Era gjen topin e lojës së fëminisë

A. V | 02.03.2020 | nyje.al 

Fotografi nga Arben Vata
Fotografi nga Arben Vata

Frynte një erë shumë e fortë natën e kaluar. Pati edhe rrebesh shiu. Gjithmonë më ka pëlqyer zhurma që krijon era kur përplaset me xhamat e dritares në shtëpinë e vjetër. Sikur xhelozohej për ngrohtësinë dhe rehatinë që kisha unë, i ulur në divan, afër sobës me dru.
Kjo nuk zgjati shumë dhe m’u desh që të dilja nga shtëpia për të shkuar në punë. Duke kujtuar që natën e kaluar u rrëzuan shumë pemë në qytet, fshatrat e thella u bllokuan nga bora, disa shkolla anuluan mësimin, fillova që të ruaja veten dhe tregohesha më vigjilent. Era u praptua edhe më shumë.
Pallatet e qytetit tim, një lloj qyteti-gadishull, kanë një shtresë  mbi atë të soletës, është ajo e depozitave të ujit.
Mbaj mend në fëmijëri, se nga qielli i lagjes sime, veç shiut, borës, rrufeve, binin gjithfarë sendesh: plumba, gëzhoja,  trosha buke, qese me mbeturina, bidonë, avionë, zogj, edhe depozita. Këto të fundit binin rrallë, por  me potere.
Shiun dhe zogjtë  mezi i prisja;  gëzhojat dhe plumbat më frikësonin;  rrufetë e të tjerat vazhdojnë të më çudisin ende sot. Këto kujtime m’i përcolli zhurma e erës në dritare në mesin e dimrit.
Kishte pak kohë që kisha filluar të mësoja se si të shkruaja dhe të vlerësoja jetën, andaj shpejtova hapin nga frika e rënies së ndonjë depozite.
Bora nuk po zinte shtresë. Qielli nuk dukej se kishte më rezerva bore për qytetin tonë. Binte, dhe era nuk e linte të pushonte në tokë, e zhvendoste tutje ose e ngrinte sërisht lart në ajër. Një qen trupmadh rrinte i palëvizur mbi vijat e bardha të këmbësorëve. Nga krahu tjetër i rrugës dallova mjekun e lagjes, i cili për çdo kollitje vinte dorën përpara gojës. Temperatura ishte minus pesë gradë. Lart mbi ndërtesa, në kabllon e zezë elektrike, dy sorra mezi mbanin ekuilibrin nga era.
Në njërin krah të rrugës kisha një pallat pesëkatësh e në krahun tjetër, një seri ndërtesash private njëkatëshe. Dëgjova një zhurmë të çuditshme dhe ndalova në vend nga frika. Ra diçka përpara këmbëve. Shalli i mbështjellë disa herë rreth qafës, deri tek sytë lart, nuk më lejoi ta dalloja menjëherë se çfarë ishte. E lirova dhe pashë që ishte një top. Dukej shumë i vjetruar, i shfryrë, me disa fije të dala. Mendova mos i ka humbur ndonjë fëmije nga lagjja që duhej ta gjeja për t’ia dorëzuar por jo… ata sot kanë një hapësirë ku të luajnë futboll.
Duhet të jetë topi ynë i fëmijërisë, që e kemi hedhur padashje lart nga gjuajtja e fortë dhe vendosmëria për të shënuar gol në portën e kundërshtarit, të sajuar me dy bidona të mbushura me rërë. Që nga koha kur ka mbetur në tarracë nuk e kemi kapur dot, as duke gjuajtur me gur, as nga negociatat me pronarin e objektit kur kthehej pasdite vonë dhe as pas kontrolleve të shpeshta përreth ndërtesës pasi frynte erë. Jo rastësisht, në një platformë të madhe betoni në formë katrori, që bllokonte hyrjen e automjeteve në atë rrugë, një gazetar i BBC-së në vitin ‘99 kishte lënë shënimin: “Sorry for this mess…these children are making their memory.”

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje