Violetë

Antonela Pepkolaj | 22.04.2022 | nyje.al 

Një dëshmi e Tropojës

Koha është një hapësirë që duhet mbushur, nëse jo me gjërat që do, me çkado tjetër. Apatia mund të jetë një sëmundje e vërtetë për trurin dhe fizikun dhe mërzia një sebep për melankoli. Gratë, për ato në fshat flasim, kanë një lloj apatie funksionale: ato bëjnë gjithçka pa u angazhuar në asgjë, mbushin kohën me nevojat e të tjerëve. Nëse ndokush që nuk është burrë, do guxonte të kishte sadopak diversitet në mënyrën sesi kalohet koha, do cilësohej në kuptimin e parë të fjalës, e marrë. Ky diversitet si nevojë për të shpërfaqur sadopak nga ajo vete që e quajmë vetja autentike. Nevojat emocionale janë tërësisht jashtë diskutimi, madje të kesh nevoja të tilla është e përbuzshme dhe shenjë dobësie. Frika nga intimiteti është edhe më e madhe se frika nga varfëria.

Por Violeta, nuk vuan nga këto gjëra. Që në vegjëli e ndjente se ishte tejet e ndjeshme për të përballuar ngurtësinë e një atmosfere tipike veriore shqiptare. Një lloj ndjeshmërie për të cilën ishte mjaft e lumtur që e ndante edhe me të vëllanë, dy vite më të vogël. Përgjithësisht ishte puna dhe përgjegjësitë e shtëpisë që i bashkonin. Kujdeseshin për bagtitë, për mbjelljen, për korrjen, për vadën e ujit, për gjithë ato gjëra që lipseshin për mbarëvatjen e shtëpisë. Violeta i besonte vëllasë përfytyrimet e saj më të çuditshme. Pemët i dukeshin si pleq, madje të dy kishin gjetur nga një pemë gjegjëse për të gjithë pleqtë e fshatit. Në pranverë, xixëllonjat ishin shpirtrat e shtrigave në fshat, që kishin dalë të sulmonin djemtë, ndaj Violeta i kapte dhe i mbyste duke i shtypur me gur. Në dimër, lexonin Dhiatën e re dhe luteshin që asnjë nga familjarët e tjerë të mos i shpëtonte ditës së gjykimit, veç atyre të dyve bashkë. Ndonjëherë, kur dikush, më së shumti baba, i hidhte Violetës ndonjë vërejtje për diçka, ngushtohej dhe kishte zakon të mbyllej diku për të qarë, i vëllai gatuante darkën në vend të Violetës dhe, e stiste punën që të dy të rrinin jashtë deri vonë, duke ecur, ngrënë fruta dhe biseduar. Në thelb, ndanin një lloj intimiteti dhe ngjashmërie të asaj intuite që rrok Violetën dhe që shtriqej në përmasa të vagullta deri te vëllai.

Sado që, në mendjen e saj Violeta e kuptonte se nuk merrte meritat e plota të rëndësisë së saj në shtëpi, si më e madhja e shtatë fëmijëve, ajo gjithashtu e kuptonte se kjo gjë i shkonte për shtat karakterit të saj. Ishte përshtatur mirë me konceptimin patriarkal të jetës në përgjithësi. I pëlqente që mund të ndiqte disa udhëzime dhe të injorohej në qetësi nga pjesa më e madhe e njerëzve. I pëlqente që, duke qenë vajzë e ndershme, mund të ishte edhe vajzë e heshtur që s’kishte pse e zgjaste muhabetin si tepër me asnjë. I pëlqente që mund të dëgjonte pa u ndjerë e detyruar të afirmojë prezencën e vet me asnjë lloj mendimi a gjykimi për asgjë. E shijonte kohën që kalonte me punë duke menduar për gjërat e saj të preferuara, ndërsa prindërit ndiheshin krenarë me llojin e vajzës punëtore dhe të urtë që ajo ishte. Në njëfarë kuptimi, ndihej sikur ruante një sekret të madh, dhe ky sekret ishte identiteti i saj i vërtetë, që e ndante në mënyrë të përpunuar vetëm me të vëllanë.

Por vitet kalojnë dhe teksa të dy së bashku prekin rininë, përgjegjësitë e tyre ndahen dhe bëhen më specifike. Vëllasë i duhet të punojë dhe të sigurojë të ardhura, si djali më i madh i shtëpisë. Për këtë ai shkon në Greqi si emigrant dhe mbështet familjen nga larg. Violeta vuan dhe mbytet nga rutina që çuditërisht e kupton për herë të parë sa monotone dhe e mërzitshme është. Kohën që e kalonte duke i folur të vëllasë, tash e kalon duke hedhur gurë në arën poshtë shtëpisë. Më në fund mori një foto nga vëllai, të cilin kishte rreth dy vite pa e parë. Fotoja ishte kështu: vëllai i veshur me një kanotierë të bardhë, i buzëqeshte kamerës i ulur në krevatin e vet. Muri është krejt i bardhë dhe, diku afër cepit të djathtë të fotografisë, është i varur një poster Playboy me një bjonde që mbante veshur vetëm mbathje të vogla blu. Ky është një detaj që i shkakton mjaft dhimbje Violetës. Fakti që vëllai ka pjesë të huaja të identitetit të vet, të cilat Violeta nuk i njeh, e bën të ndihet e tradhtuar. Gjërat përkeqësohen pas disa muajsh, kur Violeta merr vesh se vëllai i saj ka në plan të fejohet në Greqi dhe të mos kthehet më në Shqipëri.

Kjo është një fazë në jetën e Violetës, në të cilën, nga personi që ndjente një lloj krenarie në alienimin e vet me botën, fillon të besojë se në fakt, ajo është një njeri boll i mjerë. Në fshat thonë se i dha zor vedit, kështu thonë edhe ata që e njohin në Kamëz. Filloi të mendojë se është e shëmtuar, dhe ndaj asnjë njeri nuk do martohej me të, të paktën asnjë që të ishte jashtë Shqipërisë, në Greqi bie fjala. Pasiviteti i saj është një investim që s’do i sillte asnjë  lloj fitimi dhe, ndërsa të gjithë të afërmit e vet do vazhdonin jetën e tyre, kudo me çfarëdo, ajo do mbetej një vajzë e urtë dhe punëtore lart në malet e Tropojës. Nuk dihet nëse vetëvrasja e saj ishte e planifikuar, apo nëse rastësisht në një mesditë pranvere thjesht vendosi të marrë pushkën e të atit e të shtinte drejt vetes, por dihet se përpara se të qëllonte, thirri tri herë emrin e të vëllait.

Kështu ndodhi: në atë orar zakonisht në shtëpi qëllonte vetëm i ati. Violeta i bënte një kafe turke dhe të dy pushonin pak përpara se Violeta të gatuante darkën. Sa bëri kafen, rrëmbeu pushkën e varur në mur te dhoma e prindërve dhe, ndërsa tyta e pushkës takonte pjerrinën e livadhit poshtë oborrit të shtëpisë, përpara se të takonte frymën e saj të fundit, Violeta thërret emrin e të vëllait dhe qan. Babai e gjeti trupin e Violetës fill në hyrje të arës. Për të gjithë ishte një ndodhi jo vetëm anormale, por edhe e pabesueshme. Së bashku me humbjen, familjarët duhet edhe të shqetësoheshin për namin e familjes, që mund të kompromentohej nga një vajzë e re që vret veten nga hiçi. Thërrasin disa fshatarë dhe një mjek, për të vërtetuar në trupin e vdekur të Violetës, se ajo nuk është shtatzënë dhe se është në fakt, ende e virgjër, sido që të mund të vërtetohej kjo e fundit. Kështu që, meqë Violeta njëzet-vjeçare, nuk kishte ndonjë të dashur që refuzonte të martohej me të, pasi i kishte marrë nderin, duhet të ketë vrarë veten nga malli për të vëllanë, të paktën kjo është narrativa që qarkullon ende për vetëvrasjen e Violetës.

Jeta në fshat u bë shumë e vështirë për familjarët e tjerë. Të gjithë ndiheshin ngapak fajtorë. Shpesh, i ati që kishte dëshmuar momentet e fundit të Violetës, zgjohej natën dhe tentonte të mbyste veten. Ndaj së bashku u zhvendosën në Kamëz, ndryshe do ishin çmendur të gjithë, siç shprehen ata që e njohin familjen. Vëllai u fejua dhe vazhdon sot e kësaj dite të jetojë në Greqi, tashmë me tre fëmijë. Për Violetën mund të thuhet se ndoshta vuante nga depresioni në atë kohë, në fshat i thonë gazep. Nuk kaloi shumë kohë dhe vdiq edhe i ati. Fëmijët e tjerë janë martuar dhe kanë ndërtuar jetët e tyre. Violeta prehet në Tropojë, rreth një kilometër larg shtëpisë në të cilën u rrit dhe jetoi.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje