“Shpresë”

Antonela Pepkolaj| 08.06.2022 | nyje.al 

Nën Shqipërinë komuniste, një mësuese e gjuhës angleze, kërkon Zotin që s’e ka njohur kurrë dhe i lutet në ditaret të cilat i ruan të kyçura me çelës. Një vit para rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, Besa Shapllo, mësuesja, vendoset në kontakt me një çift amerikan, të cilët e njohin me fjalën e Zotit dhe i dhurojnë Biblën, gjë të cilën ajo e interpreton si përgjigjia e Zotit ndaj lutjeve të saj. Duke ndjerë thirrjen, që për të ishte hyjnore dhe plani i Perëndisë, themelon “Mission Possible Albania”, një fondacion që solli kulturën fetare përmes artit në Shqipëri, duke hapur revista si revista “Mrekullia”, apo duke përkthyer tekste orientuese për besimin e krishterë.

Megjithëse aktive në territore të ndryshme të Shqipërisë, “Mission Possible Albania”, ka një histori mjaft të gjallë edhe në Kamëz. Qendra e parë komunitare në Kamëz u hap në Bathore, e cila fillimisht ishte një godinë që mirëpriste fëmijët, të rinjtë dhe gratë, për të mësuar shkrim e lexim si dhe fjalën e Zotit. Qendra e mori emrin “Shpresë” nga vetë gratë të cilat frekuentonin këto aktivitete. Emri i dedikohet zbulimit të Zotit dhe Krishtit, që për shumë nga banorët e Bathores së viteve ’90, solli shpresë, gjë e cila ishte e nevojshme bashkë me boll gjëra tjera. Gjithsesi, përveç shpresës, qendra u mundua të sjellë dhe art e kulturë dhe që, me kalimin e viteve ia ka dalë me sukses.

Një ndër prurjet më të bukura të qendrës është krijimi i bibliotekës së parë komunitare për krejt Kamzën dhe, ende më e plota, me rreth 2000 tituj nga letërsia klasike dhe moderne botërore dhe shqiptare. Ajo u hap në vitin 2011. Krijimi i bibliotekës nuk parashikohej nga plani i qendrës, apo nuk ishte prioritet, duke qenë se banorët nuk kishin arritur akoma te halli për përmbushjen e nevojave për lexim. Një çift shkrimtarësh nga Oxford dhurojnë nga hiçi një shumë të konsiderueshme parash, me të cilat, në formë edhe respekti për dy shkrimtarët por edhe si risi për qendrën, vendosin që atë shumë ta investojnë në krijimin e bibliotekës. Frekuentohet nga 1561 të rinj, të cilët tërheqin titujt e programeve shkollore por edhe lexojnë për interesat e tyre personale. Tashmë biblioteka është një hapësirë në të cilën bëhen takime me shkrimtarë dhe botues. Apo organizohen konkurse shkrimi dhe u jepet mundësia të rinjëve të ndjekin kurse të ndryshme gjuhësh të huaja.

Godina është e bollshme, e përbërë nga katër kate bashkë me papafingon. Kati i parë është një sallë e hapur në të cilën bëhen mbledhje prezantuese dhe jepen filma. Kati i dytë është i mbushur me dhoma të cilat përdoren si hapësra për kurse të ndryshme. Në kat të tretë ndodhen zyrat e menaxhimit dhe, në papafingo ndodhet biblioteka, për të cilën duhet të ngjesësh një mal me shkallë. Biblioteka rrek krejt muret e sallës, e klasifikuar sipas radhës në letërsi dhe kritikë shqipe, poezi, letërsi botërore, filozofi, psikologji, shkenca sociale dhe histori. Shërben gjithashtu edhe si sallë leximi për ata që kanë dëshirë të studiojnë a punojnë. Aty bëhen edhe takime me shkrimtarë dhe zhvillohet edhe klubi i Librit me të rinjtë e komunitetit. E gjithë hapësira është një kombinim i bukur i librave, imazheve të qiellit që japin dritaret e gjera dhe ballkoni si dhe, tavani prej druri që thyhet pas formave piramidale të çatisë. Nxënësit shprehen se përfitimi më i madh është që munden të lexojnë literaturën e programit të shkollës, gjë e cila është problem për një pjesë të madhe të shkollave në Kamëz.

Momentalisht në qendrën “Shpresë” organizohen kampe verore për fëmijë, jepen filma, realizohen projekte të ndryshme në fushën e artit së bashku me grupe rinore nga jashtë, por edhe mbështeten familje në nevojë në varësi të mundësive.

Duke qenë se, organizata është një organizatë e krishterë ungjillore, e themeluar nga misionarë, edhe fluksi i aktiviteteve i rri besnik kësaj tematike. Edhe stafi është besimtar dhe praktikues, ashtu siç janë të rinjtë që frekuentojnë qendrën. Megjithatë, të jesh besimtar nuk është kusht për të ndjekur projektet e ndryshme. I vetmi ambjent që në një farë kuptimi i shpëton kësaj tematike, është biblioteka, në të cilën mund të gjesh një pjesë të madhe të botimeve në shqip të Niçes.

Megjithatë, simboli i vërtetë i shpresës është zhvillimi i pasionit, qoftë për dijen apo për Zotin, te të rinjtë e Kamzës, duke qenë se edhe Besa Shapllo nuk e bën dallim midis tyre: ajo po kërkonte Zotin dhe gjeti gjithçka tjetër.

Ndajeni këtë shkrim

  • Post comments:0 komente

Lini një Përgjigje