Banorët e Kodrës së Priftit edhe sot në protestë kundër shëmbjeve të shtëpive të tyre: Të kthehet projekti ku ka qënë

03.05.2022 | nyje.al

Banorët e Kodrës së Priftit protestuan edhe sot kundër shëmbjeve të shtëpive të tyre, në mënyrë që t’i hapet rruga ndërtimit të Unazës së Madhe. Procesi i dëmshpërblimit i cili ka nisur, për ta është përjashtues dhe lë pa vlerësuar mundin e dhjetra banorëve që kanë punuar për dekada për ndërtimin e shtëpive të tyre. 

Banorët kërkuan që projekti i ndërtimit të Unazës të rikthehet ashtu siç ka qënë në vitet kur ata kanë ndërtuar banesat, pasi ndërtimi i tyre ka ardhur pas konfirmimit të institucioneve se rruga nuk kalon në truallin e tyre. 

“Unë vetë kam shkuar në Bashki e kam pyetur, në ’99 kur kam blerë tokën, e ma ka shpjeguar një topograf duke më thënë së nëse je në lindje të rrugës ekzistente nuk të zë, bëjë pa frikë shtëpinë. Në fund i kam thënë dhe një llaf tjetër, i thash një dokument ma jep e mu përgjigj se dokument s’të jap dot se nuk e di ça do bëjë qeveria pas 15 vjetësh.”

Banorët u mblodhën në hapësirën e pa ndërtuar pikërisht për shkak se dihej që do kalonte rruga dhe kërkuan që Unaza të ndërtohej aty dhe jo mes banesave.

“Nuk e mora këtu, se i njëjti pronar ishte, por e mora në atë gropën atje. Kalonte projekti se pyetëm, ne s’jemi aq budallenj. E mora e bona (shtëpinë) në gropë, ç’kam hequr unë shpirti im e di. E kam shtëpinë tre katëshe dhe kam tre kalamaj. As legalizim as gjë, duke majt shpresë se do legalizoheshim se përderisa u legalizuan të tjerët do legalizoheshim dhe ne. 22 vjesht shpia pa u legalizu.” 

Vonesat në legalizim, tregues të “lojës” me projektin

Projekti i ndryshuar i Unazës së Madhe në tërë pjesët e saj ka qënë argument për të gjithë banorët që janë prekur nga ndërtimi i saj. Ashtu si banorët e Paskuqanit, edhe banorët në Kodrën e Priftit shprehen se projekti ka ndryshuar dhe këtë sipas tyre ua ka konfirmuar edhe vetë Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame në takimet e zhvilluara. 

“Në 2004 doli ligji i legalizimit e në 2005 kam paraqitur formularin e legalizimit, kujtohen tani para 2 muajsh e më thonë që nuk të legalizohet shtëpia.”

“Për vonesat në legalizim, Zoti Lame na tha se është problemi i lëvizjes së projekteve dhe na nxorri hartën me 5-6 projekte. Gjithmonë është synuar që të lihet kjo pjesa këtu bosh.”

Banorët sot kërkuan edhe njëherë rikthimin e rrugës aty ku është projektuar që në fillim, në mënyrë që përveç shpëtimit të banesave të tyre, edhe kostoja e ndërtimit të ulet. 

“Këtu kap 40 shtëpia andej nga shtëpia, projekti që ka qënë këtu, kap 7 shtëpia. Tashi unë jam 4 familje, katër herë 40 familje, 160 familje kurse katër herë 7 familje, 28 shtëpia, njësoj është kjo?! Ne duam që projekti të shkojë ku ka qënë.”

“Na jemi të shqetësum se nuk po na japin kurrfar zgidhje, as nuk i legalizojnë as thonë së u japim strehim kun’ e as nuk e kthejn projektin si a kan’. Ata disi duhet me ba, se me i çit njerëzit në rrugë të madhe, me na lanë si kafshët, a gjynah. Jena pleq, kalamaj, dy familje kam mren, ku shkoj unë?!  

Asht gabim, me u prish tan ato shpia, tu kan’ veni bosh ktu.”

Ndërkohë që banorët protestojnë, në të gjitha zonat e Tiranës që preken nga ndërtimi i loteve të fundit të Tiranës si Kodra e Priftit, Paskuqani dhe Lapraka, ende nuk është e qartë nëse janë miratuar lejet e ndërtimit të këtyre segmenteve të Unazës së Madhe. Në kërkesat tona për informim drejtuar Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe institucioneve tjera të përfshira hasim neglizhencë në marrjen e përgjigjeve dhe në ato përgjigje që marrim informacioni është tejet i cunguar. 

Ndajeni këtë shkrim

  • Post comments:0 komente

Lini një Përgjigje