Telashet e banorëve të Valiasit, ankohen për mungesë informacioni

nyje.al | 28.09.2021
Procesi i Rindërtimit në Valias vazhdon me terrin informativ që e ka shoqëruar që në nisjen e tij, e që shoqërohet nga problematika të tjera për banorët që presin të kthehen. Në vëzhgimin në terren në lagjen e Valiasit të Vjetër shohim që tashmë janë ngritur godinat e banimit dhe po punohet për përfundimin e tyre, por ende qytetarët nuk e kanë një datë për rikthimin në banesat e tyre.
Sabriu, banor i Valiasit na shpjegon se nuk e ka të sigurtë se kur do të përfundojë procesi i rindërtimit: “Unë kam shtëpinë time private, por kam familjarët e mi që po presin mbarimin e banesave. Kam dëgjuar vërdallë që mund të jenë gati në dhjetor ose janar, se informacion të saktë nuk kemi, jo.

Punimet në rindërtimin e lagjes së Valiasit të Vjetër, Shtator 2021

Punimet në rindërtimin e lagjes së Valiasit të Vjetër, Shtator 2021

Pagesa e pamjaftueshme e qerasë
Agimi është një nga kryefamiljarët e Valiasit që pas shembjes së pallateve është vendosur në Bathore dhe po jeton aty me qera deri në rikthimin në banesën e tij. Në një bisedë me të ai shprehet se bonusin e qerasë e merr çdo muaj por është i pamjaftueshëm duke pasur parasysh koston e një banese të përshtatshme për familjen e tij.

“Unë marr 130 mijë lekë të vjetra nga Bashkia, e shtëpia më e lirë që kam gjet është 170 mijë. Shyqyr po na i japin të paktën aq e shpresoj të vazhdojnë se nuk e di as kur do kthehemi nëpër shtëpia, s’na kanë thënë gjë.”– u shpreh ai.

Tarraca Kamëz
13 mijë lekë të reja është vlera mesatare caktuar nga Bashkia e Kamzës në  vendimin nr.1 të datës 19 janar 2021, për familjet me dy pjesëtarë, ku përcakton edhe llojin e banesës (Apartament tip garsionere). Kamza është një qytet i cili ka karakteristikë kryesore shtëpinë private dhe pallatet e reja që po ndërtohen zor se kanë garsoniere pasi që në projektim kanë për qëllim përdorimin familjar. Kjo e bën të pamundur gjetjen e një banese të tillë për familjet që janë detyruar të lënë shtëpinë si shkak i procesit të rindërtimit, duke çuar edhe në mos rakordim të çmimeve si rasti i Agimit.

Sakaq, për familjet e tjera me më shumë se 2 anëtare, situata është pak më e vështire, porsa çmimet e banesave private me qera shkojnë deri në 30% apo 50% më shumë se vlera e përcaktuar nga Bashkia Kamëz. Ndërsa apartamentet, si tip banese e propozuar nga institucioni vendor shkojnë në shifra më të larta në pallatet e reja, duke filluar nga 20% më shumë më e pakta, e rrjedhimisht bëhen të papërballueshme.

Apartamente ne Kamez

Banesa me apartamente në Kamëz, 2021

Apartamente ne Kamez-

Banesa me apartamente në Kamëz, 2021

Ish-miniera e Valiasit ishtë një qendër historike dhe jo vetëm, që fliste dhe vazhdon të flasë për një periudhë të caktuar të jetesës në Kamëz dhe historisë së punës në qytet. Qyteza e Valiasit u krijua për minierën dhe kjo fazë e re e kësaj qyteze po vazhdon të përpijë edhe historinë e saj.

Në një nga shpërthimet e kontrolluara për shembjen e një prej godinave, kanë mbetur të dëmtuara disa banesa përreth e ajo me pasoja më të rënda ishte banesa e Z.Kujtim Rajta. Ndjekja e procesit të vendimmarrjes të Bashkisë Kamëz nga redakisa e Nyjes, na vuri në kontakt me këtë rast. Të kontaktuar nga ne, familjarët u shprehën të pakënaqur me vlerësimin e dëmtimit nga ky shpërthim i kryer nga IKMT-së. Në një vendim të Këshillit Bashkiak të muajit shkurt, Bashkia kishte vendosur të dëmshpërblente familjen Rajta me vetëm 95 mijë lekë të reja, duke e përcaktuar banesën me dëmtim DS-2. Por pas ankimimit të kryefamiljarit dhe kërkesës për rivlerësim të dëmtimit, Instituti i Ndërtimit pas ekspertimit ka konstatuar që niveli i  dëmtimit është DS-4 “për shembje”.  Kjo i ka detyruar institucionet publike të rindërtojnë banesën e familjes Rajta.

Godina të shembura në kompleksin e ish-Minierës së Valiasit

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje