Shtëpia që fotografon Orestia

nyje.al |27.04.2020 

Orestia Kapidani është fotografe e diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë për Grafikë, dhe e specializuar në Fotografi dhe Imazh Dixhital në Universitetin e Artit dhe Dizajnit Halle, ku ka ndjekur edhe studimet master. Krijimtaria e saj rrok kryesisht dy troje gjeografike: Halle dhe Tiranë. Fotografitë e saj lidhen ngushtë me njerëzit e periferive. Në vitin 2019, bëhet pjesë e ekspozitës „Shtatë fotografë shqiptarë. Një rezidencë“ në Muzeun Kombëtar të fotografisë „Marubi“ në bashkëpunim me ArtHouse në Shkodër. Në këtë ekspozitë, ajo shpërfaq për publikun jetën e një lagjeje periferike ku jetojnë pakicat rome dhe egjiptiane, brenda qytetit të Shkodrës pas një gardhi i cili i ndan ata nga qytetarët e tjerë. Lentja nomade e Orestias ia del ta kapërcejë gardhin tashmë sedentar të dallimeve të ashpra shoqërore në qytetin e saj të vendlindjes.

Në vazhdën e një serie shkrimesh mbi gjendjen e përkeqësuar aktuale të pakicave rome dhe egjiptiane iu drejtuam fotografes Kapidani për një intervistë mbi punën e saj të fundit lidhur me këto pakica dhe mbi mënyrën sesi fotografohen ato nga institucionet shtetërore. Në një kohë kur romët dhe egjiptianët janë në qendër të fotografive të shtetit „bamirës“, nyje.al e konsideron të domosdoshme shtjellimin e kësaj „bamirësie“ përmes fotografive. Kjo intervistë vjen si domosdoshmëri për të kuptuar mënyrën sesi shpaloset shteti aktual dhe për një qasje alternative sesi kamera mund t’i afrohet komuniteteve në skajet e shoqërisë.

Fillimisht, si ka qenë raporti juaj me këtë komunitet dhe çfarë ju shtyu të fotografonit pikërisht atë lagje në Shkodër, pjesë e ekspozitës suaj të fundit te Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”?

Hera-herës mendojmë mbi identitetin, atë personal, familjar apo shoqëror. Këto pyetje bëhen më të domosdoshme kur jemi të çrrënjosur, kur vendimet që marrim na shtyjnë jashtë kufijve të asaj që njohim, përtej të zakonshmes. Duke na çuar kështu në hapësira të huaja, gjuhë dhe doke të tjera, për t’i bërë ato më vonë përsëri të zakonshme, të përditshme, disi tonat. Jetesa shumë vite jashtë Shqipërisë e bënte tek unë përherë e më të fortë nevojën për ta kuptuar këtë mekanizëm. Kur kthehesha në vendin tim, e vëzhgoja me kërshërinë e një fëmije që sheh për herë të parë xixëllonjën dhe e ndjek atë nga pas. Me të njëjtën çiltërsi nisën kërkimet e mia fotografike në të gjitha projektet e realizuara ndër vite në tokën mëmë.

Qasjen e parë me komunitetin e pata në fëmijëri, në fund të viteve ‘80 në Shkodër. Qyteti ishte më i shkëputur sesa sot nga periferia dhe sidomos nga zona e cila me një lloj përçmimi quhej „Lagjia e magjypve“. Fëmijëve të pjesës tjetër të qytetit i kërkohej të mos shkonin në atë zonë dhe të bënin kujdes po të gjindeshin aty pranë.

Këto përjetime fëmijërie nuk më largoheshin nga kujtesa, ndërsa përziheshin me përvojën e të qënit vetë tashmë një e huaj, „një ndryshe“. Përherë e më shumë kisha dëshirë t’i afrohesha: sikur doja t’i thoja që edhe unë mund të isha njëra prej tyre, ai personi që mbart me vete kulturën, zakonet, gjuhën dhe ritualet e veta, në një vend që i ka ato krejt ndryshe.

Fotografia ime është e lidhur ngushtë me grupe popullsie që jetojnë në periferitë e vendit. Përmes kameras fotografike kërkoj gjithmonë njeriun, atë të pandikuarin nga qyteti me kthetrat e tij gllabëruese dhe emocionalisht cfilitës. Për këto arsye para 16 viteve nisa të fotografoja nëpër malësitë e Shqipërisë, aty, ku sipas shprehjes përbuzëse të „qytetarëve“, jetonin të ashtuquajturit „malok“.

Vjet ishte hera e parë që qëndroja mbi një muaj në Shkoder, që nga largimi im në Mars të vitit 1995. Një grup artistësh, ishin mbledhur për të shkëmbyer ide dhe emocione në oazin e Art-House-it dhe Muzeut Marubi, hapësira unike për artin vizual dhe fotografinë në Shqipëri. Dhe pikërisht gjatë këtij qëndrimi në qytetin tim të lindjes, vendosa të shkoja në periferi, për ta njohur më afër atë. Binte në sy që qyteti i Shkodrës, tashmë i zgjeruar, kishte arritur pa ndërprerje të dukshme deri në zonat e komunitetit. Territori ku ata jetonin ishte i veçuar nga apartamentet e reja të ndërtuara aty vitet e fundit, me anë të një rrethimi me tela dhe copëza të ndryshme metalesh të ndryshkura. Roja i cili dëgjonte muzikë nga një radio e vjetër, kontrollonte hyrjen në lagje, ulur në kolltukun e madh brenda barakës prej llamarine. I papritur ishte për të afrimi i një vajze të panjohur, me çantën hedhur pas krahëve dhe qesen me ushqim për qenushat e rrugës, e cila në dialektin e pastër shkodran kërkonte të hynte në lagje. Megjithatë nuk u desh shumë që të bindej se nuk përbëja kërcënim për oazin e tyre plot gjallëri dhe ngjyra.

Papritmas u gjenda e rrethuar nga fëmijë dhe familjet e tyre, të cilët më shikonin plot kureshtje dashamirëse, ndjesi kjo po aq e bukur dhe e ndërsjelltë. Kurioziteti im si fotografe, më kishte shtyrë gjithmonë të bëja një hap më tej për të njohur veten përmes të tjerëve, të vendosesha në raport me tjetrin. Ishte fotografia, ndërmjetësja dhe rregulluesja e marrëdhënieve njerëzore, e cila ma lehtësoi hapin drejt tyre dhe atyre drejt meje. Banorët jetonin në baraka të improvizuara, të përbëra nga materiale të ricikluara: reklama plastike, nga llamarina apo pjesë dyersh që kishin ndërruar funksionin e tyre, sikur kërkonin t’ia shtonin jetëgjatësinë vetes, pasi të ishin flakur pa mëshirë nga pronarët e mëparshëm. Ishin të gjitha pjesëza historish tashmë të përfunduara, të cilat kishin rinisur jetën diku tjetër. Tapete dhe stofëra shumëngjyrëshe të vendosura pranë njëra-tjetrës stolisnin veçanërisht faqet e brendshme të barakave. Secila kishte individualitetin e vet. Rreth e rrotull kufoma makinash apo lavatriçesh të vjetra, hekurishte. Mes tyre qenusha, mace, kuaj dhe mushka, dele dhe lopë, pata, pula… dhe shumë mbeturina të hedhura rreth e rrotull territorit.

Ndërkohë fëmijët të vënë rresht merrnin biskotat e qenushave duke shtrirë duart e tyre të vogla dhe i shpërndanin ato me kujdes që të mos harronin asnjërin. Një zonjë e moshuar kishte përgatitur kafenë, i solli bashkë me cigaret dhe një gotë coca-cola. Të gjithë, përveç burrave, rrëfenin ngjarje të ndyshme të jetës. Në sytë e tyre lexova shpresën si dhe zhgënjimin që kishin pësuar. Ato tregonin për strukturat shtetërore që paraqiteshin bashkë me gazetarë të cilët fotografonin, mbanin shënime, protokollonin, premtonin dhe në të shumtën e rasteve zhdukeshin pa u rikthyer më. Ndërsa të huajt ndalonin më gjatë, duke kërkuar kontakt më të afërt. Kisha Katolike kishte dhënë ndihmë me disa programe arsimore për fëmijët, duke u përpjekur t’i largonin sado pak nga analfabetizmi. Burrat merreshin me saldime të ndyshme. Gratë me punët e shtëpisë, me fëmijet e tyre të vegjël, me gatimin, përzgjidhnin dhe veçonin materialet e grumbulluara të cilat mund të shërbenin më vonë për t‘u shitur. Me gjithë peripecitë që kishin, ato nuk iu dorëzoheshin vështirësive.

Cilat janë frikërat etike dhe estetike që ka një fotograf tek i qaset subjektit të tij?

Momenti i shkrepjes është më së shumti një reagim instinktiv. Fotografimi i portretit nxitet nga joshja e fotografit ndaj subjektit dhe anasjelltas. Në rastin e komunitetit, kemi të bëjmë me shumë persona të grumbulluar në një hapësirë përgjithësisht të vogël. Mënjanimi i shikimeve të tyre është pothuajse i pamundur. Komunikimi dhe më pas miratimi (qoftë ky edhe i heshtur) nga ana e subjektit bëhet një kusht i domosd
oshëm po qe se nuk duam vetëm ta „vjedhim“ momentin, siç mund të ndodhë në Street Photography, ku rastësia na ofron një situatë të papritur në të cilën duhet të reagojmë shpejt. Konkretisht në Shkoder, të qënit aty e pranishme si fotografe, iu bashkua „aprovimi“ nga mjedisi ku ndodhesha. Kësaj iu shtua besimi dhe respekti që u krijua mes nesh. Këto elemente janë shumë të rëndësishme kur shkel një territor që nuk të përket, kur kalon kufirin e dukshëm, (atë telin rrethues dhe rojën), si edhe atë të padukshmin, margjinalizimin e vazhdueshëm.

Thellë tek njeriu qëndron dëshira e tij për të lënë gjurmë. Në rastin e imazhit fotografik e vërejmë më së miri tek gjyshërit tanë me albumet e fotove të rinisë së tyre, të cilat i tregojnë me krenari. Në kohën e rrjeteve sociale, nepsi i të lënit shenjë është bërë aq i dukshëm dhe masiv, saqë arrin në velje. Duket sikur nuk kemi shpëtim nga valanga e imazheve, të cilat shpesh vihen në funksion të vetëprezantimit të rëndomtë, të klisheve të ndryshme apo politikave, të cilave këto të fundit duan t‘i shërbejnë.

Kur na lejohet të prekim hapësirën e tjetrit, duhet ta konsiderojmë këtë një gjest shumë bujar dhe ta trajtojmë si të tillë. Në këtë mënyrë lind sinergjia e nevojshme për të jetësuar një foto të mirë, e cila nuk cënon në asnjë moment dinjitetin, që nuk i detyrohet askujt asgjë, përveçse të „vërtetën“ ndaj vetes dhe subjektit. Pikërisht del në dritë ajo foto e cila nuk i shërben qëllimeve mediokre propagandistike, apo nuk tenton të vetëshpallë fotografin, por qëndron e pavarur, pothuajse e paprekshme në thelbin e saj.

Një fotografi e tillë, „sovrane“, si kjo që sapo përmenda më lart, në rastin konkret dhe më gjërë, shtron problemin e tërësisë, unitetit në shumëllojshmëri, lidhjes (shkakësore) së subjekteve komplekse. Çështjen e barazisë dhe diversitetit cilësor, çështjen e të përgjithshmes apo të veçantës. Problemin e vazhdimësisë së identitetit apo ndryshimit të tij me kalimin e kohës.

Përgjatë pandemisë, Bashkia Kamëz vazhdon të publikojë pamje fotografike dhe filmike nga shpërndarja e ndihmave për komunitetin rom dhe egjiptian në zonat e tyre të banimit. Pamje në të cilat përfaqësuesit shtetëror bien shumë në sy me gjestin e tyr“bamirës“. Çfarë ju thonë këto fotografi?

Fotografitë e publikuara nga bashkia Kamëz janë realizuar për të përcjellë qëllimin dhe mesazhin e mirë. “Ne i ndihmojmë më të varfërit e të varfërve”. Ky mund të ishte titulli i pashprehur i tyre. Janë përpjekje për të dokumentuar vështirësitë edhe më të mëdha se ato të përhershmet pikërisht tek ato familje, të cilat prej vitesh jetojnë në kushte të pasigurta. Pothuajse në secilën prej fotografive në qendër ka „pozuar“ thesi i miellit apo pakoja e cila brenda përmban mbase vaj, oriz, sheqer etj., të mjaftueshme për të mbijetuar për disa ditë. Po ashtu vërejmë kompozimin e figurës me maskë të punonjësit të bashkisë që ruan distancën sociale, i cili pa dashur përfaqëson më së miri qëndrimin e një pjese të madhe të shoqërisë shqiptare ndaj pakicave, të cilat dallohen nga shumica për karakteristikat personale ose kulturore. Fotografia mbetet në thelb demaskuese edhe atëherë kur ajo përpiqet të na japë një mesazh të caktuar.

 Kjo intervistë u zhvillua përmes letërkëmbimit elektronik. 

Previous
Next

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje