Vetërregullimi si rrugëdalje

nyje.al | 24.06.2020 

Një ndër përshtypjet e vjelura nga vizitorë-kalimtarë të Kamzës para disa vitesh- që e sheh vendin e tjetrit me qartësinë e shkimit nga jashtë– rrugëve të Zall-Mnerit, ishte habia që asnjë rrugë në qytet nuk është rrugë qorre, dhe në fundin e asnjërës prej tyre nuk të del përballë një pallat apo një shtëpi që të ndërpret kalimin e të bën të kthehesh mbrapsht për tjetër dalje. Secili shteg në Kamëz e ka një rrugëdalje, që të lidh me një rrugë tjetër dytësore e tretësore. Edhe nëse ndodh ndryshe  në të rrallë, është gjithmonë një portë që të hapet e të orienton të dalësh në rrugë kryesore. Krejt histori e kundërt me çfarë ndodhë në kryeqytet.
Ky vetërregullim nuk është bërë rastësisht. Familjet që kanë ndërtuar banesat e tyre, që në krye të herës kanë qenë të vetëdijshme që për të krijuar një lagje, duhet të mirëllogarisin rrugën e përbashkët. Secili prej tyre e ka ndërtuar avllinë një deri në dy metra brenda tokës së tij, larg prej “tokës së përbashkët”, për t’i lënë vend shtrimit të rrugës. Kush nuk e ka bërë më përpara, sot është i gatshëm të lejojë prishjen e avllisë së vet, qoftë dhe me koston të falë një pjesë të tokës, vetëm që rrugët të shtrohen dhe të lehtësohet qarkullimi brenda për brenda qytetit. Kështu, imagjinata e këtyre banorëve, por edhe frika nga një shtet “që s’pyet për njerëzit” i ka parapërgatitur për të improvizuar planin urbanistik e rrugëkalimet e përbashkëta.
Sakaq, banorët kanë 24 vite që presin “ardhjen e shtetit” për t’u shtruar rrugët, pushteti merr rrugët prej shqetësimeve publike. Viti 1996 shënon vitin ku Kamza merr statusinë e bashkisë më vete. Fundi i prillit të këtij viti ka shënuar 24 vjetorin e Kamzës – qytet. Çdo fushatë elektorale – e djathtë dhe e majtë – është reduktuar në pretime asfalti, uji e kanalizime. Gjendja aktuale e banorëve të Kamzës flet vetë për “suksesin” e tyre.
Një ndër lagjet që ka dërguar më së shumti ankesa në bashki për shtrimin e rrugës, është një nga degëzimet e lagjes numër 5, në Kamëz. Taktika e ndjekur nga kryebashkiaku i mëparshëm ishte shtrimi i pjesshëm i rrugës që duket, duke lënë pa shtruar rrugët e degëzimeve të lagjeve, që nuk dalin dhe aq në pah. Kryebashkiaku aktual  po vazhdon “rrugët e pashtruara” të Mziut, me të njëjtën politikë.
Rruga “Burimi” është pa ujë të pijshëm. Dy vite më parë, nga këmbëngulja e banorëve dhe kryesisht me investimin e tyre arritën të përmbyllnin kanalizimet e ujërave të zeza, ndërkohë që është një plan për prurjen e ujit brenda vitit 2021. Pothuajse çdo vit, përgjatë këtyre 24 vitesh, banorët e kësaj rruge mblidhen dhe kontribuojnë secili nga xhepi i vet për ta shtruar rrugën me një apo dy shtresa zhavorri.
Shirat e vjeshtës dhe pranverës e bëjnë rrugën vështirësisht të kalueshme, me grupa uji e balte. Janë të panumërta ankesat e tyre pranë bashkisë së Kamzës, mirëpo deri tani kryebashkiakët (të ikurit, dhe ai aktuali) i kanë ftuar të presin, ose u japin një vit si afat të fundit. Ndërkohë që afatet skadojnë, për çdo vit dhjetëra familje mblidhen, mbledhin lekët dhe shtrojnë rrugën me iniciativë të tyre.
Gjatë kësaj jave, dhjetë familje të lagjes “Burimi”, i janë rikthyer ritualit të vjetër. Të lodhur sërisht nga premtimet e pambajtura dhe nga rruga e pashtruar, secili prej tyre ka kontribuar për shtrimin e rrugës. Në marrëveshje e në solidaritet të heshtur, nuk kanë lejuar të paguajnë ato familje që s’kanë të ardhura, e që jetesa e tyre është në kufijtë e mbijetesës.

Rruga "Burimi" pas hedhjes së zhavorrit. Kamëz, 23 qershor, 2020. fotografi nyje.al
Rruga “Burimi” pas hedhjes së zhavorrit. Kamëz, 23 qershor, 2020. fotografi nyje.al

“Zhavorrin e kemi hedh aty ku ka ma shumë gropa e lloç. Askush nuk është kujdesë me hedhë ma shumë zhavorr përpara pragut të shpisë së vet. Se s’ka kuptim me ia ba ashtu. Shumë pak kam hedhë te gropa afër derës teme, pjesën tjetër e kena shtrue ma shumë te shpia tjetër e në krye të rrugës, se atje janë ma të thella gropat. Bile, njani në ne e shtoi edhe me një shtresë tjetër zhavorri krejt me shpenzimet e veta, e na u dhimt boll, se nuk asht e drejtë, se i ra me u shpenzue edhe ma shumë. ” – shprehet një nga banorët e lagjes me inicialet H.M. Me shqetësim ai vazhdon të tregojë: “Nuk e mbajmë ma mend sa herë jena ankue në bashki kur asht kanë Xhelali. Edhe kur erdh ky tjetri kam prit 2 orë në radhë me e takue, e më pat thanë se e kena në plan me e shtrue shpejt. Prap do ankohena. Nuk kena gja në dorë, veç votën. Dhe atë kena me u mendue mirë se kujt kena me ia dhanë ose mos me ia dhanë kurrkujt, se boll e kena çue dam. ”
Dy- tre shtresa zhavorri, një rrugë me emrin “Burimi”, pa ujë dhe e pashtruar, dhe një grusht njerëzish me sensin e drejtësisë dhe ruajtjes së tjetrit zëvendësojnë shtetin e pushtetin, duke u treguar sesi duhet punuar, se çfarë nevojash kanë dhe se përse nuk pritet më. Vetërregullimi është e vetmja rrugëdalje për ta. Të indinjuar krejtësisht nga kush po merret me punët e qytetit, shprehen se prapëseprapë ankesat kundrejt bashkisë nuk do i ndalojnë deri sa të plotësohen.

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje