Java e Bashkisë Kamëz

01.05.2019 | nyje.al | Fejton

Bashkia Kamëz në festën e 23 vjetorit të saj si qytet ka menduar të respektojë qytetarët nëpërmjet disa aktiviteteve kulturore dhe nismave të ndërmarra nga këshilli bashkiak. Ajo që para 23 vitesh ngjante më një fushë të madhe ku kishte shumë pak banesa, sot po shkon drejt një qyteti industrial dhe teknologjik. Kjo falë punës së palodhur të gjithë atyre kryetarëve bashkiak të saj ndër vite, Xhelal Mziut d.m.th.  Projekti i miratuar nga këshilli bashkiak është quajtur “Java e Bashkisë Kamëz” dhe për shtatë ditë do të ketë këtë axhendë:

1 maj |Protesta e Punëtorëve
Ditën e mërkurë, me datë 1 maj, rreth orës 18.00 pritet të mbahet një marshim në Bulevardin Blu nga të gjithë njerëzit e papunë të Kamzës bashkë me punëtorët që punojnë mbi 8 orë në ditë. Kamerat e vendosura në bulevard, sipas një serveri të instaluar së fundmi, thuhet se do të fiksojnë pamje të punëtorëve protestues, 10 prej të cilëve do të përzgjidhen në mënyrë krejt rastësore për t’u punësuar në administratë në bazë të kualifikimit të tyre. Në rast se të përzgjedhurit nuk do të kenë kualifikimet e duhura, do t’i nënshtrohen trajnimeve disa ditore që ofron Zyra e Punës. Ky organizim, përveçse për të motivuar qytetarët për t’u angazhuar në protesta të tilla, është organizuar edhe për të përcjellë mesazhin e luftës me çdo mjet demokratik kundër fenomenit negativ të nepotizmit.

2 maj |Katapultim avioni në fushat e Laknasit
Duke marrë parasysh faktin që Kamza kufizohet në veriperëndim me aeroportin e Rinasit është menduar që të ofrohet një shfaqje spektakolare, ku do të bëhet një ulje e detyruar avioni në fushat e Laknasit duke qenë se kjo zonë ofron kushte të favorshme për një manovër të tillë. Piloti do të refuzojë këshillat e komandës që të hidhet me katapultim dhe do të zgjedhë të ulet në Laknas me dy motorët e fikur, karburantin e zbrasur dhe gomën e parë të avionit me defekt. Kjo shfaqje do t’i nxisë njerëzit që të jenë më shumë fleksibël në jetën dhe punën e tyre.

3 maj |Udhëtim falas nëpër  Kamëz
Në mesin e programit “Java e Bashkisë Kamëz” do të hapet një konkurs për të përfituar udhëtim falas në Kamëz. Kandidatët mund të jenë nga e gjithë Shqipëria dhe bota. Mund të aplikojnë të gjithë të apasionuarit pas udhëtimeve. Do të njoftohen me email dhe sms vetëm kandidatët potencial për konkurs. Nëse një fitues nuk regjistrohet brenda shtatë ditësh nga momenti i shpalljes fitues atëhere ai do të humbasë mundësinë e udhëtimit dhe çmimi do t’i kalojë kandidatit tjetër. Ky konkurs është i organizuar dhe do të monitorohet nga Bordi Rinor i Bashkisë Kamëz. Fituesve do t’u mbulohen kostot e transportit, ushqimit dhe fjetjes. Ata do të qëndrojnë në disa familje në Kamëz dhe nën shoqërinë e antropologëve dhe sociologëve të njohur do të kenë mundësinë të njihen më së shumti me kulturën dhe historikun e qytetit.

4 maj |Miss Globe rikthehet në Kamëz
56 bukuroshet e Miss Globe do jenë të pranishme sërisht në Kamëz, por kësaj here si shofere dhe faturino të linjës së transportit publik Kamëz-Tiranë. Kjo inisiativë në ditën e katërt të programit të pasur “Java e Bashkisë Kamëz” është ndërmarrë nga këshilli bashkiak për të dhënë mesazhin e qartë të barazisë gjinore, që edhe gratë  mund t’ia dalin. Modelja nga Gana është shprehur shumë e gatshme për këtë nismë dhe është ofruar të punojë si shofere edhe në ditët në vazhdim nëse bëhet fjalë për një kontratë të mirëfilltë pune afatgjate. Atë ditë mësohet se transporti publik do jetë deri në orën 24.00 dhe jo 22.30 kur mbyllet zakonisht.

5 maj |Koncert madhështor Gjeto basho Luca & Co
Me datë 5 maj do mbahet një koncert festiv në sheshin përballë Pallatit të Kulturës ku do të jenë të ftuar mjeshtërit e muzikës popullore të veriut si Zef Beka, Gjeto basho Luca, Fatmira Breçani, Arben Gjeloshi dhe dy raspodë nga krahina e Burrelit. “Koncerti dihet se kur do të fillojë, pra në orën 16.00, por jo se kur do të mbarojë,” – janë shprehur organizuesit e tij.

6 maj |Libra falas për Kamzën dhe Bathoren
Në datën 6 maj, jo shumë larg Ditës Botërore të Librit, do të shpërndahen libra falas në stacionet kryesore në Kamëz, në oraret ku është piku i lëvizjes së qytetarëve, konkretisht në mëngjes, në dy stacionet më kryesore të linjës Kamëz-Tiranë: stacioni i parë, ai në qendër të Kamzës dhe i dyti në rrethrrotullimin e Bathores. Nëpërmjet kësaj ndërhyrjeje në qytet synohet të rritet numri i lexuesve në Kamëz dhe të vlerësohet leximi si shpikja më e madhe e njerëzimit.

7 maj |Wi-Fi në qytetin modern
Në ditën e fundit është menduar që të respektohet plotësimi i një nevoje bazike të njeriut modern, ajo e internetit. Do të shpërndahet wi-fi publike falas nëpër të gjithë qytetin, duke përfshirë dy njësitë administrative, Kamëz dhe Paskuqan.  Fjalëkalimi i i rrjetit të internetit është bërë publik në gazetën elektronike të bashkisë dhe sipas ekspertëve të psikologjisë gjuhësore ky fjalëkalim do të jetë mjaft i lehtë për t’u mbajtur mend nga banorët e Kamzës: “xhelalmziu1967”.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje