Bien këmbanat për Gjykatën, çështjet e Zall-Gjoçaj më shumë se 1 vit në sirtare 

Ronald Qema | 30.06.2021 | nyje.al

 

“Kemi ec afër dy orë këmbë dhe 4 orë me makinë për të ardhur këtu,për ti thënë drejtësisë shqiptare: Zbatoni ligjet!”

Adem Gjokola – Banor i Zall-Gjoçaj

“Për kë bien këmbanat?” ishte lajmotivi i protestës së sotme të zhvilluar para Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë nga aktivistët e banorët e Zall-Gjoçaj. Ata kërkuan nga Gjykata nisjen e shqyrtimit të çështjeve që lidhen me mbrojtjen e 

Parkut Kombëtar Lurë – Mali i Dejës nga ndërtimi i hidrocentraleve mbi Lumin Flim.

Kjo gjykatë mban në sirtar 3 padi tonat dhe është i vetmi institucion që mund të ndalë në mënyrë direkte punimet në park, deri në një vendim të formës së prerë. U bë tashmë 1 vit që ne kemi dorëzuar ankimet dhe me gjithë kërkesat tona për përshpejtim të procedurës nuk kemi asnjë lajm. Kompania vazhdon punimet në Park Kombëtar, aty ku me ligj nuk lejohet as bagëtitë të kullosin.”

Aurora Leka – Aktiviste

Ndonëse në paditë e dorëzuara është bërë e qartë që çështja është emergjente, ndikon mbi një komunitet të gjërë dhe prek interesat publike, Gjykata ndryshe nga ç’parashikohet në raste të tilla, nuk i ka marrë ende nën shqyrtim. 

Janë 3 padi të rrëzuara nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, të cilat aktivistët e Mbro Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj i kanë apeluar por heshtja nga Gjykata e Apelit vazhdon, ashtu siç vazhdojnë edhe punimet për përfundimin e HEC-eve. Banorët kërkuan nga institucionet e drejtësisë që ato të vihen në funksion dhe të shpëtojnë Parkun Kombëtar nga shkatërrimi.

“Jemi mbledhur për ti thënë Gjykatës të zgjohet nga gjumi, çështjet që fshihen nëpër sirtarët e korrupsionit ti nxjerrin dhe të gjykohen. Kemi 3 vjet nëpër protesta dhe në Gjykata, 2 vjet në Shkallën e Parë të Administratives, që tallen e lozin me banorët dhe aktivistët që po mbrojnë një park kombëtar. Ka një vit që dosjet tona flenë nëpër syrtarët e korrupsionit të Gjykatës. Të nisin seancat dhe të ndalohet kjo masakër.”

Dhimitër Koleci –Banor i Zall-Gjoçaj / Aktivist

Përveç 3 padive që presin shqyrtim në sirtaret e Apelit, një padi tjetër ndaj krerëve të institucioneve të linjës është ngritur në SPAK dhe një çështje është fituar nga banorët në Shkallën e Parë të Administratives që i heq liçensën e prodhimit të energjisë elektrike HEC-it Zais, liçensë e dhënë nga ERE (Enti Rregullator i Energjisë).

Me thirrjet “Drejtësi, drejtësi, drejtësi për Zall-Gjoçaj”, “Park kombëtar, jo park tregtar” dhe “Drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar” banorët dhe aktivistët që protestojnë për mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Zall-Gjoçaj u zotuan që do ta vazhdojnë rezistencën deri në shpëtimin e Parkut e deri në pikën e fundit të ujit.

Nga ana tjetër, Gjykata Administrative e Apelit pasditen e sotme nxorri një deklaratë që justifikon vonesën me rastet e shumta të cilat kjo gjykatë duhet ti zgjidhë. Gjithashtu në deklaratë thuhet se gjyqtarët relatorë po shqyrtojnë kërkesat e paraqitura pranë Gjykatës për përshpejtimin e gjykimit, për çështjet e Zall Gjoçaj.

Ndajeni këtë shkrim

  • Post comments:1 Comment

Ky postim ka një koment

Lini një Përgjigje