Loja për lojën, loja si mësim se si mësohet

Nebi Bardhoshi | 26.01.2024 | nyje.al 

Vendloje në Valias, fotografi nga Ronald Qema 2020
Vendloje në Valias, Kamëz, fotografi nga Ronald Qema 2020

Të flasësh për lojën seriozisht ka qenë parë si gjë e kotë. Kotësia e saj lidhej me imazhin se loja është punë fëmijësh, diçka sa për ta kaluar kohën apo, fundja, si diçka që nuk sjell përfitim. Kjo është vetëm pamja e parë, sepse loja përshkruan gjithë jetën e njeriut. Edhe jeta është njëfarë loje! Loja është edhe si shteg lidhës me tjetrin, por, po aq, ajo është përjetim provash e sprovash brenda vetes. Loja është një hapësirë improvizimesh, transformimesh e kreativiteti, por do kishim veçuar atë që thotë Gregory Bateson- loja është një proces ku mëson se si të mësosh.

Këtu do hedhim dy-tre rreshta mbi vendlojën dhe lojën për fëmijë në qytetin e Kamzës. Në sfond qëndron debati, heshtja apo kotësimi për rezultatet e ulëta në aftësinë për të mësuar, shprehur nga PISA, dhe debati, heshtja a kotësimi mbi qenien, kulturën dhe hapësirën demokratike.

Debati publik për mungesën e hapësirës dhe vetë lojën e fëmijëve në lagjet urbane ekziston, por shfaqja e tij është në hapësirat periferike. Teksa shohim literaturën antropologjike mbi shqiptarët, vetëm pak punë i kushtohen mbledhjes së materialeve mbi lojën. Konkretisht kemi mbledhjen e të dhënave nga At Donat Kurti, Enver Bushati dhe Luigj Shala. Materialet e mbledhura nga Bushati pasqyrojnë lojërat në qytetin e Shkodrës, materialet e mbledhura nga Kurti paraqesin lojëra të fshatrave të Shqipërisë Veriore, ndërsa ato të mbledhura nga Shala përfshijnë lojëra thuajse nga gjithë zonat etnografike të Shqipërisë. Vetëm një pjesë prej tyre janë mbi lojërat e fëmijëve. Të dhëna të tjera janë të mbledhura herë nën kategorinë e ritualeve e herë të lojërave. Po ashtu, materiale janë mbledhur edhe nga studiuesit e folklorit në Kosovë e Shqipëri, ndër shqiptarë të Maqedonisë e Malit të Zi. Mungon një vazhdimësi në mbledhjen dhe analizën e të dhënave për lojën në lentet antropologjike. Kur  lojërat popullore janë “rivitalizuar” me anë të ndonjë projekti, ato më shumë kanë marrë trajtën e ritualit e trashëgimisë kulturore se sa  të vetë lojës.

Në Kamëz, brenda dhe jashtë shtëpisë, ka hapësira të shumta loje për fëmijë. Ekzistojnë hapësira më së shumti krijuar nga biznese private, por edhe hapësira si rrugë, parcela që fëmijët i kthejnë aty për aty ose çdo ditë në hapësirë loje. Thuajse në çdo rrugë ekziston së paku një kafe, e cila ka një vendlojë për fëmijë. Mund të jenë edhe dy-tri vende të tilla. Vendimin për të bërë vendlojën e ka marrë vetë pronari i bar-kafesë. Hapësira e lojës ka një materialitet thuajse standard.  Një kolovarëse, një trampolinë, një tunel, një shtëpi, një rrotullame. Mund të ketë edhe një tren.  Materialet janë kryesisht prej plastike, por, kur duhet, përdoret hekuri dhe aty-këtu shfaqet druri.  Ngjyrat dominante për vendlojën janë jeshile për shtrojë, kurse për lodrat në të verdhë dhe të kuqe.

Nga forma, lodrat ndërthuren mes një gjeometrie e botanike. Kuboidë e spirale, ndërthurur me imitime të natyrës [p.sh. lëndina idilike, shpat mali, lumë, liqen] dhe me lodra në formë kafshësh dhe shpendësh- kuaj, elefantë, arinj panda, tigra, krokodilë, rosakë, flamingo etj. Gjeometria dhe botanika e vendlojës bashkohen me imazhin e ofruar në filmat vizatimorë e me përrallat që mësohen në programe të ndryshme apo shiten si libra.

Rregullat e lojës janë pak a shumë të përcaktuara. Rregulli kryesor është pritja në radhë. Të presësh në radhë për në kolovarëse është sfida kryesore. Rregulla të tjera janë: të mos dëmtosh lodrat, të ruash masën e shpejtësisë dhe përdorimin e lartësisë etj. Rregullat dominante janë si të sillesh me hapësirën, megjithatë fëmijët e gjejnë një gjuhë mes tyre. Ndoshta është më mirë që kjo të lihet në dorë të tyre.

Hapësirë tjetër për lojën ofrojnë edhe qendrat tregtare ose vendpishinat. Këto hapësira janë më të pakta. Hapësirat tregtare janë më të preferuara për dimër, ndërsa vendpishinat gjatë verës. Nuk është se mbyllen sipas stinëve, por vendlojërat mbyllen ose hapen sipas perspektivës së biznesit dhe në funksion të biznesit e jo lojës.

Ndërkohë, hapësira më e heshtur është ajo që do të duhej të ishte e bashkësisë, hapësirë e bashkësisë urbane. Ekzistojnë çerdhe e kopshte. Aty zbatohen programe standarde, por dimë pak se pse janë ndërtuar në atë mënyrë. Në shkollat publike hapësirat e lojës për fëmijë të vegjël janë  palestrat, fushat në oborr, apo vetë oborri që kthehet në fushë po ashtu. Çka sheh me vështrim të parë është se këto hapësira janë të bjerra fizikisht dhe të rrethuara nga jashtë e brenda. Pak është folur për arkitekturën e edukimit dhe veçanërisht të vendlojës në shkollë. Nga ana didaktike, programet e lojërave përfshihen në orën e fizkulturës apo edukimit fizik. Përthyerjet që merr trajtimi i këtij programi varet prej mësuesit dhe fëmijëve.

Sidoqoftë në shkolla luhet futboll, volejboll dhe basketboll. Luhet, por edhe kjo varet shumë sa do të rezistojë rrjeta e volejbollit, nëse mësuesi do t’ua vërë apo jo në dispozicion, nëse shkolla ka apo nuk ka fonde për ta riblerë, i njëjti fat e pret edhe basketbollin. Duket se vetëm futbolli reziston më gjatë, pasi edhe nëse nuk ka porta, rrjeta, vijëzim të duhur, ato zëvendësohen. Portat realizohen nga dy gurë, ndërsa shtyllat anash dhe traversa imagjinohen dhe pranohen në konsensus. Mungesa e tyre kthehet në hapësirë loje mes fëmijëve. Është gol, nuk është gol, bën me hile, s’bën me hile, e kështu me radhë. Por kjo aftësi imagjinimi nuk mund të jetë një hapësirë për të mos menduar se si të rikonceptohet hapësira e lojës, gjeografia, botanike, prania e tjetrit. Tej faktit se si trajtohet vendloja në programet e shkollës, pyetja mund të shtrohet: pse vendlojërat e shkollës mbyllen bashkë me shkollën sapo mbaron ora e fundit e mësimit? Pse shkolla nuk është një vend ku fëmijë e prindër mund të shkojnë kurdo që të kenë kohë?

Çfarë vlen të nënvizohet? Nëse qyteti dhe shoqëria bashkëkohore kërkon të ndryshojë, e ka një shteg të vjetër sa vetë njeriun, madje edhe paraprirë prej tij. Ky shteg është ai i lojës. Qeverimi që do mëtonte të ishte demokratik nuk ia ka dalë ta demokratizojë hapësirën e lojës. Më konkretisht nuk ia ka dalë që hapësirën e lojës ta ruajë si hapësirë të përbashkët dhe nuk e ka shtruar lojën si hapësirë ku mësohet se si të mësohet. Loja nuk ofron asnjëherë zgjidhje totale, por ndoshta loja është aleati kryesor i një shoqërie që kërkon të dalë prej totalitetit, ku jeta “shihet” ose si lojë, ose si luftë!

***

Referenca  

Bateson, Gregory, 1942. Social planning and  the concept of deutero-learning, mbajtur në Conference on Science, Philosphy and Religion, Second Symposium, New York: Harper and Row. Shih edhe në “Steps in Ecology of Mind”, 1972.

Bushati, Enver. 1966, Lojna popullore të rrethit të Shkodrës, te “Etnografia shqiptare”, fq. 119-176.

Hamayon, Roberte. 2016 [2012]. Why do we play: An Anthropological Study, HAU Publications. https://library.oapen.org/viewer/web/viewer.html?file=/bitstream/handle/20.500.12657/30221/648357.pdf?sequence=1&isAllowed=y.

Huizinga, Johan. 2021 [1938], Homo Ludens-Njeriu Lojcak, Shtëpia botuese, “2 Lindje, 2 Perëndim”.

Kurti, Donat. 2007. Lojët Komtare, Shkodër, Botimet Françeskane.

Schwartzman, B. Helen.  1979. Transformations: The Anthropology of Children’s Play, Institute for Juvenille Research, Chicago, Illinois, Plenum Press- New York and London.

Shala, Luigj. 2021 [1975], Lojëra popullore, Tiranë, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit.