A thua se turpi do na mbijetojë?!

Pavjo Gjini | 23.03.2022 | nyje.al 

Foto nga protesta, 12 mars 2022, Ronald Qema
Foto nga protesta kundër rritjes së çmimeve, 12 mars 2022, Ronald Qema

Pikërisht kur protesta qytetare kundër rritjes së çmimeve filloi të merrte hov e të bëhej masive, Kryeministri Rama i vuri mision vetes të turpërojë çdo qytetar që dilte të shfaqte në shesh me trupin e tij/saj problemet ekonomike me të cilat përballet dhe kërkesat përkatëse. Nuk ka lënë takim pa inskenuar me biznese dhe punëtorë për t’i nxjerrë protestuesit faqezinj që na morën fytyrën para botës perëndimore. Në këto momente kur ajo po merret me probleme shumë serioze si sulmi rus ndaj Ukrainës, sipas Ramës, bota perëndimore nuk e honeps dot protestën e një populli drejtuar qeverisë së tij për të adresuar gjendjen e rënduar e ekonomisë të kapur nga monopolet dhe kartelet oligopoliste, korrupsionin të lidhur me to, amortizimin dhe privatizimin e shërbimeve publike, si dhe efektet e tërmetit, pandemisë dhe të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës. Meqë Kryeministri nuk i akuzon dot protestuesit se janë pro-rusë – diçka e cila nuk do të pinte ujë askund, me pranimin e gjerë shoqëror se Putini po bën një agresion të padrejtë ndaj pavarësisë së Ukrainës – atëherë ka gjetur një strategji tjetër për t’i bërë trupat të hezitojnë të shfaqen, atë të turpërimit. Mirëpo, shtrohet pyetja: Ç’është kjo dëshirë për të turpëruar qytetarët që protestojnë? Dhe akoma më thelbësisht, çfarë është turpi dhe çfarë pritet prej tij?

Në pamje të parë, turpi shfaqet si një reagim trupor, përgjithësisht me skuqjen e fytyrës, ndaj një veprimi i cili nuk do duhej të kishte ndodhur [sidomos] para syve të dynjasë. Veprimi mund të ishte bërë, por në diskrecion nga të tjerët. Duket sikur turpi shfaqet kur cipa që ndan brendinë time nga dynjaja shqyhet dhe brendia ime shfaqet lakuriq para dynjasë duke e bërë atë të dëshmojë një skenë e cila ta merr fytyrën, të shpërbën funksionin e saj, një skenë faqezezë.

Deri sa doli Rama dhe foli përgjatë protestës, e pata menduar turpin1 ashtu siç e përshkruan Orgest Azizi duke thënë se “në formë të përgjithshme dhe brutale, ai mund të përshkruhet si situata ku subjekti është dëshmitar i kalimit, rënies, mohimit të vetes në objekt. Për shkaqe nga më të ndryshmet. Nga vetja (faj) ose të tjerët (dhunë). Por duhet të mbetet minimalisht aq subjekt sa ta vëzhgojë dhe dëshmojë këtë rënie, dhe të ketë turp për të. Turpi është kështu dëshmi e të dyjave: edhe e « katandisjes » në objekt, edhe e mbijetesës së subjektit, sado minimal.”2 Mirëpo, protesta më bëri të mendoj se reduktimi i trupit në objekt nuk përkon me faktin se trupat e dalë në shesh në fakt po shfaqnin maksimalisht subjektivitetin e tyre dhe, sipas Ramës, atyre duhej t’u vijë turp pikërisht për këtë gjë. Ndërkohë që, sipas Ramës, nëse do rrinin në shtëpi si objekte që e pësojnë realitetin, pa dalë në shesh, atëherë do ruanin fytyrën e tyre dhe nuk do ishin turp(ërues) në sy të botës. Pra, pyetja që provokon mendimin është: A është turpi dëshmia e subjektit që dëshmon veten teksa reduktohet në objekt, apo dëshmia e nxjerrjes në pah të vetë subjektit që s’do duhej të shfaqej?

Fytyra ka për funksion të mbajë marrëdhënie mirësjelljeje dhe respekti me tjetrin. Janë disa dukje për t’u ruajtur, sa për [sy e] faqe, mirëpo të domosdoshme për të mbajtur marrëdhëniet shoqërore. Kjo nevojë për dukje mbahet nga frika se, nëse dukjet bien, tjetri përballë nesh do kthehet në një tjetër jo-miqësor, pra nuk është më një njeri i mirësjellshëm me të cilin do mund të ndërtoja marrëdhënie të rehatshme. Nëse fytyra e tjetrit bie, druaj se ai/ajo do më shfaqet në autenticitetin e tij/saj të përbindshëm, pa frerët e fytyrës si kategori marrëdhëniesh shoqërore; si me thënë se turpi e ruan kopenë. Pra, të gjithë mbahen pas ruajtjes së fytyrës e cila na mundëson që të mos takojmë tjetrin në veçantinë e tij absolute, si të padomestikuar nga faqja/fytyra që duhet të ruajë për dynjanë. Faqja që ruajmë është një faqe-për-tjetrin. Veten time që mban faqja duhet t’ia fsheh atij, të mos ia shfaq sepse nuk është për t’u parë. Mirëpo, çfarë është kjo përvojë kur të merret fytyra? Çfarë shfaqet nëse fytyra bie?

Një lexim është se, me rënien e fytyrës, shfaqet trupi pa fytyrë, trupi pa kokë, trupi i verbër, trupi si objekt me funksionet e tij automatike, i cili nuk shquan vështrimin-e-dynjasë të cilit duhet t’i raportohej. Me rënien e fytyrës trupi mbetet i identifikueshëm me funksionet bazë të tij, si përshembull me aromën dhe jashtëqitjen, të pakapluara nga kolonizimi i gjuhës/shpirtit, të padomestikuar nga vështrimi qytetërues i tjetrit; gjëra të cilat duhet të mos shfaqen në publik përndryshe kemi turp. Pra, identifikimi i trupit me turpin. Siç vëren Azizi, “Rastësia marramendëse e gjuhës bën që në shqip fjala turp të jetë pothuaj e padallueshme nga fjala trup.”3 Ngatërrimi mes tyre ilustrohet edhe në keqpërkthimin në shqip të fjalisë së fundit të veprës Procesi nga Franz Kafka, ku Gjergj Vlashi zgjedh “Si një qen – tha K. Dhe dukej sikur trupi do të mbijetonte edhe pas tij,4 në vend të përkthimit “sikur turpi do të mbijetonte edhe pas tij.”

Mirëpo, një lexim lakanian – sugjeron Sllavoj Zhizhek – thekson faktin se turpi lidhet thelbësisht me një fantazi te e cila kapemi dhe e cila duket sikur paraziton në ne; pra jo me trupin, por me fantazinë e një gjendjeje pasive e cila na mban dhe që e ruajmë, si dhe që na jep për shpërblim një kënaqësi-në-dhimbje [jouissance], një dalldi që shoqëron vërtitjen e subjektit rreth një ngecjeje/nyjeje që nuk mundet ta zgjidhë, një gjendje pasive që mirëmbahet në mënyrë aktive, një pasivitet që na e heq trurin. Subjekti ndjen turp që po dalldiset pas një pozicioni të tillë dhe jo se thjesht po sillet si një trup, i vjen turp nga kjo tepri dalldie në trupin e tij. I vjen turp jo se është i reduktuar në objekt, por se pikërisht nuk reduktohet plotësisht në objekt, por se ka diçka që i rrëshket të reduktuarit në objekt, një mënyrë aktive e të raportuarit ndaj vetvetes si objekt.

Turpi shfaqet pikërisht si gjëja që e kaplon subjektin kur subjekti takohet me gjënë që brenda tij/saj mbetet e pakastruar, e patredhur, e padomestikuar nga vështrimi i tjetrit, me teprinë çnderuese që vazhdon të përpëlitet. Turp vjen nga nxjerrja në pah e kësaj përmase njerëzore e cila nga vështrimi i dynjasë duket çnjerëzore, që e shqetëson idenë e një njerëzori si qenie krejtësisht e domestikuar, e paqtë, e pezullt, as kontradiktore as problematike. Takimi me fytyrën e tjetrit e fsheh këtë dimension të subjektit.5

Pra, turpi ekziston në zonën midis fytyrës që mbaj për t’iu dukur i paqtë vështrimit të tjetrit dhe një shtyse të brendshme që më karakterizon thelbësisht – e cila [në këtë nivel apo sens] nuk bëhet për vështrimin e tjetrit, por se mpleks një kontradiktë thelbësore rreth të cilës vërtitet subjekti im fshehur pas fytyrës së paqtë. Pra, është pikërisht një kontradiktë e imja thelbësore e cila nuk duhet t’i shfaqet vështrimit të tjetrit, pasi do më nxirrte zbuluar thelbin tim si subjekt.

Joan Copjec e shpjegon afektin e turpit duke thënë se, “[afekti i turpit] nuk është ndjesia e të qenurit i gjykuar negativisht nga tjetri, por ajo e të qenurit intimisht i bashkëngjitur ndaj diçkaje që nuk e kupton dhe e cila ndihet e huaj për ty.”6 Për Copjec, turpi shfaqet nga dalja në pah e faktit se ajo që karakterizon më së shumti historinë dhe subjektin tënd është ende e huaj për ty vetë, nuk ia di kuptimin e gjithsesi vazhdon ta mirëmbash e të mbahesh pas saj. Vështrimi i kthjellët i tjetrit më dallon [dhe vë në pah] mungesën time të kthjellësisë në raport me veten, prandaj më vjen turp. Copjec diku tjetër shton se, “me përjetue turp do të thotë me përjetue vetveten jo si objekt të përçmuar apo degraduar, por me përjetue vetveten si subjekt. Nuk më vjen turp nga vetja, unë jam turpi që ndjej: turpi është aty në vendin e objektit. Giorgio Agamben e shtron këtë qartë kur turpin e përshenjon si “tonalitetin e posaçëm afektiv të subjektivitetit, si “sentimentin fundamental të të qenurit subjekt.” (Remnants of Auschwitz) … Dhimbja përvëluese që lidhet me turpin nuk është ajo e shndërrimit në objekt nga tjetri, e denigrimit; ajo ka të bëjë me faktin se njeriu nuk është i “integruar” me veten, se është në themel i çarë me veten. (Por a nuk është ky vetë përkufizimi i subjektit?)”7

Pra, turpi presupozon [se ka] një vështrim të tjetrit i cili nuk duhet të shohë kontradiktën e shpirtit tim, atë përmasë të huaj që më është fiksuar brenda meje dhe që është posaçërisht e imja edhe pse nuk është vetëm e imja, e cila duket sikur më mban peng. Ndihem me turp se jam i paqartë për dëshirën time thelbësore në të cilën kam ngecur dhe e cila më shijon-në-dhimbje, dhe njëkohësisht presupozoj se vështrimi i tjetrit është shumë i qartë në raport me se çfarë kërkon ai/ajo nga unë. Veten duhet t’ia fsheh tjetrit duke i dhënë fytyrën që më kërkon.

Sllavoj Zhizhek vëren se dëshira jonë fundamentale nuk është dëshira-për-të-vështruar, por dëshira-për-t’u-vështruar. Ankthi i sotëm nuk është aq ai i mbikqyrjes që na bën panoptikoni i Benthamit, big brother-i, por përkundrazi, rreziku i humbjes së vështrimit që më bën tjetri. Ndoshta edhe mimetizmat që karakterizojnë TikTokun, Instagramin dhe rrjetet e tjera sociale lidhet pjesërisht me këtë dëshirë për të ta vështruar fytyrën tënde. Ky insistim i madh ndaj fytyrës-për-dynjanë e mbrun në sfond gjithnjë e më shumë turpin, afektin që na karakterizon në momentin kur e ndjejmë veten të shtyrë të veprojmë jashtë radhës që na ka pëcaktuar vështrimi-i-tjetrit. Atëherë, ku është zgjidhja e problemit që karakterizon turpin, t’ia shfaqim vetveten plotësisht vështrimit-të-tjetrit, ta nxjerrim në shesh përmasën tonë faqezezë [të jemi të paturp]? As kjo nuk është zgjidhje duke qenë se vazhdon të mirëmbajë idenë se ekziston një vështrim-i-tjetrit i cili më qaset vazhdimisht me kërkesa ndaj fytyrës time.

Rruga drejt zgjidhjes (edhe pse jo përfundimtare), sipas Zhizhekut, është të pranosh faktin më të vështirë, se vështrimi-i-tjetrit nuk është vështrim i kthjellët me kërkesa të qarta ndaj teje, se nuk ka një tjetër të unifikuar e të kthjellët, se edhe tjetri e përjeton veten si një enigmë kontradiktore, se edhe tjetri nuk ka përgjigje të saktë për shtysën (time) përreth ngecjes (time). Pra, na duhet ta pranojmë se Tjetri-i-madh për të cilin ruajmë fytyrën nuk është një instancë e unifikuar, vështrimi i të cilës na jep konsistencë e na tregon sesi duhet të sillemi [e çfarë supozohet të bëjmë]. Ne lindim si subjekte pikërisht në momentin kur pranojmë se zgjidhja nuk vjen nga vështrimi-i-tjetrit, zgjidhja nuk është fytyra që mbajmë për tjetrin.8

. . .

Për t’u kthyer te ligjërimi turpërues i Ramës ndaj popullit të tij protestues, duket se Rama do ta heshtojë protestën duke apeluar vështrimin-e-tjetrit-të-madh, vështrimin-e-botës perëndimore, i cili presupozohet prej Ramës se pret që populli shqiptar të mos ankohet për rritjen e çmimeve në vendin e tij, të mos i adresojë asnjë kërkesë qeverisë së tij, sepse diçka e tillë është e pahijshme kur e krahasojmë me komplikimet e luftës. Rrjedhimisht, sipas tij, ankthi ynë në raport me nevojën për amortizimin e rritjes së çmimeve, nevoja për një shtet social, shpërbërja e oligarkisë dhe oligopoleve, investimet në shëndetësi e arsim dhe një orientim i ekonomisë vendore drejt prodhimit bujqësor e industrial – këto duhet të fshehen e të mos shfaqen. Kryeministri i shihte se kërkesat e protestuesve ende ishin të paplota e diku-diku kontradiktore, nga perspektiva të ndryshme, dhe për këtë arsye donte të na bënte me u ndje me turp: si mundeni të na hapni telashe të tjera me ndërhyrje në ekonomi kur tashmë ekonomia është e çakërdisur nga tërmeti, pandemia, lufta dhe neoliberalizmi 30 vjeçar? Si keni fytyrë ta bëni këtë? Dhe pikërisht turpi duhet të ndihet jo ndaj Ramës por ndaj botës perëndimore: pra, jo si s’kemi turp t’ia bëjmë Ramës, sepse ai e di se për vështrimin-e-tij protestuesve nuk iu kërcet, por apelon vështrimin-e-botës perëndimore, vështrimin për të cilin shqiptarët duan bukur shumë t’ia dijnë.

Këtë vështrim Rama e shet sikur të jetë një vështrim që na kërkon neve si popull dhe si shtet të jemi të rreshtuar për një. Sipas Ramës, për hir të këtij vështrimi çdo protestë është turp: perëndimi nuk është se na i ndalon protestat, por sipas tij ato janë të turpshme për momentin. Si gjithnjë, kërkesave, anktheve dhe nevojave tona të shumta e kontradiktore, për të cilat nuk jemi shumë të qartë, se përndryshe do t’i kishim zgjidhur, u mbivendoset vështrimi-“i-kthjellët”-i-botës perëndimore për të cilën duhet të ruajmë fytyrën pavarësisht nevojave tona të pahijshme. Nevojat tona janë të ndyra, na thotë Kryeministri ynë, dhe mu zhdukni nga sheshet sa nuk na kanë parë vështrimet-e-higjenizuara-perëndimore. Dëshira për të turpëruar sigurisht që është një dëshirë thelbësisht sadiste dhe denigruese, dëshira për të përçmuar e çnderuar çdo kërkesë e nevojë tonën si subjekte. Shtrohet pyetja se dëshirë për çfarë është kjo dëshirë sadiste e Kryeministrit për të fshehur popullin e tij, për ta pasivizuar atë dhe për ta mbajtur vazhdimisht të squllur e të turpëruar?

Hapi ynë përpara për të sqaruar vetveten në raport me ngecjen tonë si shoqëri dhe shtysën që vërtitet përreth saj, duhet të jetë të heqim dorë nga ideja se gjëja më e rëndësishme është ruajtja e fytyrës për botën perëndimore duke fshehur kështu kontradiktat e vetes. Kjo bëhet duke pranuar faktin e vështirë se vetë bota perëndimore është një instancë kontradiktore, e cila nuk karakterizohet nga një dëshirë e gjerë konsensuale (pavarësisht se për momentin ndihet e bashkuar përballë Rusisë), e cila është e krisur mes konservatorëve, liberalëve dhe socialistëve në ardhje, e ndarë në raport me Kinën dhe pa një strategji të përbashkët për pandemitë dhe krizën klimaterike dhe aq më pak ndaj luhatjeve të fundit të çmimeve dhe tregjeve. Janë këto ndarje që e bëjnë edhe atë botë perëndimore njerëzore, të cilat na e sjellin më afër, të cilat na bëjnë ta ndjejmë edhe më të ngjashme me veten. Më e rëndësishmja, kontradiktat e vështrimit të saj nxjerrin në pah faktin se nuk është fytyra ndaj atij vështrimi që do t’i zgjidhë problemet që ne kemi me neoliberalizmin 30 vjeçar, monopolet, korrupsionin qeveritar, mungesën e shtetit social, mungesën e prodhimit vendor, papunësinë e lartë dhe shfrytëzimin e punëtorisë, problemet kombëtare dhe gjeopolitikën e tensionuar me Serbinë, si dhe raportimin me të shkuarën diktatoriale. Këto janë kontradiktat tona të cilat s’kemi pse të kemi turp t’i adresojmë për sa kohë pranojmë se na përkasin më së pari neve për t’i parashtruar e trajtuar. Fiksimi me vështrimin e tjetrit veçse do të na bëjë të ndihemi më të turpëruar për shtysat dhe kontradiktat tona duke e vështirësuar e fshehur edhe më shumë adresimin e tyre.

Redaktuar nga Genc Shehu

________________

1.Pavjo Gjini. Shënime nga Katastrofa. Nyje.al. 04.12.2019. https://nyje.al/shenime-nga-katastrofa/ 

2. Orgest Azizi. Rëndë dhe Fragmente të Turpit. Peizazhe të Fjalës. 29.7.2019. https://peizazhe.com/2019/07/29/rende-dhe-fragmente-te-turpit/ 

3.Si mësipër.

4.Franz Kafka. Procesi. Përkthyer nga Gjergj Vlashi. Tiranë: Globus R. 1997. Faqja 226.

 5.Këtu tentohet të perifrazohet linja argumentative e Sllavoj Zhizhek në esenë e tij “Neighbors and Other Monsters: A Plea for Ethical Violence”, pjesë e përmbledhjes eseistike The Neighbor: Three Inquiries in Political Theology, University of Chicago Press, 2006.

6.The Inheritance of Potentiality. An Interview with Joan Copjec. Figures in the Lacanian Field. Ed. Jennifer Murray. E-rea. Aix-Marseille University. https://journals.openedition.org/erea/4102 

 7.Joan Copjec. The Object-Gaze: Shame, Hejab, Cinema. Gramma: Journal of Theory and Criticism. Vol 14. 2006. Faqja 167.

 8.Edhe këtu ndiqet linja argumentative e Sllavoj Zhizhek në esenë e sipërpërmendur.

Ndajeni këtë shkrim

  • Post comments:0 komente

Lini një Përgjigje