Mera

Antonela Pepkolaj| 19.07.2022 | nyje.al

*Ky është një portretizim bazuar në histori të vërtetë, rrëfyer nga një banore e Kamzës. 
Mera u fejua kur ishte 11 vjeçe. D.m.th e fejuan. Ishte e gjatë, e bardhë, e brishtë, e heshtur, syshkruar dhe kureshtare. Tash është vetëm e gjatë. I shoqi, asokohe, ishte 30 vjeç, i rritur vetëm me të atin, dy vëllezër dhe një motër. E ëma i vdiq në spital. Nuk dihet nëse vdiq nga fruthi apo nga orteku i bores që zuri krejt spitalin. Në të dyja rastet, e ka pasë të shkruar.

Mera u martua kur ishte 15 vjeç. Komshinjtë e spiunuan të shoqin, se po lidhte jetën me një minorene. Për të mos përfunduar në burg, i shoqi i Merës justifikohet te gjendja civile se kështu është marrëveshja mes familjeve, se dhe ai po i jep vëllait të Merës motrën e vet, Hanen, e cila ishte 9 vjeçe. Mandej bëri punë komunitare për ca kohë si rregullues çatish, derisa e bënë karikaturë dhe e ngjitën nëpër shtylla sepse nuk flinte thuajse kurrë në shtëpi, shkaku i punës. I shoqi i Merës quhet Hamdi.

Jetonin tre kurora në një shtëpi, por Mera nuk dëshiron të flasë për këtë pjesë të jetës së vet, ajo dëshiron të flasë për Hanen, gruan e vogël të vëllaut, motra e të shoqit. Për Hanen tregon se ka vuajtur shumë, kryesisht për dy arsye; ka rënë në shtrat me të shoqin për dy vite përpara se t’i vinin peridoat dhe, i kanë vdekur nëntë fëmijë. Për të parën Mera nuk është e lumtur, por – thotë, – është normale. Edhe humbja e fëmijëve është normale. Mera gjithashtu ka humbur fëmijë, një djalë. Thotë se, nuk e dinte se njeriu mund të përjetojë gjëra kaq të mëdha dhe, se për të ishte katastrofike të kujtonte çdo mëngjes kur kthjellej se djali i saj vdiq. Për të është e paimagjinueshme që Hane e ka kaluar këtë nëntë herë.

Mera tregon edhe për Rizvanin, vjehrrin e vet. “Ishte rob ushtar. Veç për luftra fliste. Kam luftu këtej, kam luftu andej. Kam vrarë 80 iher,e 100 tjetërherë”. Rizvani ishte feudal i vetshpallur. Tregon se krejt çfarë kishte, e investoi për blerje tokash. Djerrina e shpatina nëpër Kukës prej të cilave, sot e kësaj dite, pjesëtarë të familjes mundohen t’ia mbathin. Gjithsesi, fakti se janë në Kukës nuk është problemi më i madh, po se janë toka të rrezikuara nga orteqet, se në fakt ata që u zhvendosën, nuk ikën, po u përzunë. Rizvanit pra, i shterri pasuria dhe vendosi të shesë të motrën në Maqedoni, për një thes grurë. Merës nuk i duket e çuditshme, madje është mirënjohëse, se shkaku i krushqisë, ajo mundi të udhëtojë jashtë Shqipërisë politike.

Diçka që e pati habitur Merën në fillim, kur ishte nuse e re, ishte se kishte të afërm të të shoqit katolik. Hamdia i pati treguar, një natë nën shtrojat e ngrohta, se Tahir Tahiraj, i pari i fisit, kur kishte ndarë gjënë me vëllanë e vet, Tahiri kishte marrë viçin dhe ishte bërë mysliman, vëllai kishte marrë derrin dhe ishte bërë katolik. Osmanët s’kanë fare gisht në këtë punë. Gjithsesi, tash pas fiks shtatë brezave, trashëgimia e dy vëllerzëve ruhet gjallë si identitet fetar. Megjithëse për fenë Mera s’e vret mendjen fort, është gjithmonë e rregullt me Qitapin e vet, ves të cilin ua ka pasuar dhe fëmijëve të vet bashkë me nipërit e mbesat. “U kena dhanë bukën e gojës dhe Fjalën e Zotit. Boll sa me jetu dy jetë”.

Mera nuk i pëlqen gratë e lumtura. Gratë e gjalla. Gratë e zgjuara. Dhe gratë që i duan burrat e tyre. Për këtë temë ajo flet gjatë. Thotë se, një grua që del përtej detyrave të veta, është e djallëzuar, dhe si e tillë, është taksirat i të shoqit të vet ta mbajë nën kontroll, ndryshe të sjell gjëmën. Tregon se, gruan e merr më qafë dhe bukuria e vet, se duke qenë e martuar, një vajzë e re e fshatit bëri për vete një burrë që nuk ishte i shoqi, duke shkaktuar që këta dy të fundit të hynin në një konflikt që gjithashtu u bë pjesë e trashëgimisë së tyre familjare. Thotë, por nuk e shpjegon pse, që është mirë që një grua të mos rrijë vetëm, por të jetë nën shoqërinë e dikujt gjithë kohën, kjo jo vetëm për sigurinë e vet fizike, por sepse një grua nuk duhet të dallojë. Një grua e bën të dallojë vetëm nami, zakonisht nami i keq, ndaj Mera sugjeron t’i rrimë larg namit, edhe të mirit.

Mandej thotë se ka bërë një jetë të mundimshme, aspak të qetë, por gjithsesi, shton se të mirat i ka gëzuar më shumë prej këtij fakti. Dhe e mbyll me një pohim, pak grotesk, por tashmë klasik, se po pret vdekjen dhe se shpreson ta marrë fill, pa mundime, se s’ia ka takatin tash që është e vjetër.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje