Marrëveshja Rama-Meloni në pajtim me Kushtetutën, aktivistët: Gjykata, viktimë e radhës e autokracisë

nyje.al | 29.01.2024

Aktivistët që kanë protestuar në hyrje të Gjykatës Kushtetuese në çdo seancë shqyrtimi të marrëveshjes protokoll “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit”, sot pasdite vendosën lule dhe kryen “homazhe” në dyert e këtij institucioni të drejtësisë. Ky akt simbolik revolte dhe indinjate nga aktivistët, erdhi pas vendimit të marrë nga kjo gjykatë, i cili e deklaroi marrëveshjen Rama-Meloni si kushtetuese duke i hapur rrugë ratifikimit të saj në Parlament. 

Sot ishte dita e tretë që ne protestuam para Gjykatës dhe sapo morëm vesh vendimin erdhëm për të vendosur një kurorë.  Ishte shpresa jonë e fundit, ishte i vetmi institucion që mund të garantonte kushtetueshmërinë dhe demokracinë në këtë vend. Ne sot ndihemi si fëmijë jetimë në mes të katër rrugëve, nuk dimë më se cili institucion na mbron. Jemi zyrtarisht nën autokracinë e një partie, e një personi. 

Arilda Lleshi – Aktiviste

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Bazuar në Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë, Gjykata Kushtetuese e gjen protokollin e dy qeverive Rama dhe Meloni, të miratueshëm nga Kryeministri, pa nevojën e institucionit të Presidentit. Në njoftimin e publikuar Gjykata shprehet se qeveria është fuqiplotë në miratimin e këtij protokolli dhe se sovraniteti i vendit nuk shkelet, ndonëse si marrëveshje ndërqeveritare është risi për praktikat gjyqësore  shqiptare. 

“Gjykata vlerësoi se Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë, i vitit 1995 përbën një marrëveshje ndërkombëtare kuadër që sipas nenit 180 të Kushtetutës konsiderohet e ratifikuar dhe përbën bazë të mjaftueshme që Protokolli për Migracionin të negociohej me autorizim të Kryeministrit dhe plotfuqi të lëshuara nga Ministri i Punëve të Jashtme, si dhe të nënshkruhej prej vetë Kryeministrit. 

Gjithashtu në njoftim tregohet se Gjykata ka arritur në përfundimin se ky protokoll mes dy qeverive nuk shkel të drejtat themelore të njeriut dhe se kuadri ligjor i vendit tonë por edhe ai ndërkombëtar garanton zbatimin e tyre. 

Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese arriti edhe në përfundimin tjetër se Protokolli për Migracionin nuk përfshihet në kategorinë e marrëveshjeve ndërkombëtare të parashikuara në shkronjën “b” të pikës 1 të nenit 121 të Kushtetutës sepse në thelb, ai nuk krijon të drejta dhe liri të reja kushtetuese dhe as nuk sjell kufizime shtesë në të drejtat dhe liritë ekzistuese të njeriut, përtej atyre që parashikohen nga rendi juridik shqiptar.

Jo kërkesës për këshillim nga Strasbourgu

Shtyrë nga arsyetimi juridik i mësipërm që eleminon mundësinë e kufizimit të të drejtave të njeriut, Gjykata Kushtetuese gjithashtu sot vendosi të mos pranojë kërkesën e paditësve për t’u këshilluar me Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. 

Për sa më lart, në kushtet kur të drejtat dhe liritë themelore të të huajve gëzojnë mbrojtje të dyfishtë juridiksionale dhe Protokolli për Migracionin nuk sjell kufizim të tyre, Gjykata Kushtetuese çmoi të mos e pranojë kërkesën e kërkuesit për marrjen e një opinioni këshillimor nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese tashmë lejon Kuvendin e Shqipërisë të ratifikojë Protokollin “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit” pas publikimit në Fletoren Zyrtare dhe zhbën vendimin e pezullimit marrë me 22 dhjetor, duke i hapur rrugë krijimit të dy kampeve për emigrantët e transferuar nga Italia për në qytetin e Lezhës, duke rrezikuar haptazi shkeljen e të drejtave të njeriut.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje