Një orvatje

Antonela Pepkolaj | 20.04.2022 | nyje.al

Përgjithësisht janë problemet ato që krijojnë nevojat dhe, shpesh, probleme që nuk janë pjesë e shqetësimit masiv kolektiv, priren te injorohen duke krijuar një sfidë më vete për të interesuarit në menaxhimin e këtyre problemeve. E tillë është edhe Irena, një banore e Kamzës që, me profesionalizëm dhe dëshirën e mirë, ka themeluar qendrën e parë të kujdesit dhe terapisë për fëmijë me nevoja të veçanta në Bathore. E quajtur “Independece therapy center”, sot qendra kujdeset për terapinë e dymbëdhjetë fëmijëve me nevoja të veçanta, më i vogli dy vjeç dhe më i madhi katërmbëdhjetë. Irena përmend me keqardhje se kanë trajtuar dhe nëntëmbëdhjetë vjeçarë, duke qenë se është tepër vonë dhe, gjasat që terapia të jetë e suksesshme bie me kalimin e kohës.

Qendra është themeluar në shtator të vitit që kaloi, nga Irena. Për shtatë muajt e parë ajo është marrë vetë me qendrën, duke filluar prej menaxhimit e deri te terapitë për fëmijët. Disa nga sfidat më të mëdha që ajo përmend, fillojnë nga prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta, të cilët shpesh e refuzojnë ose e kanë të vështirë ta pranojnë që fëmija i tyre është ndryshe nga të tjerët. Duke vazhduar më tej me prindërit e vet, të cilët aspironin një tjetër jetë për Irenën, e jo një ndërmarrje që në sytë e tyre s’do të kishte asnjë sukses përpos humbjes së kohës dhe investimeve.

Megjithatë, sot, pas realitivisht pak muajsh, pjesë e stafit të qendrës janë dy psikologe (një ndër to Irena vetë) dhe dy leukopede. Qendra operon si biznes privat, ku përveç terapisë ofrojnë vlerësime dhe konsulta me specialistë. Fëmijët që trajtojnë janë nga zona të ndryshme të Kamzës por edhe jashtë, duke filluar me Valiasin, Domje, Kasallë, Fushë-Krujë, Zall-Herr, etj. Irena shprehet se ka pasë një reagim pozitiv me kalimin e kohës, ku më të parin përmend ndërgjegjësimin. Shpreson që në të ardhmen të arrijë të koordinojë prindërit me shkollat dhe me vetë qendrën që t’i ndihmojë sa më shumë fëmijët në rrugën e të jetuarit një jete që i përplotëson. Për të është fatkeqësi dhe e padrejtë që ata të mbahen të mbyllur në shtëpi, si të ishin të gjymtë, në një kohë kur ekzistojnë të gjitha mjetet e duhura për t’i ndihmuar.

Idenë dhe pasionin për krijimin e një qendre të tillë, Irena e ka gjetur nga kisha. Me fëmijët me nevoja të veçanta, mundohen të punojnë edhe kisha edhe xhamia, por kjo thjesht në nivelin e dëshirës së mirë dhe humanitetit, duke lënë jashtë vëmendjes kujdesin dhe shërbimin profesional. Nga koha kur Irena punonte në kishë me këta fëmijë, kuptoi sa e nevojshme është një qendër e tillë. Qendra e parë ka qenë e vendosur në një rresht kafenesh. Madje, Irena shprehet me shaka se më shumë sesa ideja e terapisë për fëmijë, qendra ka tërhequr vëmendjen prej kureshtjes dhe habisë së banorëve për zhdukjen e papritur të kafenesë.

Një ndër problemet më të mëdha sot, në gjykimin e Irenës, është faktori ekonomik. Pavarësisht nevojës dhe dëshirës, shpesh familjarët nuk i kanë mundësitë t’u ofrojnë fëmijëve të tyre trajtimin që u duhet. Për këtë arsye, Irena është munduar të krijojë bashkëpunime edhe me organizata të ndryshme jofitim-prurëse, duke filluar me Word Vision, Caritas apo qendra Shpresë, të cilat kanë pasë sukses për sa kohë kanë zgjatur.

Planet e saj për të ardhmen është që qendra të zgjerohet, duke filluar me hapësirën, gamën e shërbimeve, dhe stafin, me prioritet kujdesin për fëmijët. Ashtu si çdo fillim, konsolidimi është i vështirë, por ambicia e Irenës është që të mos mbetet vetëm një orvatje.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje