Nderi i gruas është konstrukt patriarkal, aksion në Librazhd kundër dhunës së gjithanshme ndaj grave

 nyje.al | 04.06.2022 

Këtë të enjte, në qytetin e Librazhdit u mbajt një aksion në solidaritet me vajzën 20-vjeçare, të cilës kundër çdo sjellje etike dhe parashikimi ligjor ju cënua jeta e saj private nga qarkullimi i një videoje në portale online. Për aktivistet dhe aktivistët e Kolektivit Feminist, që udhëtuan drejt Librazhdit ky rast është një nga rastet e radhës që dëshmojnë dhunën sistematike ndaj vajzave dhe prandaj ishin aty, për të shprehur indinjatën ndaj sjelljeve abuzuese të medias dhe grupeve të caktuara sociale.

Qytetarët e Librazhdit vëzhgojnë nga kafeneja aksionin e feministeve, Qershor 2022, Librazhd, Ronald Qema

“Gratë janë qenie të lira dhe ato gëzojnë të drejta njëlloj si burrat në shoqëri. Ne kemi autorësi mbi trupat dhe jetën tonë. Mbi të gjitha, ne e zgjedhim vetë dashurinë dhe kënaqësinë së cilës duam t’i falemi.

Asnjë grua nuk është “kurvë”, “e përdalë” apo të tjera epitete degraduese sepse “kurvëria” është koncept patriarkal. ‘Nderi i gruas’ është shpikje patriarkale, në shërbim të patriarkatit. Ai nuk na përcakton dhe as udhëheq.”                                                                                                                                                              Kolektivi Feminist

Aurora Birbilaj, njëra nga aktivistet që ishte pjesë e manifestimit u shpreh se publikimi i asaj video është akt krimi dhe si i tillë duhet trajtuar. Shkelja e ligjit vërtetohet nga vetë dhunuesi, prova ështe servirur nga vetë vjehërrit e vajzës e për Birbilajn është e paimagjinueshme si ata enden të lirë.

“Dhuna fizike ishte ajo që mbushi kupën, që është e paimagjinueshme, që në një kohë që mund të merret një vendim si prishje kurore, kalohet në denigrim publik, që për mua është shumë më e pamoralshme se tradhëtia bashkëshortore. Është tjetër gjë të shkelesh ligjin e tjetër gjë të shkelësh vlerën morale.

Kjo të bën të kuptosh që strukturat funksionojnë në nivel ligji, por jo në nivel praktike dhe gratë janë  më të pambrojturat në një shoqëri kaq të dhunshme që ka parime apo standarde idealizimi apo morali, produktiviteti që nuk kanë se ku të qëndrojnë dhe nuk ka asnjë strukturë që t’i mbrojë këto gra nga ky presion që kjo shoqëri i ushtron.”

Aktivistja Aurora Birbilaj në aksionin e zhvilluar në Librazhd, Qershor 2022, Ronald Qema

Përdorimi i videos dhe gjithë përndjekja që i ndodhi vajzës dhe personazheve të ngjarjes nga media, është një formë tjetër e dhunës që rëndon shumë mbi gratë posaçërisht. Etja për klikime bëri që videoja të ndahej kudo duke e bërë të pamundur shmangien e saj.

“Unë nuk kisha guximin ta shihja videon, por ishte e pamundur ta injoroje sepse ishte gjithkund, është dhunë që fatkeqësisht e hasim për ditë në forma të ndryshme. Kjo është një mënyrë që frustrimi çlirohet në shoqëri nëpërmjet aktit të dhunës siç ishte ajo çka pamë në video. Është shumë e rëndë që kjo i ndodh një vajzë që mesa duket është martuar pa dëshirën e saj. I bëj thirrje më shumë vajzave që të çohen dhe t’i dalin zot vetes së tyre, haptazi, pa pasur frikë.”

 Dori Pllumbi – Studiuese/Aktiviste

Aktivistet ndër të tjera shënuan thirrje në rrobat e tyre përgjatë aksionit, Qershor 2022, Ronald Qema

Media gjithashtu pati të njëjtën qasje në raportimin e aksionit të ditës së djeshme, ku disa prej tyre shkelën edhe parimet themelore të etikës në këtë profesion.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje