Shpëton Pylli i Plepave të Brukës! Banorët e Laknasit fitojnë gjyqin kundër Bashkisë Kamëz dhe firmës “BioProducts” shpk

nyje.al | 16.03.2022 

Banoret e Laknasit pas shpalljes se vendimit ne Gjykaten Administrative Tirane, foto Ronald Qema
Banoret e Laknasit pas shpalljes se vendimit ne Gjykaten Administrative Tirane, foto Ronald Qema

Pas tre vitesh protesta, përballjesh institucionale dhe trup më trup me policinë për të mbrojtur pyllin e tyre, sot banorët e Laknasit kanë fituar gjyqin në shkallë të parë kundër Bashkisë Kamëz, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe firmës private “BioProducts”. Procesi gjyqësor i shkallës së parë, i filluar që prej vitit 2019, u dha të drejtë banorëve në pretendimet e tyre për paligjshmërinë e bashkisë Kamëz dhe kompanisë private në projektin e ndërtimit të një thertoreje në zonën e Plepave të Brukës.

Beteja e Plepave të Brukës, daton që prej janarit të vitit 2019, vit në të cilin Bashkia Kamëz jep me qera për një periudhë 20 vjeçare sipërfaqen prej 12.400 m2  të Plepave të Brukës, në vlerën e 110,000,000 lekësh. Në kontratë parashikohej ndërtimi i një objekti i cili do të kishte si aktivitet mbarështim të kafshëve, thertore, shitje blerje lëkurash, tregti e kafshëve të gjalla. Kjo kontratë qeraje nuk u zbatua asnjëherë, kjo prej rezistencës së fortë të banorëve të zonës dhe masës së sigurimit të padisë që në fillim të procesit gjyqësor.

Në konkluzionet përfundimtare të parashtruara nga avokatja Ndreka, është risjellë në vëmendje kërkesa kryesore për konstatimin e pavlefshmërisë absolute te Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, si dhe të akteve të lejes se mjedisit dhe lejes së ndërtimit të lëshuara nga Bashkia Kamëz në vitin 2019. Zona e “Plepave të Brukës’ e regjistruar në zërin kadastral të bashkisë si ‘tokë zallishte’ është kultivuar përgjatë 30 viteve nga vetë banorët e zonës me pemë frutore dhe zbukuruese dhe bimësi të tjera të dendura të cilat ia kanë përmirësuar jetesën familjeve përreth duke krijuar kështu pyllin per te gjithe zonen e Laknasit.

Sipas Planit të Detajuar Vendor, në atë zonë specifike nuk është e lejuar të ndërtohen stabilimente thertoresh apo hapësira për mbarështim kafshësh, dhe asnjë aktivitet që ka ndikim të lartë në mjedis. Sipas raportit për miratimin e VNM-së vihet në dukje se aktiviteti i parashikuar për ndërtim kishte ndikim shumë të lartë në mjedis, i cili, ndryshe nga sa pretendonte pala e paditur, do të ishtë i parikuperueshëm pas ndërtimit të objektit.

Parregullsi dhe mangësi të theksuara profesionale janë gjetur po ashtu në raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, i cili sipas paditësave përmbante informacion të parëndësishëm duke përfshirë të dhëna edhe mbi monumentet natyrore të Tiranës dhe veçori të lumenjve të ndryshëm të Shqipërisë, duke shkuar deri te lumi Vjosë dhe Valbonë, raste aspak relevante për zonën e Laknasit, pjesë e bashkisë Kamëz.

Leja e zhvillimit dhe leja e ndërtimit janë dy dokumente të cilat janë dhënë në kundërshtim të hapur me ligjin dhe jashtë kompetencave të Bashkisë Kamëz dhe ky qëndrim është mbështetur edhe nga Gjykata sot. Këto janë pretendime që janë ngritur që në fillim të procesit gjyqësor dhe janë konsideruar të bazuara në ligj dhe në fakte edhe nga gjykata. Këto dokumente janë lëshuar gjatë vitit 2019, në atë kohë nën drejtimin e ish-kryetarit të bashkisë Xhelal Mziut. Situata e banorëve nuk ka ndryshuar, përkundrazi është përkeqësuar pas ardhjes së kryetarit të krahut të majtë, Rakip Suli, kjo për shkak të rritjes së tensionimeve në terren mes banorëve dhe firmës private, dhe mungesës së ndërhyrjes nga ana e bashkisë. Kryetari aktual, me retorikë përkrahëse, por e pambështetur në akte konkrete, nuk ka pasur vullnetin politik për të mbrojtur zonën e Plepave të Brukës. Në një nga mbledhjet e këshillit bashkiak, me praninë e kryetarit të bashkisë dhe kryetarit të këshillit, të dy janë shprehur se nuk munden ta shpallin zonën e Plepave të Brukës si zonë pyjore siç pretendojnë banorët, për shkak të procesit gjyqësor që po zhvillohej. Ndërkohë, sipas parashikimeve ligjore, Këshilli Bashkiak i Kamzës mund ta shpallte zonën në fjalë ‘pyll’ duke i garantuar njëherë e përgjithmonë mbrojtje më të lartë zonës, krahasimisht me mbrojtjen që gëzon ajo sot.

Një argument shumë i rëndësishëm i parashtruar nga banorët në protesta të shumta dhe që është artikuluar gjithashtu në procesin gjyqësor është se te Plepat e Brukës sipas VKM-së nr 686 “Për miratimin e Rregullores së Planifikimit të Territorit” nuk duhet lejuar zhvillimi i asnjë aktiviteti privat dhe po ashtu, asnjë lloj ndërtimi me përjashtim të atyre që kanë si qëllim ruajtjen e pyllit.

Argumenti i fundit dhe më i rëndësishëm i ngritur në procesin gjyqësor nga ana e banorëve ishte se ‘Plepat e Brukës” nuk ishte ‘zallishte’ por pyll. Ekspertët gjatë gjithë procesit gjyqësor kanë vonuar aktet e ekspertimit duke shkaktuar tejzgjatje të pajustifikueshme të procesit. Në një prej seancave të zhvilluara ata janë gjobitur nga gjyqtari Kaçkini. Akti i fundit i ekspertimit ka nxjerrë se te Plepat e Brukës ndodhen 1636 pemë dhe zona është e mbuluar me pemë të larta në 20% të hapësirës së saj.

Pretendimet e banorëve janë se kjo përqindje faktikisht arrin deri në 70% të mbulimit, po të merreshin në konsideratë edhe pemët që kanë një gjatësi prej 5m, megjithatë edhe me këto të dhëna, sipas përkufizimit të ligjit shqiptar, “Plepat e Brukës” kategorizohet si pyll. Aktet e ekspertimit sipas Av. Ndreka gjithashtu kanë probleme të tjera ligjore pasi ekspertët kanë shkelur parashikimet e Kodit të Procedurës Civile. Ata kanë formuluar qëndrime juridike në aktet e tyre, në vend se të mjaftoheshin vetëm me pohime shkencore dhe teknike që lidhen me ekspertimin mjedisor që do të duhej të kryenin.

Sipas avokatëve, vendimi i shpallur sot nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë ka afat të ankimohet nga palët humbëse brenda 15 ditëve, por e vlerësojnë thuajse të pamundur që firma private ‘Bioproducts’ shpk dhe Bashkia Kamëz të arrijnë të fitojnë procesin në shkallë të tjera. Momentalisht, zona e Plepave të Brukës është e mbrojtur edhe nga vendimi i Gjykatës së Lartë i cili ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për sigurimin e padisë.

Banorët,si në çdo seancë tjetër të pranishëm edhe sot në oborrin e Gjykatës, kanë gëzuar mes njëri-tjetrit lajmin e fitores. Të mbushur me shpresë për të ardhmen e tyre dhe me besim te drejtësia dhe puna e gjykatave, kanë shprehur mirënjohje për të gjithë bashkëpunëtorët dhe kanë përçuar mesazhin se protestat, aktivizmi dhe proceset gjyqësore mund të shpëtojnë mjedisin dhe kauza të tjera të ngjashme publike nga ndërhyrjet e padrejta të pushtetit dhe privatit.

Ndajeni këtë shkrim

  • Post comments:0 komente

Lini një Përgjigje