Mit vegjëlie (pjesa e parë)

Antonela Pepkolaj | 27.10.2022 | nyje.al 

Fotografi nga arkivi familjar, Pukë 1985
Fotografi nga arkivi familjar, Pukë 1985

Për gjyshen flasin njësoj siç flitet për një mrekulli; si për një dukuri të rrallë dhe fantastike që i bën përftuesit e saj të ndihen të prekur nga fati. E rrallë pse ishte një njeri që gëzonte atribute në vlera sipërore: nuk ishte thjesht e bukur por më e bukura, më punëtorja, më e drejta dhe, si për ironi, njeriu i cili është munduar më shumë. I gjithë nuri që mvesh krejt cilësitë e saj, si fizike si të sjelljes, mund të justifikohet me faktin se njerëzit e hiperbolizojnë pse vdiq mjaft e re. Por, ata që e kanë njohur, përshkruajnë një ndjenjë mahnitjeje në praninë e saj, përpara se emri të gëzonte peshën e caktuar që gëzon tani.

Jo për klishe, por për gjyshen thonë se kishte sytë më të gjelbër që kanë parë ndonjëherë; të blertë dhe tekanjozë. Me ledhati e quanin zanë mali, sepse përcillte një autoritet shumë femëror, krijonte një atmosferë qetësie dhe bardhësie kumbuese, siç ndihet njeriu në ditët kur i bie dielli kokës. Rriti jo vetëm gjashtë fëmijët e vet, por edhe motrat dhe vëllezërit e vet më të vegjël. Ndaj karakterizohej nga një ndjesi përkujdesi dhe maturie, duke e bërë një njeri të besueshëm dhe të çiltër.

Imazhet e para për gjyshen janë ato të një vajze të re, trembëdhjetë-vjeçare, e cila e heshtur kryente ritualet e veta të përditshme, të cilat ishin kryesisht punë shtëpie. Thonë se ishte fëmija më i dashur i të atit. Ai kishe një admirim dhe dashuri memce për vajzën me një vetëpërmbajtje që në mendjen e tij, tregonte një pjekuri anormale për moshën. Nga të gjitha vajzat, i ati e dha gjyshen të fundit për ta martuar, paçka se ishte më e madhja dhe se kishte më shumë kërkesa. Madje dhe atëherë kur u martua, ndodhi pse djaloshi ngulmoi pasi e kishin refuzuar disa herë.

Rrëfejnë se duke qenë se nuk kishin ku ta shikonin, të gjithë ata që kishin interes, e prisnin në kohë dreke te kroi i fshatit, ku gjyshja kalonte çdo ditë për të mbushur ujë. As ajo nuk bënte ndonjë gjest që pranonte prezencën e njerëzve të panjohur te kroi, as ata nuk e nganin. Madje shpesh fshiheshin, vetëm për të vëzhguar. Kë e refuzonin nuk ngulmonte shumë, por në veçanti një familje nuk u shkoq, duke theksuar se i riu nuk dëshiron ndonjë tjetër. Vizitat te kroi dhe darkat te shtëpia, u bënë aq të përsëritura, sa i ati më në fund pranoi dhe gjyshja u martua.

I shoqi është një njeri i çuditshëm me nam. Nuk është burrë si burrat. Në sofër Krishtin nuk e livdon, kush i bën vizitë nuk ia kthen, e kalon kohën i veçuar duke gdhendur dru, ashtu siç ia kanë vendosë edhe nofkën, veçse i pagdhendur. Ky njeri i ka prioritetet mbrapsht dhe, gjyshja nuk është lloji i gruas që ia ha veshët të bëhet si burrat e dynjasë, se në fund të fundit, njeri i çuditshëm me nam është tashmë edhe ajo. Ndoshta prej pasivitetit të të shoqit, apo prej ngeve të pakta të gjyshes për t’u përfshirë me këdo që i qaset, fshatarët kanë vënë re një afinitet skandaloz me kunatin, vëllain e të shoqit. Mesa duket, ai i është vënë pas, me idenë ta bëjë të veten. Kjo histori vazhdoi për disa muaj dhe, u bë aq e normalizuar në fshat, sa fshatarët filluan edhe të simpatizonin me rastin, duke e justifikuar me idenë se është faji i të shoqit që është aq hu.

Gjendja arriti pikun kur kunati tentoi ta kapë kundër dëshirës së saj, një ditë që qëlloi vetëm në shtëpi. Gjyshja ia mbathi nga aty dhe kurora u prish. Me ta nuk u pa më derisa vdiq pas disa vitesh.

Gjithsesi, gjyshja u martua prapë. Kishte plot njerëz që hynë si shkes dhe brenda një kohe të shkurtër e gjeti veten në shtëpinë e të shoqit të ri. Ai ishte katolik dhe komunist. Katolik sepse i pëlqente të luste festat, me aheng sipas zakonit dhe, komunist sepse ishte Kryetar Këshilli për tre katunde. Krejt e kundërta e burrit të parë, ky ishte mjaft popullor, i gjallë, me autoritet, gjakëmbël, dhe njëfarë donzhuani. E shijonte pasivitetin e gjyshes se kështu mund të flirtonte poshtë e lart me shoqe të partisë dhe, të gjente në shtëpi komfortin e familjes. Gjyshes i dukej çnderuese të bënte skena xhelozie, fisnikëria me të cilën është mësuar ta shohë veten, nuk ia lejon, por edhe roli i budallaqes nuk e bën të ndihet më mirë, ndaj edhe e nxjerr kokën shpejt.

Kë i sjell mysafire të gjinisë femër në shtëpi, gjyshja refuzon ta presë. Ua fik stufën, ua fsheh verën dhe rakinë dhe, mbyllet në dhomë e nuk bëhet e gjallë as t’u japë dorën. Rrëfen gjyshi një rast specifik, me llogaritaren. E kërkonte rasti që me shokë e shoqe komunistë të tregoje kujdes dhe respekt të veçantë, dhe gjyshi si kryetar këshilli, i bëheshin shpesh vizita nga shokë dhe eprorë. Veçse në këtë rast ishte edhe llogaritarja, të cilën gjyshja e kish vdekje. Burrat i priti gjithë turinj, sa me thënë, llogaritaren e injoroi fare. Po kjo grua kaq e hidhur? Thonë burrat. Ça i paskam ba un? Pyet në fund gjyshin llogaritarja. Ky u shpjegon se kështu është, lodhet dhe është pa nge, ndaj as ky vetë nuk e ngacmon shumë. Dhe ka të drejtë, ai nuk e pëlqen konfliktin. U hap rrugë të tjerëve për hir të qetësisë, gjë që gjyshen e acaron, sepse kështu është e paaftë ta ndryshojë gjyshin.

Ajo kujdesej për fëmijët e grave që punonin në kooperativë, post të cilin ia ka caktuar gjyshi sepse është më i rehatshëm për gratë dhe sepse gjyshja kujdeset mirë për fëmijët. Rugës për në punë i del një grua nga fshati dhe nga hiçi, i thotë tërë krenari se gjyshi paska qenë i saji para se të bëhej bashkëshorti i gjyshes. Kjo, lëshon fëmijët që kishte përdore dhe i jep një të shtyrë duke e flakur në kanalin e vadës së ujit aty përbri. E shan sa mundet, i thotë sorrë, i thotë brevë, i thotë rruspije. Dhe bën lëvizjen e vet klasike, që është t’ia mbathë sërish.

Vazhdoni leximin e pjesës së dytë këtu

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje