare për mbrojtjen kundër çdo forme diskriminimi.
Në kuadër të këtyre angazhimeve shtetërore dhe ndërshtetërore janë bërë edhe hapa lokalë si prej organizatave jo-fitimprurëse po ashtu edhe prej institucioneve publike për avancimin e pozitës shoqërore të këtyre komuniteteve. Megjithatë, në artikullin “Pasiguria/të dhe qerthulli i mbyllur i varfërisë në një komunitet të varfër të pakicës rome” studiuesi Ervin Kaçiu pasi nxjerr në pah disa faktorë të brendshëm si mungesa e arsimit, pamundësia për të ndihmuar njëri-tjetrin, dhe e ardhmja e pasigurtë – tregon se pavarësisht ndërhyrjeve institucionale të kryera (herë në përputhje me nevojat e banorëve e herë sipas kalkulimeve të thjeshta institucionale) dhe pavarësisht ndërmjetësimit, shpesh problematik, të OJF-ve për Romët, ky komunitet vazhdon të jetojë në një “qerthull të mbyllur të varfërisë”. Analiza e tij përmbyllet me përfundimin se integrimi i Romëve në shoqëri dhe dalja e tyre nga qerthulli i varfërisë do të vijë vetëm kur instrumentalizimi, thërrimet ekonomike shtetërore dhe përpjekja për asimilimin e tyre të zëvendësohen nga ndryshime rrënjësore të kushteve aktuale për të gjithë shoqërinë.
Analiza e gjendjes së komunitetit rom duhet të nisë nga analiza e qasjes së shoqërisë ndaj tyre. Nuk ka njohje pa vetënjohje. Pavarësisht zotimeve zyrtare, dy rastet e fundit, ai i tërmetit të nëntorit të kaluar dhe pandemia aktuale nxorrën në pah se komuniteti rom është i fundit që mbështetet, i fundit që dëgjohet dhe i pari që fotografohet kur ndihmohet.
Masat e jashtëzakonshme të izolimit në shtëpi, kufizimit të lëvizjes, mbylljes së aktiviteteve ekonomike me të cilat kryesisht merren ua kanë përkeqësuar jetesën deri në vështirësimin e gjetjes së ushqimit ditor dhe mjekimeve të domosdoshme. Edhe në kushte normale jetese në këtë komunitet më shumë se një në dy prej tyre janë të papunë (56%)
Goditja tjetër që morën pas papunësisë së zakonshme, dhe pas pandemisë ishte mos-parashikimi i tyre nga qeveria si subjekte për të përfituar ndihmën financiare. Kjo për shkak të ekonomisë së tyre informale. Prej këtyre tre goditjeve shume komunitete në Tiranë, në Elbasan dhe në Durrës janë shprehur se tashmë rrezikohen më shumë nga uria sesa nga virusi. Jo më kot, në ditët e para të karantinës, ky komunitet ishte i pari që protestoi në rrugë.
Në Kamëz situata e romëve nuk ndryshon aspak. Zona e Valiasit, Zall-Mnerit dhe e Babrrusë janë vendet me përqëndrimin më të madh të numrit të familjeve të komunitetit rom. Që prej marrjes së masave të izolimit më 12 mars, këto familje janë detyruar që të presin shumë gjatë për ndihmën ushqimore bazike.
Nga 12 marsi deri në 5 prill familja e banores me iniciale M.L ka pritur me dëshpërim pakon ushqimore nga bashkia. Me dy vajza të mitura (të cilat edhe pse në moshën e duhur nuk e ndjekin arsimin fillor dhe atë parafillor) dhe me bashkëshortin në pamundësi të vazhdojë mbledhjen e objekteve të riciklueshme, kësaj banoreje i është dashur t’i përballojë ditët duke kërkuar ushqime pranë fqinjëve të saj, të cilët janë pothuaj në të njëjtën situatë të vështirë si ajo. Më 5 prill bashkia më në fund arriti t’i dërgojë bazën ushqimore dhe ajo u shpreh se ndihet më e qetë për të përballuar ditët në vazhdim, por nuk e fsheh frikën për pas konsumit të tyre.
Familja Kruja po ashtu ka kaluar një trajektore të gjatë e sfilitëse pritjeje për rreth 25 ditë për të siguruar ushqimet për 20 ditët e ardhshme. Pa strehim të sigurtë e të përhershëm, pa ndihmë ekonomike dhe në pamundësinë për të punuar në punën informale që u sillte burime ditore, familja prej tre personash strehohet momentalisht te të afërmit me ankthin e pasigurisë për të nesërmen.
Familja Tare, e cila jeton në çadër për shkak të tërmetit të nëntorit, është pajisur me bazën ushqimore në ditët e para të epidemisë, por na lajmërojnë se ushqimet tashmë i kanë konsumuar dhe gjenden në po të njëjtën pikë edhe njëherë: pa ushqime, pa punë, dhe të izoluar.
Përgjatë të gjithë kësaj varfërie stërmunduese Kryetari i Bashkisë Kamëz, sipas modelit të Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Bashkisë Tiranë Veliaj, edhe pse pa të njëjtin PR si ata, shfaq veten e tij në rrjetet sociale tek u shërben individualisht të gjithë qytetarëve duke dhuruar mirësi dhe duke marrë bekime.
Fotografitë dhe videot e përcjella në rrjetet sociale të Sulit na shpërfaqin ekskluzivisht një mobilizim personal në shërbimin publik dhe jo një mobilizim masiv të strukturave bashkiake. Kuadri i kamerave është tepër pranë Sulit sa edhe ata që ia mbërrijnë të futen në të duket sikur futen prej bamirësisë së tij që iu lë pak vend. Kjo dukje e Sulit nëpër dyert e banorëve është aq e madhe sa e zvogëlon dhe e tkurr së tepërmi njeriun e varfër rom (e bashkë me të, edhe ne që e shohim). Fjalët e tij të patakt në telefonatat ditore apo në shpërndarjen e pakove na kthehen rikoshet ne shikuesve si cifla plumbash prej trupave të fëmijëve të këtij komuniteti mbi të cilin bien.
Kjo shfaqje imazhesh synon ta rrisë në mënyrë të shpërpjesëtuar imazhin mëshirëplotë të shtetit sevap-bërës dhe këtë mund ta realizojë vetëm duke e zvogëluar në mënyrë të përpjesëtuar imazhin e komunitetit në fjalë. Ky trajtim i romëve nuk është asgjë më shumë sesa një shfaqje pak më e qartë, falë më shumë ngjyrave, e mënyrës sesi pushteti i trajton të gjithë qytetarët.
Susan Sontag në librin e saj mbi dhimbjen e tjetrit thotë se fotografitë janë në vetvete një specie e retorikës, ato përsërisin, thjeshtëzojnë, trazojnë dhe na krijojnë iluzionin e konsensusit. Sa më shumë përçarje, kontradikta dhe konflikt të ketë në shoqërinë tonë, aq më shumë fotografi do të bëhen për të paqtuar sytë me aparate. Ndërkohë që numri i likeve rritet, brenda nesh rritet po ashtu ndjesia e revoltës për të shkatërruar shkakun e fotografisë: riprodhimi i varfërisë për të riprodhuar pushtetin që e objektifikon romin (por edhe qytetarin në përgjithësi) në objektin mbi të cilin bie veprimi i subjektit sovran.

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:1 Comment

This Post Has One Comment

Lini një përgjigje