Çfarë ndodh në serinë e radhës?

Evi Veliu | 13.09.2018 | nyje.al

Makina ndaloi para këmbëve të gruas dhe i ra borisë, meqë kjo nuk e kishte mendjen sepse po i fliste komshisë së saj e cila kishte ndaluar në shkallët e ngushta të marketit të lagjes ku nuk shkëmbehen dot dy njerëz. Dielli ishte i nxehtë ashtu si edhe padurimi i njerëzve përreth.

– Po mendojmë të shkojmë disa ditë me pushime jashtë shtetit por nuk po vendosim dot. Të gjitha ofertat duken shumë të mira, pamjet nga destinacionet janë të papara! – i thoshte komshia.
– Po edhe reklamat të gënjejnë nganjëherë! Megjithatë, ju nga e kishit syrin për të shkuar? – pyet gruaja.
– Po edhe sikur në Itali të shkonim, gjithë ai bregdet është. S’di ç’të vizitosh më parë!
– Në Itali? Uaaa, po përse nuk shkoni në Kapri? Është bukur atje, ka det, male, njerëzit janë miqësorë… – e mbylli papritur bisedën gruaja që u fut nxitimthi në makinë duke ngritur njërën dorë lart si për të përshëndetur shoqen, meqë vargu i makinave pas tyre priste në rradhë për të dalë nga lagjja.

Makina mori rrugën për të dalë nga qyteti. Shkurret anës shkëlqenin vende-vende si pemët e vitit të ri nga qeset dhe mbeturinat e ngecura në to. Përtej tyre shtrihen fusha të tëra me reliev të butë që kufizohen nga disa kodrina në horizont. Disa pjesë janë të mbjella e të tjera duken shkretë, pa njeri. Gruaja soditi gjatë dhe, pa i shkëputur sytë nga dritarja e makinës, i thotë të shoqit:
– Të shikoje si i mbanin arat e kullotat në Vilalba, të kënaqej syri!
– Ku është kjo? – ia priti i shoqi.
– Në një fshat të vogël të Italisë – thotë gruaja duke kthyer fytyrën nga i shoqi.
– Po ti s’ke qënë ndonjëherë në Itali…
– Nuk kam qënë, por kjo s’do të thotë gjë që nuk e kam parë. Kam parë një telenovelë italiane. Historinë e kishte një çikë të ngatërruar, puthu me njërin, martohu me tjetrin, futu andej e dil këndej, por jetonin në një vend që kush nuk do donte të jetonte! Pale si i kishin vilat ku jetonin, të thjeshta e të rregulluara bukur!

Burri nuk foli. Në makinë ra heshtja ndërsa gruaja vazhdoi soditjen prej dritares. Një moment, diçka e pickoi dhe lëvizi papritur. Hapi çantën, nxori telefonin dhe tha me vete që të dëgjonte edhe i shoqi: – Gjashtë ora! Thua arrijmë atje deri në orën tetë?
– Rëndësi ka të vemë shëndoshë e mirë, se për qejf kemi dalë, – i thotë i shoqi.
– Epo meqë kemi dalë për qejf thashë unë, mbase arrijmë ta kapim Ertugrulin se e ka lënë në pikë kulminante – thotë gruaja.
– Unë mendova se do pinim një kafe a do shëtisnin një çikë – i thotë ai si i prerë në besë.
– Po ti do të shikosh ndeshjen, pse nuk e di unë? – i thotë gruaja me një buzëqeshje nga ato që vijnë vrullshëm në fytyrë kur gjen përgjigjen e saktë, – ti shikoje ndeshjen jashtë, unë rri në dhomë shikoj serinë e rradhës se pastaj nuk kam kur ta shoh prapë.
– Shumë shikon nga këto – i thotë qetësisht i shoqi.
– Epo ç’të bëj gjithë ditën e ditës? Ti e di që kërkova punë dhe e mban mend ç’më tha ajo shoqja jonë e shkollës? Ma tha shqip, të gjej nja dhjetë a dymbëdhjetë që votojnë për partinë e saj dhe ma gjen një vend aty ku punon ajo. Po unë punën e mendova edhe si mënyrë për t’u shoqëruar me njerëz se mbeta vetëm me ato të pallatit. Ku t’i gjej unë dymbëdhjetë? Pastaj, unë s’votoj për vete, lëre pastaj t’iu mbush mendjen dymbëdhjetëve.

Në makinë ra heshtje e gjatë. Biseda nuk shkoi gjëkundi se dritaret e makinës ishin të mbyllura, kështu u ul këmbëkryq mes burrit dhe gruas. Ndërsa ata, diku i shëtitën mendimet e tyre larg njëri-tjetrit.
***
Tryeza qe ende e shtruar me çfarë kishte mbetur nga një drekë e bollshme. Një tufë me pjata tërë yndyrë qenë bërë bashkë gati për t’u larë.  Kishin qenë dhjetë vetë atë drekë, në një sallon të rregulluar me shije rreth një oxhaku të shuar. Jashtë bënte vapë. Të ftuarit kishin ikur, e bashkë me ta edhe fëmijët qenë shpërndarë nëpër punët e tyre. Burri ktheu ç’kishte mbetur në gotë dhe u ngrit pa u gëlltitur. Doli në ballkon dhe soditi që lart pemët frutore në oborrin e tij të madh që i ngjante një hapësire fabrike. Kishte disa ndërtesa dhe një shesh të gjerë betoni për qarkullimin e makinerive të rënda. Iu kujtuan kohët kur ky oborr gumëzhinte nga zhurma makinerish e njerëzish që punonin nëpër godinat e vogla aty ngjitur. Sot, kur punët i kishin shkuar keq, i dukej shumë i qetë ai oborr, ndaj e kishte mbushur me pula dhe pemë. I hodhi një sy orës së dorës, zbriti shkallët deri në oborr dhe ndezi gjeneratorin. Një zhurmë e padurueshme e bëri të largohej vrik që aty. Ngjiti shkallët sërish dhe ndezi televizorin. Ndërroi stacionin dhe u ndal aty ku kishte reklama.

-S’paska filluar – tha me vete dhe filloi të shqiptonte aty-këtu disa nga fjalët e reklamave a të shoqëronte me zë melodioz muzikën e tyre. Ndërkohë dëgjon zilen e telefonit celular.
– Alo? Hë, Agim, mos keni harruar ndonjë gjë këtu te shtëpia? – tha dhe filloi të shikonte vërdallë. Siç u duk nga përgjigjja e tij e mëvonshme, mori një ftesë të vonuar a një ngacmim të pakëndshëm.
– Oooo, po vajti vonë tani, sa të vishem e të dal unë deri andej… pa të paguaj taksi, pastaj kam oraret e mia, mua tani më fillon “Shtëpiake të dëshpëruara”, vajta ndeza edhe gjeneratorin – tha duke shtuar justifikime të tjera lidhur me vendimin e tij.
Por, siç duket, personi nga ana tjetër këmbëngulte dhe tensioni i burrit filloi të dallohej në zë.

– Po jo or burrë, s’vij unë aty. Ç’do bëj, do harxhoj lekë, do pi cigare… vajta 55 tani, s’mbaj më. Hajde, hajde se vij ndonjëherë tjetër se po fillon kjo tani, – tha me një sy nga televizori e një vesh nga telefoni. Pastaj ia plasi të qeshurës dhe filloi t’i shpjegohej shokut nga ana tjetër e telefonit.
– Është kjo Jasmina këtu, po çfarë personazhi! Naive, e padjallëzuar fare, futet në lloj-lloj telashesh, nuk e ke idenë sa qesh me të. Janë katër a pesë gra këto, bëjnë një lëmsh të madh. Po t’i shohësh si vishen, çfarë kostumesh kanë të gjithë, burra e gra, të ikën truri. Iu them dhe vajzave, hajde merrni shembull… Hajde, hajde, dëgjohemi, mirutakofshim!
***
Në prapaskenë

Në Shqipëri, me ardhjen e demokracisë, prurjet televizive nga Italia e afërt ishin më të shpeshtat që haseshin në televizion duke përfshirë kryesisht filmat dhe telenovelat. Me hapjen e Shqipërisë ndaj botës ndryshoi edhe programi televiziv duke u shtuar me të tjera telenovela, kryesisht spanjolle apo braziliane. Sot, mund të numërojmë një mori titujsh të telenovelave indiane dhe turke të shfaqura në televizionet kryesore të vendit. Ndërsa shfaqjet televizive, formatet e emisioneve dhe programet ndryshojnë e i përshtaten kohës, duket se telenovelat vazhdojnë të zënë një hapësirë të rëndësishme televizive. Pavarësisht gjuhës me të cilën flet secila telenovelë e shfaqur në televizionet kombëtare, pothuajse të gjitha kanë të bëjnë me dramat dashurore dhe problematikat e ngritjes së një familjeje. Përmes telenovelave që sillen rreth këtij universali, familjes, që përbën thelbin e organizimit shoqëror në epokën që jetojmë, televizionet sigurojnë një hapje kah botës, hapje e cila është e kontrolluar dhe e orientuar nga drejtuesit dhe stafi i televizionit. Teleshikuesit të telenovelave i mbetet pak liri zgjedhjeje për ta ndjekur apo për ta refuzuar një program televiziv. Pra, ajo që teleshikuesi jep nga vetja është koha.

Autori amerikan James Roman i cili ka bërë një renditje ndër vite të programeve të radiove dhe televizioneve amerikane sipas dinamikës së zhvillimit të tyre, tregon në librin e tij “From Daytime to Primetime” (i cili pritet të botohet së shpejti në shqip) se si lindi në vitin 1935 ajo që u quajt soap opera. Ishte një rrëfim 15-minutësh në radio dhe mori atë emër për shkak se reklamat që mundësonin transmetimin e tyre ishin për produkte si sapun, detergjentë dhe ushqime. Në atë periudhë, kjo i shkonte për shtat dëgjueseve gra të radios, që ishin kryesisht amvisa shtëpie. Me përhapjen e televizionit, përveç dëgjimit, edhe shqisa e të parit u zhvillua shumë. Imazhi mori tjetër rëndësi. Shumë skena mund të transmetonin kuptime dhe ngacmime pa qenë nevoja të përdornin fjalë. Njëkohësisht u zgjat edhe koha e transmetimit. Sot, një seri ditore e një telenovele zgjat 30-35 minuta dhe shtrihet në kohë rreth 50 minuta. Në këtë kohështrirje, pjesa 10-15 minuta, me raste edhe më shumë, mbushet nga reklamat që mundësojnë transmetimin e saj. Në këtë mënyrë aktorë të suksesshëm blejnë kohën dhe hapësirën e transmetimit televiziv për të shkuar tek audienca, që në këtë rast është fuqia blerëse në treg. Përmes përsëritjes, reklamat mundësojnë familjarizimin e audiencës me produktin në mënyrë që të orientojnë prirjet për të shpenzuar. Për shembull, në vitin 2010, gazeta elektronike “The Guardian” publikoi një lajm sipas të cilit telenovela turke “Noor” solli dyndje turistësh (kryesisht arabë) në Stamboll, rreth 105 mijë vizitorë. Ata shkonin për vizitë në vendet e xhirimit të “Noor” ku përfshiheshin ndërtesa historike dhe xhami të famshme. Të pyetur nga gazetarët, ata flisnin për çështje sociale, sidomos për “gra që i zgjidhin vetë problemet e tyre”, shprehnin dëshirë për të takuar yjet e telenovelës dhe pritshmëri për t’u treguar miqve të tyre për këtë përvojë me t’u kthyer në vendin e tyre.

Ndërsa në opinionin e përgjithshëm publik media funksionon si pushtet i katërt, si kontrollues i pushtetit politik që informon publikun, i shërben publikut në mënyrë që të angazhohet më mirë në proceset politike e shoqërore, një tjetër qasje futet më në thellësi të këtij procesi. Në vitin 1988, kritiku social Naom Chomsky dhe Edward S. Herman botuan “Manufacturing Consent – The Political Economy of the Mass Media” ku shpjegonin gjithë mekanizmin mediatik, sipas së cilit media funksionon duke fabrikuar miratimin tonë për proceset politike dhe shoqërore. Një prej pesë filtrave sipas të cilave media operon janë reklamat. Media kushton më shumë sesa do të mund të paguanin ndonjëherë audiencat. Këtë hendek e mbushin reklamuesit. Duke paguar kohën televizive të reklamës ata blejnë audiencën. Media i shet të dyja, produktin dhe audiencën. Këtë kohë të kushtueshme do të mund ta paguanin vetëm grupet më të fuqishme të interesit në treg a në pushtet. Përtej asaj çka mund të fshihet në transmetimin dhe të shikuarit naiv të një telenovele, me rëndësi është të mbahet paraysh se gjithë çfarë shohim e dëgjojmë shërben si lëndë e parë për trurin në bazë të së cilës ai përgjigjet njëlloj si ushqimi për trupin.

*Dy situatat e përshkruara më sipër janë histori të sajuara të bazuara mbi dëshmi të vërteta të ndjekësve të ndryshëm të telenovelave në vendin tonë. Nga këto dëshmi, vlen të përmendet që shumica janë gra shtëpiake që ndjekin këto programe mesatarisht 3 orë në ditë.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje