Urime kryetar!

31.10.2018 | nyje.al
Familjen nuk mbaj mend ta kem uruar ndonjëherë me kartolinë përveçse kur isha i vogël, që edhe atëherë më nxiti ta bëja këtë motra e madhe. Mendoja që kartolinat janë krijuar për tu ndarë me persona të tjerë, që perveç ndjeshmërisë dhe afrimitetit me to, jetojnë shumë larg nga ty, distanca kilometrike, e jo me ato që të ndan një mur. Më pas provova të uroj mësuesen kujdestare në klasë të shtatë me një kartolinë për Vitin e Ri. Ajo thjesht më vuri dorën tek flokët të cilat mi lëvizi nga pozicioni fillestar, kur më takoi tek shkallët e shkollës, duke më diktuar që isha një djalë i sjellshëm, por nuk ma ktheu me mirësjellje. As atë vit as vitin tjetër. Më vonë, kur isha në gjimnaz, i nisa një kartolinë hallës së vetme, pasi mbaj mend që kur isha i vogël ajo më jepte lekë sa herë që unë kisha ditëlindjen. As ajo nuk ma ktheu përgjigjen. Hallën e kuptova në fakt sepse ndryshe nga mësuesja ajo ishte e vjetër, i kishte kaluar të shtatëdhjetat dhe kushedi mbase kishte harruar edhe të shkruante. Doja shumë që të kisha edhe unë një kartolinë urimi, që do të ma dhuronte dikush tjetër, qoftë dhe si kundërpërgjigje ndaj simes, aq sa më ishte kthyer si obsesion. Ishte si një synim që i kisha vënë vetes.
Tani e kam kuptuar që kartolinat dhurohen rrallë nga të rriturit për festat e fundvitit. Duke marrë parasysh këtë kam hequr dorë nga ky fenomen paçka se dëshira ime për të pasur një kartolinë nga një person më i rritur sesa unë vazhdon ende të jetë e fortë. Nuk i kam nisur askujt kartolinë për këtë Vit të Ri që po vjen dhe kam menduar diçka. Nuk dua t’ua nis më familjarëve, as mësuesve të fillores, as hallës së madhe, por dikujt tjetër, dua t’ia nis një kartolinë urimi për Vitin e Ri kryetarit të bashkisë të qytetit tim, Kamzës. E shkruajta mbrëmë vonë dhe tani e kam gati.
I dashur kryetar,
Jemi mësuar gjithnjë që vetëm të ankohemi për ju, të kërkojmë llogaridhënie, të kritikojmë, të bëjmë kërkesa, të dyshojmë në dhënien e tenderave dhe rrallë për të mos thënë asnjëherë për t’ju falenderuar për diçka në veçanti apo thjesht në përgjithësi. Duheni falenderuar që jeni aty ku jeni pasi mund të kishim dhe një bashki pa kryetar, siç ka familje pa kryefamiljar, e kushedi si do ishim katandisur. Unë këtë mendoj ndonjëherë. Por unë dua të ngelem sërish tek kërkesat por në një trajtë tjetër që nuk ka të bëjë aspak me ato më lart. Uroj që me këto pyetje të mos ngjaj si muret e kishave ku ju duhet të rrëfeheni për t’i shpëtuar mëkateve. Kartolinat dhe urimet më estetike nisin dhe me pyetje ndonjëherë andaj më lejoni.
A keni dëshira ju kryetar? Cilat janë ambiciet tuaja më të mëdha tani? A keni lënduar fort ndonjëherë dhe nuk keni kërkuar falje? A vazhdoni të ëndërroni-? A e lini ju kryetar çelësin tek komshija kur dilni i fundit nga shtëpia që kur të kthehen fëmijët nga shkolla mos ta gjejnë shtëpinë të mbyllur? Kur ka qenë hera e fundit që jeni lagur në shi? A keni provuar të flini ndonjëherë unshëm? Çfarë thoni për ne banorët e Kamzës kur jeni në kafene me miq? Po në hollet e hoteleve të shtrenjta kur bisedoni me homologët tuaj pasi keni bërë binjakëzim qytetesh? Kur ka qenë hera e fundit që keni qarë në teatër? Përse? Çfarë keni menduar në ato momente? Si e mendoni pleqërinë tuaj? Kush është politikani juaj i preferuar? Në cilën ngjarje të historisë botërore do donit të ishit pjesëmarrës?
Unë tani mbyll gjimnazin dhe dua të vazhdoj studimet për gazetari dhe po mendoja… sikur kryetari t’u përgjigjej këtyre pyetjeve kushedi sa kureshtje do ngjallte tek të tjerët. Kjo sigurisht varet dhe nga përgjigjet. Do nxirrni në pah një anë tuajën njerëzore që ne nuk e njohim aspak. Kemi nevoje të dimë dhe ne për këto. E mendoj që kjo është një ndihmë për të dy ne.
Dhe mos harro që duke u kthyer përgjigjje këtyre pyetjeve në dukje intime dhe melankolike, ju do fitoni simpatinë e shumë qytetarëve tuaj, por edhe do të plotësoni një ëndërr timen të kahershme, që të kem dhe unë një kartolinë urimi nga një më i rritur. Urime për Vitin e Ri 2018, kryetar!
Ngelem në pritje të një përgjigjeje. Deri atëhere pranoni përshëndetjet e mia të ngrohta nga qendra e Kamzës!

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje